Ministry of Internal Affairs

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu prezantoi sot Administratorin e ri të shoqërisë “Illyrian Guard”, Florenc Spahon, i cili pason në këtë detyrë, Enrik Banushin.

“Shënojmë hapjen e një kapitulli të ri për këtë kompani sigurie”, u shpreh ministrja Koçiu.

Gjatë prezantimit, Ministrja theksoi se ndryshimi në lidership nuk përfaqëson vetëm një emërim të ri, por mbi të gjitha një vizion të qartë për transformimin e “Illyrian Guard” në një model shërbimi me standarde të larta profesionale dhe cilësi të qëndrueshme.

“Qëllimi ynë është i qartë, ta kthejmë “Illyrian Guard” në një kompani moderne, efektive dhe referencë në sektorin e sigurisë, një partner të besueshëm për institucionet publike dhe private që kërkojnë shërbime sigurie profesionale me standarde të larta,” u shpreh Ministrja.

Ajo nënvizoi se fokusi do të jetë te forcimi i kapaciteteve menaxheriale, rritja e profesionalizmit të personelit dhe garantimi i shërbimeve të sigurta, transparente dhe në përputhje me kërkesat bashkëkohore të tregut të sigurisë.