Ministry of Internal Affairs

Ministri i ri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari u betua sot para Presidentit të Republikës, duke marrë zyrtarisht detyrën në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Pas ceremonisë së betimit, ministri pohoi se e merr këtë detyrë me përgjegjësi të lartë, me përulësi dhe me vendosmërinë për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve me integritet, profesionalizëm dhe përkushtim të plotë.

Lamallari theksoi se një nga prioritetet kryesore do të jetë rritja e standardeve të sigurisë në vend, në përputhje me standardet e vendeve të Bashkimit Europian, duke përshpejtuar procesin e përafrimit të institucioneve shqiptare me praktikat dhe standardet më të mira europiane.

Ministri shprehu gjithashtu mirënjohjen për besimin e dhënë nga Kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste, duke theksuar se përgjegjësia tashmë është që puna të reflektohet në vendimmarrje të forta dhe rezultate konkrete.

“Detyra jonë është të veprojmë me vendosmëri, të jemi në lartësinë e nevojave dhe pritshmërive të qytetarëve dhe të qëndrojmë përballë kujtdo që shkel ligjin”, u shpreh ai.