Ministry of Internal Affairs

Nënshkruhet me përfaqësuesit e konsorciumit ndërkombëtar “Presight AI” marrëveshja për implementimin e projektit “Smart City” në vendin tonë. Në ceremoni ishte i pranishëm Kryeministri Rama, kryetarë të bashkive, diplomatë dhe personalitete të tjera, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu u shpreh se “me nënshkrimin e sotëm, Shqipëria bëhet pjesë e një elite vendesh që kanë kthyer Inteligjencën Artificiale në shërbim të sigurisë publike.” Ajo vuri në dukje gjatë fjalës së mbajtur se “Smart City” do të lidhë kamerat inteligjente, analizën e të dhënave në kohë reale, patrullimin, trafikun dhe reagimin ndaj emergjencave, duke vendosur theksin tek parandalimi dhe rritja e sigurisë për të gjithë.” Projekti “Smart city”, do të implementohet fillimisht në 20 prej qyteteve më të mëdha të Shqipërisë, në nyjet dhe akset rrugore kombëtare më të rëndësishme, në sheshe e zona me qarkullim të dendur të qytetarëve, përfshirë dhe shkollat. Është parashikuar të instalohen rreth 5 mijë kamera me rezolucion të lartë në pikat e parashikuara, do të ketë edhe 3000 kamera trupi për punonjësit e Policisë së Shtetit, radarë e sensorë në rrugë e pajisje të tjera të fjalës së fundit. Gjithë të dhënat do të menaxhohen e procesohen përmes programesh, të fjalës së fundit të shkencës, që analizojnë në kohë reale një situatë të dhënë. Duke folur rreth pritshmërive dhe impaktit që do të ketë zbatimi i këtij projekti në vendin tonë, Ministrja Koçiu tha se pritet të ketë një ulje të aksidenteve rrugore dhe mirëmenaxhim të trafikut. Në emër të konsorciumit foli kreu ekzekutiv i saj z. Thomas Pramotedham, i cili vlerësoi bashkëpunimin me autoritetet shqiptare dhe rëndësinë që ka ky projekt për rritjen e sigurisë.

Më poshtë, fjala e plotë e Ministres Koçiu:

I nderuar Kryeministër,
I nderuar Ambasador,
Të nderuar pjesëmarrës, kryetarë të bashkive, përfaqësues të institucioneve kryesore,

Qyteti inteligjent është një qytet që e sheh rrezikun para se të ndodhë ngjarja.
Është qyteti që parandalon dhe reagon shpejt.
Është qyteti që rrit sigurinë me një mik të padukshëm, i pranishëm sa herë që të jetë nevojë.
Është qyteti ku teknologjia merr kuptim, sepse e bën jetën më të mirë.
Ky është vizioni, që nis të bëhet realitet nga sot, nëpërmjet këtij partneriteti me një konsorcium, lider në fushën e inteligjencës artificiale.
Dua ta them qartë, që në fillim, sepse është vërtet e rëndësishme të theksohet, që me nënshkrimin e sotëm, Shqipëria bëhet pjesë e një elite vendesh që kanë kthyer Inteligjencën Artificiale në shërbim të sigurisë publike.
Nuk është aspak rastësi që sistemet e Presight aplikohen në 4 kontinente dhe në 19 shtete, përfshirë tre nga vendet më të sigurta në glob: Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrein dhe Jordania.
Falë punës që nisim sot, Shqipëria do të bëhet vendi i parë në rajon që do të ketë një sistem të integruar të sigurisë dhe manaxhimit urban, në 20 qytetet më të mëdha dhe arteriet kryesore.
“Smart City” do të lidhë kamerat inteligjente, analizën e të dhënave në kohë reale, patrullimin, trafikun dhe reagimin ndaj emergjencave, duke vendosur theksin tek parandalimi dhe rritja e sigurisë për të gjithë.
Me vënien në zbatim të këtij projekti të rëndësishëm që fillojmë sot:
• Përfitojnë përdoruesit e rrugës, sepse të fortët që ecin me shpejtësi, parkojnë ku të duan kuturu apo shkelin semaforin me të kuqe identifikohen dhe penalizohen në moment.
• Përfiton qytetari, sepse rritet parandalimi dhe reagimi në kohë reale, në rrugë, në lagje, në hapësira publike.
• Përfitojnë prindërit, sepse rritet siguria në shkolla dhe forcohet parandalimi ndaj fenomeneve shqetësues për të gjithë ata.
• Përfitojnë bizneset, sepse rritet siguria e përgjithshme në komunitet dhe hapësirat përreth tyre.
• Përfiton Policia e Shtetit, sepse ul ngarkesën administrative, rrit efikasitetin operativ dhe forcon standardet e transparencës.
• Përfitojnë edhe shërbimet e emergjencës, sepse menaxhimi i trafikut, i ngjarjeve dhe i flukseve bëhet më inteligjent, më i koordinuar, më i shpejtë.
Ky është thelbi i konceptit të qytetit inteligjent: një hapësirë ku Inteligjenca Artificiale ndihmon të menaxhojmë, të parandalojmë dhe të përmirësojmë jetën e përditshme.
Prandaj “Smart City” nuk është thjesht një sistem dhe projekt transformues.
Është një projekt për Shqipërinë e së nesërmes.
Për ta bërë realitet këtë koncept, do të vendosim mbi 5 mijë kamera inteligjente në 20 qytete të Shqipërisë, nga Tirana në Sarandë, nga Gjirokastra në Shkodër.
Këto nuk janë “thjesht kamera”. Janë sisteme të inteligjencës artificiale që analizojnë, identifikojnë dhe sinjalizojnë në mënyrë autonome.
Janë gjithashtu rreth 3 mijë kamera trupi që do të instalohen në uniformat e efektivëve të Policisë së Shtetit.
Kjo do të thotë më shumë transparencë.
Por, gjithashtu shumë e rëndësishme, një shërbim i denjë, i kulturuar dhe në përputhje me respektin për qytetarët.


Po ashtu, do të instalohen kamera dhe radarë inteligjentë, si edhe sensorë për matjen e zhurmës në arteriet kryesore të vendit.
Pra, përpos syve, “Smart City” do të jetë edhe “veshi” që do të na ndihmojë të dëgjojmë dhe të kuptojmë më mirë burimet e rrezikut.
Po çfarë përfitohet konkretisht?
Duke iu referuar modeleve më të suksesshme dhe rezultateve të arritura në vendet ku ky lloj sistemi është aplikuar, pritshmëria e impaktit është që:
• të kemi 30% më shumë rritje të zbulueshmërisë për ngjarjet kriminale
• Deri në 45% reduktim të fataliteteve në aksidente rrugore
• 30% më pak kohë e shpenzuar në trafik
• 25% më pak kosto për menaxhimin e trafikut
• 30% më pak ngarkesë administrative për Policinë e Shtetit, pra më shumë kohë në dispozicion për policinë për të mbrojtur qytetarët.

Të nderuar të pranishëm
Për sigurinë publike ne nuk kemi luksin të presim.
Krimi po ndërkombëtarizohet. Po sofistikohet. Po përdor kanalet më moderne të komunikimit dhe forma të reja veprimi.
Rrjetet kriminale nuk kufizohen më në territorin e një shteti. Shpesh, kërcënimi lind jashtë territorit ose online.
Siguria në shkolla duhet të rritet më tej.
Kërcënimeve moderne në shkolla mund t’i përgjigjemi vetëm me zgjidhje moderne.
Qytetet tona po ndryshojnë. Janë 12 milionë turistë të shpërndarë në gjithë vendin, në të gjitha stinët krijojnë sfida shtesë.
Prandaj, për të bërë diferencën, duhet të qëndrojmë një hap përpara në të gjitha aspektet.
Këtë mund ta bëjmë nga njëra anë duke forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar, diçka që e kemi bërë me shumë sukses, me 5-fishimin e skuadrave të përbashkëta hetimore në 5 vitet e fundit.
Si dhe me qindra operacione shumë të suksesshme me 22 vende partnere dhe agjenci ligjzbatuese ndërkombëtare përgjatë këtij vitit.
Nga ana tjetër, duhet ta bëjmë duke vendosur në dispozicion të sigurisë së qytetarit shqiptar edhe teknologjinë më të përparuara në botë.
Prandaj, jam e gëzuar që sot finalizojmë këtë marrëveshje me Presight AI dhe partnerët e saj.
Sepse Shqipëria ka nevojë të jetë “Smart”.
Dhe sot, ne po ecim përpara, duke kthyer zgjuarsinë e teknologjisë në një forcë që do ta udhëheq vendin drejt vizionit tonë të Shqipërisë Europiane 2030.
Faleminderit.