Ministry of Internal Affairs

Sarajevë – Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Silva Caka mori pjesë në Forumin Ministror, dy ditor, BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme, zhvilluar në Bosnjë Hercegovinë.

Në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Caka nënshkroi rinovimin e Planit të ri të Përbashkët të Veprimit për Kundër Terrorizmin dhe Ekstremizmin e Dhunshëm, midis Komisionit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Plani i ri riafirmon angazhimin e përbashkët të vendeve të rajonit për të forcuar bashkëpunimin dhe për të ndërmarrë hapa të koordinuar në përballimin e sfidave të sigurisë.

Shqipëria u vlerësua nga partnerët ndërkombëtarë si një praktikë e suksesshme dhe model për t’u ndjekur në fushën e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm. Ky angazhim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të përpjekjeve rajonale për parandalimin dhe kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftën kundër terrorizmit, në kuadër të përshpejtimit të procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Zëvendësministrja Caka theksoi se kjo qasje është në përputhje me vizionin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për parandalimin si investim strategjik në sigurinë kombëtare dhe globale, si dhe me prioritetet e përbashkëta me Komisionin Evropian.