Ministry of Internal Affairs

Tiranë – Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, priti Ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Marleen Monster, me të cilën diskutoi për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë.

Në fokus të takimit ishin lufta kundër krimit të organizuar, menaxhimi i migracionit dhe intensifikimi i bashkëpunimit mes strukturave ligjzbatuese të dy vendeve.

Një nga çështjet e rëndësishme të diskutimit ishte avancimi i marrëveshjes së re dypalëshe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, e cila synon të krijojë mekanizma më të afërt dhe konkretë bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare dhe holandeze.

Ministri Demo vlerësoi rolin e Holandës si një partner të rëndësishëm të Shqipërisë në forcimin e sigurisë, sundimit të ligjit dhe në procesin e integrimit europian.

“Holanda mbetet një partner i rëndësishëm për Shqipërinë, në fushën e sigurisë, sundimit të ligjit dhe në rrugën tonë drejt Bashkimit Europian”, u shpreh ministri Demo.