Ministry of Internal Affairs

Akademia e Sigurisë – Duke synuar rritjen e kapaciteteve të shërbimit zjarrfikës nisi sot trajnimi “Kurs për Gradën Zjarrfikës”, i cili zhvillohet në periudhën 11–22 Maj. Në të marrin pjesë efektivë të strukturave vendore të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit nga bashkitë Tiranë, Kamëz, Vorë, Dropull, Rrogozhinë, Pustec, Këlcyrë, Memaliaj, Tropojë, Durrës, Cërrik dhe Dimal.

Kursi synon forcimin e njohurive teorike dhe aftësive praktike të personelit zjarrfikës, me qëllim rritjen e eficiencës në përballimin e emergjencave, mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pronës dhe mjedisit. Në prag të sezonit veror, përgatitja profesionale dhe rritja e standardeve operacionale të strukturave zjarrfikëse mbeten një prioritet i rëndësishëm për garantimin e sigurisë publike dhe reagimin në kohë ndaj situatave emergjente. Fitimi i gradës “Zjarrfikës” ndikon gjithashtu në përmirësimin e trajtimit financiar të efektivëve pjesëmarrës.

Në ceremoninë hapëse të kursit morën pjesë zv.ministri i Punëve të Brendshme, Xhemal Qefalia, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i MZSH-së, Arben Cara.