Ministry of Internal Affairs

I nderuar Kryetar i Komisionit,
Të nderuar deputetë,

Dua ta nis fjalën time me një përshkrim, që Shqipëria është e sigurt, madje shumë më e sigurt se shumë prej vendeve ku jetoni ju. Dhe këto nuk janë fjalët e mia. Është përshkrimi që i ka bërë vendit tonë, në vitin 2025, udhërrëfyesi më i famshëm turistik në botë “Lonely Planet”. Dhe nuk është i vetmi. Në faqet e mediave më të njohura ndërkombëtare, në portalet e ambasadave të huaja, në çdo raport dhe në çdo përditësim zyrtar përsëritet e njëjta fjali: “Shqipëria është një vend i sigurt”.

Mjafton t’u referohemi fakteve dhe shifrave, që janë shumë më kokëforta se çdo lloj perceptimi apo aludimi që mund të bëjmë këtu. Janë 12 milionë turistë që zgjodhën të vijnë këtu. Një rekord investimesh, mijëra qytetarë që hapin biznese, blejnë prona, ndërtojnë jetën e tyre këtu. Secili prej tyre, një dëshmi e qartë e besimit që ka fituar ky vend, një besim që ndërtohet aty ku ka rend dhe siguri e patjetër edhe liri.

Një meritë thelbësore, sigurisht, në këtë transformim të jashtëzakonshëm ka edhe nxjerrja përfundimtare e vendit tonë nga çdo listë e zezë ku e gjetëm pak vite më parë.

Në vitin 2025, kemi vendosur një tjetër gur të palëvizshëm drejt rritjes së mëtejshme të sigurisë për qytetarët.

Dua të nënvizoj këtu disa nga arritjet kryesore:

94% e zbulueshmërisë sa i përket veprave penale, e thënë ndryshe, në 20 vepra penale, 19 prej tyre zbardhen në kohë dhe autorët ndalohen. Po punojmë patjetër që ta rrisim më tej.

Janë 65.5 milionë euro asete dhe pasuri kriminale të konfiskuara apo të sekuestruara. Nuk është e largët koha kur vlera e këtyre pasurive nuk e kalonte vlerën e pak milionëve.
Zero turistë të huaj viktima të krimeve të rënda në Shqipëri. Mikpritja jonë si vlerë, së bashku patjetër me punën e lavdërueshme të Policisë së Shtetit, ka dhënë rezultate të shkëlqyera.

Lajm i mirë është gjithashtu edhe ulja e numrit të krimeve të rënda, përfshi dhe numrin vrasjeve me dashje.

Në 9 muajt e parë të këtij viti, pra thjesht vetëm po t’u referohemi statistikave, u regjistruan 29 vrasje me dashje. Për krahasim, në vitin e lënë pas, patëm 41 vrasje për të njëjtën periudhë. Dhe kjo nuk është një dhuratë që vjen nga lart, por rezultat i qartë i luftës frontale dhe pa kompromis kundër krimit të organizuar.

Shumë e rëndësishme ka qenë edhe reduktimi i aksidenteve të rënda me pasoja fatale në rrugë me 17% ulje në krahasim me një vit më parë.

Të gjitha janë një kornizë e qartë e punës dhe përpjekjes së përbashkët.
Sa i përket krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.

Raporti i KE për këtë vit vlerëson se vendi ka përmirësuar kapacitetet e strukturës së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përdorimin e hetimeve financiare paralele dhe kuadrin ligjor mbi substancat psikotrope.

Nxjerrja e Shqipërisë nga lista gri e FATF në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit është një tregues tjetër i rezultateve pozitive.

Lufta kundër krimit të organizuar po zhvillohet gjithmonë e më shumë me një qasje proaktive në dy dimensionet e saj, parandalimin dhe goditjen.

Vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2025 u zhvilluan 1,121 hetime proaktive me fokus krimin ekonomiko-financiar, trafikimin dhe narkotikët.

Sa i përket pastrimit të parave dhe goditjen e pasurive kriminale, vetëm nga SPAK gjatë vitit të fundit u sekuestruan apo konfiskuan 65.5 milionë euro asete kriminale.

E gjithë kjo pasuri rikthehet në buxhetin e shtetit dhe vihet në shërbim direkt të qytetarit, duke financuar shërbime sociale apo programe të dedikuara për rritjen e sigurisë në komunitet.
Kemi bërë patjetër progres të jashtëzakonshëm krahasuar me kohën kur një vit mbyllej me jo më shumë se vetëm disa milionë euro pasuri të sekuestruara.

Sa i përket rendit dhe sigurisë publike, gjatë muajve janar-shtator 2025, pra 9-mujori i parë i këtij viti, norma e zbulimit të veprave penale është mbi 95% dhe kjo nuk është një shifër e vogël. Numri i vrasjeve me dashje, siç e theksova edhe më parë, është në minimumet e tij, është reduktuar nga një mesatare prej dy vrasjeve në javë, me të cilën e gjetëm Shqipërinë, në një mesatare prej një vrasje në dy javë. Është përsëri shumë, por 4-fish më pak se një dekadë më parë.

Shpërbërja e grupeve kriminale, si dhe lufta pa kompromis ndaj krimit të organizuar, është një ndër arsyet kryesore pse niveli i veprave të rënda penale në vend është reduktuar.

Në kuadër të kultivimit të lëndëve narkotike, është rritur forcimi i kontrollit të territorit për 9 muajt e parë të këtij viti. Në total, janë identifikuar dhe asgjësuar nga strukturat e Policisë së Shtetit gjithsej 195 mijë bimë narkotike, janë zbuluar 103 raste, 178 shtetas të implikuar, nga të cilët 96 persona janë arrestuar.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024, për këtë periudhë të vitit 2025 është rritur me 4.5% niveli i zbulueshmërisë. Gjithashtu, janë identifikuar 1,284 vende kultivimi dhe për herë të parë, në bashkëpunim edhe me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, në luftën kundër narkotikëve, kemi përdorur edhe kapacitetet më të avancuara të ushtarakëve, siç janë dronët “Bajraktar”, me qëllim kryerjen e monitorimit ajror të territorit.

Gjithashtu, në një bashkëpunim më afatgjatë me Guardia di Finanza, sigurisht edhe në këtë drejtim bashkëpunimi është fuqizuar më tej në shumë misione monitorimi nga ajri dhe në shumë koordinata të dyshuara.

Sa i përket armëve të zjarrit, vetëm pak ditë më parë, po është e vërtetë ajo që thatë ju, zoti Balliu, Policia e Shtetit zbuloi një arsenal të vërtetë luftarak të gjeneratës së fundit dhe vendosi në pranga përgjegjësit. Ky është rasti më i fundit në një vit, në të cilin goditja e fenomenit të armëmbajtjes pa leje ka arritur në një nivel rekord. Vetëm gjatë periudhës së raportuar, strukturat e Policisë së Shtetit, pra gjatë 9-mujorit të parë të vitit 2025, kanë zhvilluar më shumë se 1,000 aksione për zbulimin e armëve të zjarrit.

Deri në fund të këtij viti, do të jetë, jam e sigurt, një nga vitet më të suksesshme sa i përket goditjes së fenomenit dhe numrit të aksioneve të zhvilluara me qëllim për të goditur pikërisht këtë lloj fenomeni.

Do doja të përmendja edhe këtu sigurinë e sezonit turistik 2025, sepse është shumë e rëndësishme ta themi. Policia e Shtetit ka përballuar me sukses edhe detyrimet për një sezon turistik të sigurt, në të cilin nuk patëm asnjë ngjarje të rëndë kriminale.

Policia e Shtetit ka qenë e angazhuar maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në çdo skaj të Shqipërisë, nga zonat malore, bregdetare dhe destinacionet turistike të vendit. Në zonat e plazheve u angazhuan patrulla për të rritur prezencën policore, për t’i ardhur në ndihmë pushuesve.

Në total, mbi 1,700 efektivë u angazhuan për të garantuar sigurinë e plotë. Gjithashtu, u
ngritën 6 shtatë stacione policore provizore në Valbonë, në Talë, në Gjirin e Lalzit, në Palasë, në Ksamil dhe në Kalanë e Komanit, për të ofruar shërbim më të shpejtë dhe më pranë turistëve.

Për të kaluar tek siguria rrugore, nga muaji janar deri në muajin shtator 2025, edhe në këtë pikë ka një trend ulës, prej 17 % të aksidenteve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Pra, gjatë vitit 2024 shënonim një nivel të 155 jetëve të humbura, ndërkohë që aktualisht kemi 17 % më pak reduktim.

Është një shifër që flet qartë, duke llogaritur se në krahasim me vitin 2013, nëse do donim të bënim një bilanc, ishin mbi 300 persona që humbnin jetën në aksidente rrugore, dhe të kesh parasysh që në vitin 2013 kishim rreth 450 mijë automjete në qarkullim, ndërkohë që aktualisht kemi mbi 1 milionë automjete në qarkullim. Pra, kemi një reduktim me 4 herë më pak të aksidenteve rrugore në raport me numrin e automjeteve që qarkullojnë.
Sigurisht, edhe monopatinat janë një burim aksidenti shumë i madh. Referuar shifrave të Policisë së Shtetit, janë mbi 1 mijë aksidente të ndodhura nga fillimi i këtij viti.

Në fakt, dhe po t’i referohesh të dhënave, jo në të gjitha rastet Policia e Shtetit njoftohet për këto aksidente. Vetëm kur është njoftuar Policia, janë 1 mijë raste, nuk janë pak. Patjetër, që monopatinat janë një rrezikshmëri e madhe për të gjithë qytetarët, kështu që patjetër ne ndërhymë edhe në këtë pikë, duke i pezulluar përkohësisht dhe duke na dhënë mundësinë që ne ndërkohë të ndërtojmë një bazë ligjore ku të qartësohet dhe të standardizohet mënyra se si këto mjete motorike duhet të lëvizin dhe të qarkullojnë, duke patur parasysh edhe të gjitha standardet e sigurisë që do duhet të respektohen.

Sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar, ka qenë kyç në luftën kundër krimit ndërkombëtar.

Gjatë 9-mujorit të parë të vitit 2025, janë zhvilluar 479 operacione policore, gati dyfish më shumë se në 2024. Përfshirë 97 operacione me partnerët ndërkombëtarë, gjithashtu edhe këtu do duhet të them që strukturat e Policisë së Shtetit ndjekin 22 skuadra të përbashkëta hetimore me vende të ndryshme për narkotikët, krimin ekonomik financiar dhe krimin kibernetik.

Gjithashtu numri i personave të kapur me rrezikshmëri të lartë shoqërore, dhe në kërkim ndërkombëtar është rritur ndjeshëm. Në luftën kundër trafikimit veçanërisht të drogës janë rritur njësitë e përbashkëta hetimore dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë si Guardia di Finanza, Europol, Interpol, Impact dhe Eurojust.

Shqipëria është vendi i parë, jo anëtar i BE, dhe këtë duhet ta theksojmë që ka vendosur njësi FRONTEX në territorin e saj duke bërë të mundur dhe rritjen e identifikimit të emigrantëve të parregullt nga 40% në 90-95%.

Sa i përket menaxhimit të integruar të kufirit gjatë 9-mujorit të parë të vitit 2025 janë forcuar masat edhe për kontrollin kufitar dhe parandalimin e veprimtarisë së paligjshme.

Janë evidentuar 1,051 vepra penale me 25 % krahasuar me vitin 2024 si rezultat i bashkëpunimit dhe intensifikimit të kontrolleve dhe bashkëpunimit operacional.

Rritje të ndjeshme ka shënuar në disa pika të tilla si falsifikimi i dokumenteve, trafikim i mjeteve motorike, kalimi i paligjshëm i kufirit, kontrabandë mallrash, dhënie ndihme për kalim të paligjshëm.
Sigurisht që një arritje tjetër është që janë trajtuar 1,509 raste imigracioni të parregullt duke shënuar një rritje prej 20 % ose 301 shtetas më shumë se në vitin e kaluar, duke treguar gjithashtu një punë të jashtëzakonshme edhe në këtë drejtim.

Të gjitha janë pika kyçe, me shifra dhe me fakte e me forcë argumenti për të thënë që: Po, Shqipëria është një vend i sigurt dhe një vend ku siguria publike është në rritje të vazhdueshme.

Patjetër që ka sfida por për këto sfida kemi një punë të jashtëzakonshme përpara së bashku me Policinë e Shtetit, së bashku me strukturat përkatëse, për të rritur akoma më tej nivelin e sigurisë publike.

Dhe patjetër në këtë drejtim, edhe buxheti i vitit 2026 do na mbështesë edhe ne, e ndoshta do të kemi mundësinë ta sqarojmë pak më vonë se çfarë oportunitetesh jep buxheti 2026 pikërisht për të forcuar punë e përbashkët dhe për të përmirësuar kapacitetet e agjencive tona ligjzbatuese me qëllim forcimin e mëtejshëm të sigurisë publike.
Faleminderit.