Ministry of Internal Affairs

Navigate to this Section

Znj. Anisa Ruseti ka lindur me 9 nëntor 1981. Ajo mban detyrën e Zëvendësministres së Punëve të Brendshme që prej muajit mars 2026.

Znj. Ruseti ka ndërtuar një karrierë të konsoliduar në sektorin publik, me përvojë të gjatë në administratën shtetërore, në nivel qendror dhe vendor. Gjatë veprimtarisë së saj profesionale, ajo ka ushtruar funksione drejtuese, me angazhim në drejtimin e proceseve institucionale, planifikimin afatgjatë, bashkërendimin ndërinstitucional dhe zbatimin e reformave në shërbim të qytetarëve.

Në vitet 2019–2023, ajo ka shërbyer si Nënkryetare e Bashkisë së Tiranës, ku ka kontribuar në forcimin e sistemit vendor të mbrojtjes sociale dhe në avancimin e përmirësimeve të rëndësishme në këtë fushë. Gjatë periudhës 2015–2019, ka mbajtur funksionet e Drejtores dhe më pas të Drejtores së Përgjithshme të Shërbimeve Sociale në Bashkinë Tiranë, ku ka drejtuar hartimin dhe zbatimin e politikave vendore në fushën e mbrojtjes dhe përfshirjes sociale, të drejtave të fëmijëve, barazisë gjinore dhe zgjerimit të shërbimeve në nivel vendor. Prej vitit 2019, ajo ushtron gjithashtu veprimtari akademike si pedagoge e jashtme në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.

Më herët, ajo ka ushtruar disa funksione në administratën shtetërore, duke krijuar përvojë në zhvillimin e instrumenteve programatike dhe operacionale, menaxhimin e projekteve, komunikimin publik dhe forcimin e kapaciteteve administrative.

Znj. Anisa Ruseti ndjek studimet doktorale në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës. Ajo ka përfunduar studimet Master në Politika Sociale dhe Zhvillim të Qëndrueshëm të Territorit në Universitetin e Bolonjës, si dhe zotëron diplomë universitare nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës. Ajo flet rrjedhshëm anglisht dhe italisht.