Ministry of Internal Affairs

Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, në Ministrinë e Brendshme publikoi ekstraktin e 3-të të listave zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025, në përputhje me përcaktimet ligjore dhe standardet e Kodit Zgjedhor. Ekstrakti i parë i përbërësve zgjedhorë u publikua në 4 janar.

Sipas të dhënave, të drejtën e votës e gëzojnë 3,716,151 shtetas. Ndër ta, 3,525,101 shtetas janë në listat brenda vendit dhe 175,648 janë në listat jashtë vendit.

Deri në këtë moment, të papërfshirë në listë janë 4,458 shtetas, të cilët janë mbi 100 vjeç, që mbushin apo kanë mbushur këtë moshë, deri në 11 maj 2025. Për të siguruar të drejtën e votës, këta qytetarë duhet të paraqiten pranë zyrave të Gjendjes Civile, për t’u përfshirë në listën e zgjedhësve.

Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit është 5,198.

Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë kanë miratuar një akt të përbashkët, për pastrimin e listave nga shtetasit që ligji “Për dekriminalizimin” i përjashton nga e drejta e votës, si dhe hapjen e qendrave të votimit në institucionet e vuajtjes së dënimit. Aktualisht numri i shtetasve të papërfshirë për efekt të këtij ligji, është 696.

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori:

– Zgjedhësit që jetojnë brenda vendit;
– Për zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit, kjo listë paraprake do të jetë publike në 9 mars 2025 dhe çdo shtetas do të ketë në dispozicion 48 orë për të shprehur vullnetin përfundimisht nëse duan të votojnë brenda apo jashtë Shqipërisë.

Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe kompania shtetërore e prodhimit të dokumenteve të identitetit “IdentiTek” janë plotësisht të angazhuara për të respektuar të gjitha standardet dhe detyrimet ligjore në përgatitjen e këtij procesi të rëndësishëm.

Kërkimi i qendrës së votimit (QV)