Ministry of Interior

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, nga Tirana nisën prezantimin e 12 drejtorëve vendorë.

“Emërimi i Elton Alushit përfaqëson jo vetëm një hap përpara në konsolidimin e strukturave të sigurisë, por edhe një angazhim të ri për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve të kryeqytetit, ku sfidat janë të shumta dhe dinamike, nën vizionin “Shqipëria 2030”, nënvizoi ministri Hoxha.

Ai tha më tej se Tirana, si zemra administrative, ekonomike dhe sociale e vendit, kërkon një Polici, që jo vetëm të jetë vigjilente dhe efektive në parandalimin dhe luftën ndaj krimit, por edhe një polici që të jetë e afërt me komunitetin, duke ndërtuar ura besimi e bashkëpunimi.

Hoxha kërkoi zbardhjen e shpejtë të ngjarjeve kriminale, si dhe rihapjen e hetimeve për ngjarje të vjetra, të cilat janë shkak për zinxhir pasojash, nëse mbeten pa u ndëshkuar.

Durrës u prezantua Drejtor Vilson Bala.

“Ky qytet ka rëndësi strategjike për shkak të pozicionit, si një portë hyrëse për Shqipërinë.
Kjo e bën atë të përballet me sfida komplekse në fushën e sigurisë publike dhe luftën kundër kriminalitetit. Për këtë arsye, drejtimi i strukturave policore në këtë zonë kërkon një vizion të qartë, strategji dhe përkushtim maksimal për zbatimin e ligjit me paanshmëri dhe profesionalizëm”, u shpreh ministri në takim me strukturat drejtuese të DVP Durrës.

Vilson Bala vjen në këtë detyrë pas një karrierë të gjatë brenda Policisë. Ai u rendit i pari me pikë, në konkurrim. Hoxha shtoi se Durrësi, si një qendër ekonomike, turistike dhe tranzit, kërkon një qasje të mirëkoordinuar për të siguruar një mjedis të sigurt për banorët dhe vizitorët.

“Struktura e re drejtuese do të punojë ngushtë me agjencitë ligjzbatuese për të luftuar çdo formë të krimit të organizuar, trafiqeve dhe evazionit. Siguria nuk është vetëm një përgjegjësi e policisë, por një detyrë e përbashkët e gjithë shoqërisë”, tha ministri i Brendshëm.

4 drejtorë të rinj të Policisë në Fier, Vlorë, Gjirokastër dhe Berat morën detyrën. Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ilir Proda i prezantuan ata, në takime me struktura policore, autoritete vendore, drejtues të prokurorive apo agjencive ligjzbatuese.

Gjirokastër Altin Merizaj, zuri vendin e Ardian Çipës, që drejtoi qarkun jugor së fundmi.

“Gjirokastra, e njohur për trashëgiminë e saj të pasur kulturore dhe si pjesë e mbrojtjes nga UNESCO, nuk është thjesht një qytet i historisë, por një nyje kyçe për turizmin dhe zhvillimin ekonomik të jugut të Shqipërisë. Megjithatë, ky rajon përballet edhe me sfida të veçanta që kërkojnë një polici të aftë dhe të përkushtuar për të garantuar një mjedis të sigurt për qytetarët dhe vizitorët, si dhe për të mbrojtur pronën, jetën dhe zhvillimin e ligjshëm ekonomik”, tha ministri.

Një ndër sfidat kryesore në këtë zonë mbetet zbardhja tërësore e disa ngjarjeve të rënda, përfshirë atë në Memaliaj.

Në DVP Vlorë u prezantua Elidon Çela.

“2024 ishte një tjetër vit turistik i përmbyllur një tjetër me zero ngjarje kriminale, e këtu merita është e Drejtor Ermal Muçës, si dhe atyre qindra burrave e grave me uniformë që kanë sakrifikuar dhe janë lodhur me orë të gjata në detyrë. Por ajo që kërkojmë është një ritëm i ri. Të gjithë jemi të bindur se nuk ka zhvillim, pa siguri”, apeloi Hoxha.

Investimet e mëdha të qeverisë në infrastrukturën rrugore, me aeroportin ndërkombëtar, me Tunelin e Llogarasë, etj., sipas tij, e bëjnë këtë zonë të meritojë një angazhim maksimal në ruajtjen e sigurisë dhe mirëqenies.

Në DVP Fier u përzgjodh Drejtor, Skënder Hita.

“Kërkoj në mënyrë imediate fokusimin në forcimin e bashkëpunimit me komunitetin lokal, institucionet vendore, agjencitë ligjzbatuese si dhe bizneset, drejtoritë rajonale, për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët”, theksoi Ministri i Brendshëm.

Berat u përzgjodh Drejtor Luigj Vathin, deri dje nëndrejtor në Tiranë.

“Siguria publike dhe lufta kundër krimit, në veçanti krimit ekonomik dhe informalitetit, do të jenë prioritete të Policisë së Beratit e jo vetëm, i cili është në parametra normalë të sigurisë. Roli i Policisë në këtë qark është i shumëfishtë: Të garantojë siguri për qytetarët dhe vizitorët, të mbështesë rritjen ekonomike, por edhe të ruajë trashëgiminë e vyer që ky qytet përfaqëson të paprekur nga dëshira që ngrihen vetëm mbi përfitimin personal”, u shpreh ministri Hoxha.

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha vlerësoi si shumë të frytshëm bashkëpunimin mes Policisë së Elbasanit, Prokurorisë së Rrethit, Bashkisë, autoriteteve vendore dhe agjencive ligjzbatuese, të cilin nënvizoi se do të donte ta shihte të tillë në çdo qark.

“Pata mundësinë t’i falënderoj drejtuesit e këtyre institucioneve së bashku me ish-drejtorin e DVP Elbasan, sot Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, teksa prezantuam Drejtorin e ri të qarkut, Fatmir Hoxhën. Elbasani, si një nga qendrat kryesore historike, kulturore e ekonomike të Shqipërisë, përballet me sfida që kërkojnë një qasje të fortë dhe të balancuar, mes zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimit me komunitetin”, u shpreh ministri.

Më tej ai theksoi se lufta kundër krimit dhe ndërtimi i një mjedisi të sigurt për të gjithë, do të jenë shtylla kryesore të punës së trupës me uniformë. Ai kërkoi gjatë takimit që në fokus të vijojë të jetë çmontimi i aktiviteteve të grupeve kriminale dhe forcimi i sundimit të ligjit.

Më pas në Korçë, në një takim me strukturat lokale të Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, u prezantua Erion Ahmeti, si Drejtori i ri Vendor.

Korça është ndër destinacionet më të preferuara turistike. Ajo tejmbushet për festat e fundvitit. Për këtë, ministri apeloi ndaj strukturave të varësisë për rritjen e sigurisë publike dhe rrugore në atraksionet turistike dhe eventet kulturore mbetet prioritet.

“Si një rajon kufitar dhe ekonomikisht i rëndësishëm, Korça padyshim që përballet me sfida të krimit të organizuar, trafikimit dhe informalitetit, e në këtë aspekt kërkoj punë edhe më të madhe, për të luftuar këto fenomene dhe për të forcuar sundimin e ligjit”, u shpreh Hoxha.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, kërkoi nga drejtori i ri i Policisë së Shkodrës, Fatmir Lleshaj, goditjen e fortë të grupeve kriminale, që janë kërcënim për sigurinë e qetësinë e qytetarëve.

Gjatë prezantimit të drejtorit Lleshaj, ministri Hoxha theksoi se, ngjarjet e fundit kanë treguar që është urgjente nevoja për të forcuar operacionet dhe për të krijuar një mjedis, ku krimi nuk gjen hapësirë për të vepruar.

“Sfida mbetet dhe është e qartë: Grupet kriminale. Z. Lleshaj, i cili rikthehet në Shkodër, tashmë në një rol drejtues, ka detyrën dhe përgjegjësinë për të intensifikuar përpjekjet në këtë drejtim, për të punuar ngushtë me të gjitha strukturat dhe për të forcuar bashkëpunimin me komunitetin”, tha Ministri i Brendshëm.

Ndërsa falënderoi ish-drejtorin Edmond Sulaj për kontributin e vyer dhe rezultatet e rëndësishme, ministri Hoxha kërkoi nga drejtuesi i ri i Policisë së Shkodrës rritjen e forcës goditëse ndaj paligjshmërisë në tërësi, krimit të organizuar në veçanti, si dhe zbardhjen e ngjarjeve kriminale, me fokus të veçantë parandalimin e tyre, duke vlerësuar me prioritet çdo informacion ose të dhënë që vjen nga inteligjenca apo qytetarët.

Drejtori i ri i qarkut Lezhë, Altin Mena, gjatë ushtrimit të detyrave, ka qenë pjesë aktive e sukseseve të arritura së bashku me Drejtorin në detyrë Alfred Elezin, të cilin ministri e falënderoi për punën e bërë. Por Hoxha theksoi nevojën për një ritëm të ri.

“Lezha si një qark me rëndësi për shkak të potencialit turistik dhe zhvillimeve ekonomike, ka mjaft sfida që duhen adresuar, prandaj kërkohet një temp i ri pune dhe arritje të qëndrueshme”, tha Ministri.

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha kërkoi më shumë angazhim dhe ushtrim të përgjegjësive për të krijuar mjedise të sigurta në shkolla, rrugë, lagje e kudo. Në Kukës u prezantua Drejtori i ri vendor i Policisë, Gentian Berberi, që pason Artan Bajraktarin.

“Qarku i Kukësit është shndërruar në një shembull pozitiv të kontrollit të territorit. Por përballë sfidave të kohës, detyra nuk përfundon këtu. Përgjegjësia jonë është të krijojmë mjedise të sigurta në shkolla, rrugë, lagje e kudo”, deklaroi gjatë takimit ministri Hoxha, ku ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ilir Proda dhe autoritete vendore.

Në përmbyllje, në Dibër u prezantua drejtori i ri të Policisë, Artion Duka. Ky qark kufitar zotëron një potencial të madh në aspektin njerëzor dhe mundësi konkrete për zhvillim ekonomik. Rruga e re e Arbrit, si një investim strategjik jo vetëm që ndikon në zhvillimin ekonomik e turistik, por rrit gjithashtu përgjegjësitë, tha Hoxha, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe vizitorëve.

“Një rajon si Dibra, me peizazhe mahnitëse dhe tradita të pasura, mund të bëhet një destinacion i padiskutueshëm për turistët vendas dhe të huaj, nëse bashkojmë forcat për të ruajtur qetësinë dhe për të promovuar mundësitë që ky rajon ofron”, theksoi ministri.