Ministry of Internal Affairs

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha mori pjesë në një mbledhje të Komitetit të Mbrojtjes Civile, ku u diskutuan masat për përballimin e situatës emergjente që pritet për shkak të temperaturave shumë të larta të këtyre ditëve dhe zjarreve në zona të ndryshme të vendit.

Kjo mbledhje online drejtohej nga Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku dhe në të morën pjesë edhe ministrat Pirro Vengu e Albana Koçiu. Në takim kontribuan gjithashtu edhe një sërë drejtuesish të institucioneve si Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, Agjencia e Emergjencave Civile, Shërbimi i Urgjencës Kombëtare, Shërbimi Zjarrfikës, Shërbimet Pyjore, Zonat e Mbrojtura, Autoritetet e Transportit, të Meteorologjisë etj.

Në mbledhjen të Komitetit të Mbrojtjes Civile u trajtuan çështjet kryesore të planit të masave dhe u ndanë detyrat për secilën nga fazat e reagimit apo të parandalimit të situatave.

Sipas këtij plani masash, kërkohet rritje e nivelit të gatishmërisë së trupave vendore në dispozicion të prefektëve e po ashtu edhe rritje të vigjilencës dhe monitorim të pandërprerë të terrenit në çdo bashki për raportim të menjëhershëm. Nga ana tjetër, është parashikuar një pozicionim i forcave në zonat me risk për të shkurtuar kohën e reagimit e ndërkaq do të vijojë ndërhyrja nga ajri me përparësi në zonat e banuara dhe zonat e mbrojtura. Gjithashtu do të vazhdojë komunikimi me mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile për kapacitete shtesë.

Sipas parashikimeve të shërbimit meteorologjik, aktualisht vendi ynë po kalon një situatë me temperatura shumë të larta që mund të vijojë gjatë gjithë javës. Ndërkohë ka disa vatra zjarri në zona të ndryshme në veri e në jug të vendit në të cilat vijon aksioni për kontrollin e shuarjen e tyre.

Komiteti i Mbrojtjes Civile është autoriteti më i lartë i përhershëm që bashkërendon veprimtaritë dhe masat ndërinstitucionale të strukturave dhe të gjitha subjekteve të përfshira në mbrojtjen civile.