Ministry of Internal Affairs

VIDEO – Në Bazën Ajrore të Farkës u zhvillua aktiviteti kombëtar për rritjen e gatishmërisë për përballimin e sezonit të zjarreve, në prani të Kryeministrit Edi Rama, ministrit të Punëve të Brendshme Besfort Lamallari, ministrit të Mbrojtjes, ministrit të Pushtetit Vendor, prefektëve, kryetarëve të bashkive, drejtuesve të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, forcave zjarrfikëse, Forcave të Armatosura dhe strukturave të tjera të angazhuara në menaxhimin e emergjencave civile.

Aktiviteti u zhvillua në një moment kur vendi pritet të përballet me temperatura të larta dhe rritje të riskut për zjarre, ndërsa u prezantuan masat e marra për forcimin e kapaciteteve operacionale dhe koordinimin ndërinstitucional për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.

Gjatë aktivitetit u bë e ditur se flotës aktuale të mjeteve ajrore do t’i shtohen së shpejti edhe tre avionë zjarrfikës, pronë e shtetit shqiptar, të cilët, së bashku me flotën e helikopterëve, do të rrisin ndjeshëm kapacitetet e vendit për ndërhyrje të shpejtë dhe efektive në rastet e zjarreve masive.

Në fjalën e tij, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, theksoi se zjarret përbëjnë një nga sfidat më serioze të sigurisë publike, duke kujtuar situatën e rëndë me të cilën po përballet Franca dhe duke nënvizuar se asnjë shtet, pavarësisht nivelit të zhvillimit, nuk është i paprekshëm nga emergjencat e shkaktuara nga zjarret.

“Çdo verë është një sprovë e re edhe për ne këtu në Shqipëri, dhe puna e përbashkët nuk matet vetëm me numrin e zjarreve që shuajmë, por mbi të gjitha me ato që arrijmë të parandalojmë. Zjarri nuk pyet për kufij administrativë, nuk njeh orar dhe nuk fal neglizhencën tonë. Përkundrazi, kërcënon jetën, pronën, ekonomin, mjedisin dhe të ardhmen e komuniteteve tona. Prandaj, përgatitja për sezonin e zjarreve nuk është një ushtrim rutinë dhe as përmbushja e një detyre funksionale”, u shpreh Lamallari.

Ministri theksoi se Qeveria Shqiptare ka ndërtuar një qasje të bazuar te parandalimi dhe jo vetëm te reagimi, duke hartuar planet operacionale në të 61 bashkitë, forcuar sistemin e monitorimit dhe vrojtimit, kryer mijëra inspektime teknike, organizuar fushata ndërgjegjësimi dhe intensifikuar bashkëpunimin me Policinë e Shtetit për goditjen e çdo rasti të zjarrvënies së qëllimshme. Ai nënvizoi se ndryshimet në Kodin Penal kanë ashpërsuar ndëshkimet për zjarrvënien, deri në 15 vite burg, duke theksuar se çdo akt i tillë përbën një kërcënim jo vetëm për natyrën, por edhe për sigurinë kombëtare.

“Mbrojtja e Shqipërisë nga zjarret fillon me përgjegjësinë e gjithsecilit prej nesh dhe emergjenca më e mirë është ajo që nuk ndodh kurrë. Prandaj, kemi forcuar gatishmërinë operacionale në të gjithë strukturën tonë. Kemi garantuar funksionalitetin e mjeteve, rezervat logjistike, pajisjet e ndërhyrjes, komunikimin në terren dhe dislokimin e forcave në zonat me risk më të lartë. Në bashkëpunim me prefektët, bashkitë, Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile kemi ndërtuar një mekanizëm shumë më efikas reagimi sesa vitet e shkuara”, tha ministri.

Duke folur për investimet në këtë sektor, ministri Lamallari bëri të ditur se është planifikuar investimi më i madh i viteve të fundit për modernizimin e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, me financimin e 130 mjeteve të reja zjarrfikëse nga buxheti i shtetit, si dhe ndërtimin e katër stacioneve të reja zjarrfikëse në Prrenjas, Mat, Patos dhe Mirditë.

Ai theksoi gjithashtu se me Aktin Normativ të Buxhetit të Shtetit për vitin 2026 janë shtuar 227.7 milionë lekë për këtë shërbim, duke garantuar një trajtim financiar më të mirë për efektivët që punojnë në kushte të vështira, me orë shtesë, gjatë natës dhe në ditët e pushimit.

Ministri vlerësoi edhe zhvillimin e programit të vullnetarizmit në mbrojtjen nga zjarri, duke bërë të ditur se 100 vullnetarët e parë, punonjës të shoqërisë aksionare “Illyrian Guard”, tashmë janë certifikuar dhe do të jenë në dispozicion të strukturave të emergjencave civile pas përfundimit të trajnimit.

Në përfundim të fjalës së tij, ministri Lamallari u shpreh se Shqipëria është sot më e përgatitur se më parë për t’u përballur me sezonin e zjarreve, falë investimeve në teknologji, logjistikë, burime njerëzore dhe koordinim ndërinstitucional, ndërsa u bëri thirrje institucioneve, pushtetit vendor, bizneseve dhe qytetarëve të kontribuojnë me përgjegjësi në parandalimin e zjarreve.

“Shqipëria është më e përgatitur se dje dhe plotësisht e gatshme për sfidat që na paraqet ky sezon. Së bashku do ta përballojmë këtë sfidë me profesionalizëm, disiplinë dhe bashkëpunim”, përfundoi ministri Lamallari.

Fjala e ministrit Besfort Lamallari:

I nderuar Kryeministër,

Të nderuar kolegë ministra,

Të nderuar partnerë dhe të ftuar,

Rreth tre orë larg nga këtu ku jemi mbledhur sot, po zhvillohet prej ditësh, një nga betejat më të vështira me zjarret masive në kontinentin tonë. Evropa, po ndjek me shqetësim përpjekjet e Francës përballë një situate që ka vënë në sprovë kapacitetet një prej shteteve më të forta dhe të zhvilluara të Evropës. Është një nga ato emergjenca, që dëshmon se s’ka shtet sado i zhvilluar, që të mos sfidohet nga zjarri dhe nuk ka institucion që mund t’i përballojë ato i vetëm dhe pa përgatitjen e duhur. Çdo verë është një sprovë e re edhe për ne këtu në Shqipëri, dhe puna e përbashkët nuk matet vetëm me numrin e zjarreve që shuajmë, por mbi të gjitha me ato që arrijmë të parandalojmë. Zjarri nuk pyet për kufij administrativë, nuk njeh orar dhe nuk fal neglizhencën tonë. Përkundrazi, kërcënon jetën, pronën, ekonomin, mjedisin dhe të ardhmen e komuniteteve tona. Prandaj, përgatitja për sezonin e zjarreve nuk është një ushtrim rutinë dhe as përmbushja e një detyre funksionale. Është shumë më shumë se kaq. Është një detyrim kombëtar dhe një provë e aftësisë së shtetit, për të mbrojtur qytetarët.

Qeveria shqiptare dhe Ministria e Punëve të Brendshme e kanë trajtuar vijimësisht këtë sfidë me përgjegjësinë që kërkohet, duke mos pritur që emergjenca të ndodhë, për të reaguar. Prioriteti ynë ka qenë dhe mbetet të ndërtojmë kapacitete përpara emergjencës. Në funksion të kësaj, gjatë muajve të fundit janë marrë masa konkrete në gjithë territorin e vendit, duke hartuar planet operacionale në të 61 bashkitë. Janë kryer mijëra inspektime teknike, forcuar sistemi i vrojtimit dhe i monitorimit. Janë organizuar takime ndërgjegjësuese me komunitetet dhe përdoruesit e Fondit Pyjor. Është rritur koordinimi me policinë e shtetit për të goditur menjëherë çdo rast zjarrvënieje të qëllimshme. Nga ana tjetër, ndëshkimi në Kodin Penal për zjarrvënien, është ashpërsuar deri në 15 vite burgim, në varësi të pasojave dhe rrethanave të veprës. Kush i vë zjarrin pyjeve, kullotave apo rrezikon jetën e qytetarëve, nuk sulmon vetëm natyrën, sulmon sigurinë kombëtare dhe do të përballet me forcën e ligjit. Mbrojtja e Shqipërisë nga zjarret fillon me përgjegjësinë e gjithsecilit prej nesh dhe emergjenca më e mirë është ajo që nuk ndodh kurrë. Prandaj, kemi forcuar gatishmërinë operacionale në të gjithë strukturën tonë. Kemi garantuar funksionalitetin e mjeteve, rezervat logjistike, pajisjet e ndërhyrjes, komunikimin në terren dhe dislokimin e forcave në zonat me risk më të lartë. Në bashkëpunim me prefektët, bashkitë, Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile kemi ndërtuar një mekanizëm shumë më efikas reagimi sesa vitet e shkuara.

Të nderuar,

ne e dimë shumë mirë se për përballjen me ndryshimet klimatike, nuk mjafton vetëm gatishmëria. Duhet modernizim, teknologji dhe investime të vazhdueshme. Fakt është që ne kemi kërkuar dhe kemi rritur financimin vit pas viti për Shërbimin Zjarrfikës, kemi rritur pagat efektive, kemi zgjeruar kapacitetet operacionale dhe kemi planifikuar investimin më të madh të viteve të fundit për rinovimin e flotës së zjarrfikësve, plot 130 mjete të reja zjarrfikëse të cilat do të financohen nga buxheti i shtetit. Si dhe kemi ndërtuar dhe mundësuar ndërtimin e katër stacioneve të reja zjarrfikëse, në Prrenjas, Mat, Patos dhe Mirditë.

Aktin Normativ të Buxhetit të Shtetit për vitin 2026, kemi shtuar edhe 227.7 milionë lekë për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit, duke garantuar një trajtim financiar më dinjitoz për efektivët që punojnë me orë shtesë, gjatë natës, në ditët e pushimit, si edhe në festat zyrtare. Nuk është thjesht një rritje fondesh, është një akt mbështetjeje për punën dhe shërbimin që bëjnë zjarrfikësit, të cilët janë në vijën e rrezikut. Kudo që të tjerët mundohen të shpëtojnë e të largohen, zjarrfikësit janë aty të parët për t’u përballur me situata emergjence, ashtu siç po shohim ditë pas dite në çdo territor të vendit.

Çdo automjet i ri, çdo pajisje moderne dhe çdo efektiv më i trajnuar do të thotë shumë më tepër jetë të shpëtuara dhe më pak pasuri të shkatërruara. Paratë e shpenzuara në infrastrukturën e mbrojtjes nga zjarri janë, në fakt, një investim për sigurinë kombëtare. Pavarësisht investimeve në kapacitete dhe burime njerëzore, ka edhe një të vërtetë të madhe e të pakontestueshme. Lufta kundër zjarreve nuk fitohet vetëm nga zjarrfikësit. Gjithçka nis nga përgjegjësia e gjithsecilit, nga bashkitë, që duhet të zbatojnë me më shumë përpikmëri planin e masave, institucionet, që duhet të koordinojnë dhe bashkëpunojnë pa vonesa dhe burokraci, nga bizneset, që duhet të respektojnë standardet e sigurisë, dhe, mbi të gjitha, nga qytetarët dhe komunitetet lokale.

Vullnetarizmi në shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit nuk është më vetëm një koncept tërheqës i parashikuar në ligj. Vetëm javën e fundit u certifikuan 100 vullnetarët e parë, punonjës të shoqërisë aksionare të Ministrisë së Brendshme, “Illyrian Guard”, të cilët, pas përfundimit të trajnimit nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, do të jenë të gatshëm kudo ku të jetë nevoja.

Shumica e zjarreve, në fakt, nuk janë fatkeqësi natyrore, janë rezultat i neglizhencës apo edhe i papërgjegjshmërisë njerëzore. Madje, në shumë raste, për fat të keq, janë edhe rezultat i veprimtarisë kriminale. Në qendër të gjithë këtij sistemi janë njerëzit tanë, efektivët e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forcat e Armatosura dhe punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Ata janë njerëzit që ecin drejt flakëve. Nuk kërkojnë duartrokitje, por vetëm mbështetjen që meritojnë. E kanë pasur dhe do ta kenë vazhdimisht, nga kushte më të mira pune, pajisje, logjistikë dhe paga që shpërblejnë sakrificën e tyre të jashtëzakonshme.

Sot mund të themi me bindje se Shqipëria është më e përgatitur se dje dhe plotësisht e gatshme për sfidat që na paraqet ky sezon dhe çdo vit që vjen më pas. Së bashku do ta përballojmë këtë sezon sfidues me profesionalizëm, disiplinë dhe bashkëpunim. Faleminderit për kurajën dhe shërbimin tuaj!