Fjala e ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha në takimin vjetor të Këshillit Koordinues të Diasporës:
Projekti i madh, përmes të cilit po i japim zë të fuqishëm një prej shtyllave më të rëndësishme të demokracisë sonë – përfshirjes dhe pjesëmarrjes së diasporës shqiptare në proceset tona zgjedhore, – po merr jetë dhe po bëhet realitet në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025.
Ne e shohim dhe vlerësojmë diasporën shqiptare, si komunitetin që ka mbajtur gjithmonë të gjallë lidhjet me atdheun përmes punës, traditave dhe vlerave të saj. Ajo është pjesë thelbësore dhe vitale e kombit. Ndaj vlerësoj se rëndësia e votës së diasporës nuk matet vetëm në numra, por në ndikimin që ka për të ndërtuar një Shqipëri më të fortë, më të drejtë dhe më përfaqësuese.
Kjo votë do të jetë një tjetër urë që lidh eksperiencat, idetë dhe shpresat për një të ardhme më të mirë, me përpjekjet e përbashkëta për të ndërtuar një shoqëri ku secili ndihet më i përfaqësuar. Për të siguruar suksesin e këtij procesi, e kemi parë si thelbësor bashkërendimin mes institucioneve kyçe, si Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile (DPGjC) dhe IdentiTek në Ministrinë e Brendshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Përdorimi i Platformës Elektronike të Regjistrimit për shkëmbimin në kohë reale të të dhënave është një risi që garanton transparencë dhe saktësi. Por ndërkohë kemi ndërmarrë lehtësim të procedurave për dokumentet e identifikimit – prej 25 tetorit 2024, është bërë e mundur ndarja e aplikimeve për pasaportë dhe ID kartë, duke ulur kohën dhe koston për qytetarët.
Nga ana tjetër po punojmë për të përmirësuar shërbimet. Ambasadat dhe konsullatat siç u tha dhe këtu, në qendrat me fluks të lartë, si Athinë, Mynih, Milano dhe Londër, tashmë janë pajisur me kapacitete të reja për të përballuar kërkesat, në bashkëpunim me kompaninë prodhuese të dokumenteve të identifikimit, IdentiTek.
Dua të informoj edhe publikun gjithashtu e ata që na ndjekin se për herë të parë, listat e zgjedhësve do të përfshijnë dy kategori: ata brenda vendit dhe zgjedhësit jashtë tij.
Ky hap do të shoqërohet me përmirësime rrënjësore teknike dhe procedurale në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, duke siguruar që çdo qytetar të ketë qasje të barabartë në procesin zgjedhor.
Procesi i regjistrimit të zgjedhësve nga jashtë do të nisë në 11 janar 2025 dhe do të zgjasë deri më 12 mars 2025.
Një fushatë intensive sensibilizimi do të nisë së shpejti për të informuar qytetarët tanë jashtë e brenda vendit mbi procesin dhe dokumentet e vlefshme për të ushtruar të drejtën e tyre të votës.
Përfitoj nga ky event me rëndësi, për të ftuar çdo bashkë-atdhetar që jeton jashtë vendit të jetë bashkëpunues në këtë proces kyç, i cili garanton të drejtën e votës.
Së fundmi, dua ta ritheksoj se përfshirja e diasporës në zgjedhjet parlamentare është një akt që forcon lidhjet tona kombëtare, promovon gjithë-përfshirjen dhe reflekton përkushtimin tonë për të ndërtuar një të ardhme ku çdo shqiptar, kudo që ndodhet, të ndihet pjesë e vendimeve që ndërtojnë të ardhmen e vendit tonë.
Faleminderit.