Ministry of Interior

Tiranë – Shkurtohet ndjeshëm koha dhe procedurat e aplikimit për pajisjen me dokumenta biometrike për të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe Administratorja e Përgjithshme e kompanisë “IdentiTek”, Freskida Halilaj nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me dokumente biometrikë, në Zyrat e Aplikimit të Përfaqësive të Republikës së Shqipërisë”. Përmes kësaj marrëveshje bashkëpunimi bëhet e mundur të përgjysmohet koha e aplikimit dhe marrjes së pasaportës për diasporën shqiptare. Thënë ndryshe, tani çdo qytetari shqiptar që jeton jashtë kufijve të vendit nuk do t’i duhet më 30 ditë për tu pajisur më pasaportë, por kjo kohë reduktohet me 15 ditë.

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha pas nënshkrimit të marrëveshjes e cilësoi si një standard të ri që po aplikohet në funksion të lehtësimit të procedurave për qytetarët shqiptarë.

“Kjo procedurë, e cila më përpara ka qenë në një kohë më të zgjatur për rreth 30 ditë tani do marrë 15 ditë kohë. Edhe njëherë i bëj apel të gjithë shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të aplikojnë sa më shpejt për kartat ID dhe t’i shohin bashkë me pasaportat për vlefshmërinë e afateve të skadimit”, nënvizoi ai.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani vlerësoi bashkëpunimin me Ministrin e Brendshme dhe IdentiTek për vëmendjen por edhe fleksibilitetin maksimal në mënyrë që këto afate të jenë gjithnjë më të pakta.

“Të gjithë ata që do të aplikojnë jashtë vendit, këtë shërbim do ta ndiejnë menjëherë dhe do të jenë të qartë dhe të sigurt se do t’i vazhdojmë përpjekjet tona për të realizuar sa më shumë angazhimin të cilin ne kemi marrë përsipër. Jemi gjithmonë në shërbim të shtetasve shqiptarë, në shërbim të qytetarëve tanë kudo ku janë”, tha ministri Hasani.

Sipas Administratores së “IdentiTek”, konsujt dhe përfaqësuesit e autorizuar do të kenë mundësinë të nënshkruajnë në mënyrë elektronike, format e aplikimit për të bërë të mundur prodhimin e këtyre dokumenteve në një kohë shumë më të shkurtër.

“Në vazhdimësi të nismave për të qenë më afër diasporës në prag të procesit zgjedhor, në bashkëpunim me MEPJ, jemi duke hartuar një kalendar për të vizituar shtetet ku kemi kërkesa të larta për aplikim për dokumente biometrikë. Grupet tona “mobile” do të punojnë me kapacitete të shtuara. Për sa u përket datave përkatëse ku ne do të vizitojmë vendet europiane apo SHBA, do t’i publikojmë në ditët që pasojnë”, nënvizoi ajo.

Prononcimet e plota – Video

Ministri Hoxha: Sot është një ditë e shënuar për të gjithë votuesit shqiptarë, të cilët do të aplikojnë për pasaportë dhe për kartë identiteti (ID) jashtë vendit.
Aktualisht neve kemi nënshkruar një marrëveshje midis IdentiTek, Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Ministrisë së Brendshme.
Kjo procedurë, e cila më përpara ka qenë në një kohë më të zgjatur për rreth 30 ditë ajo shkurton 15 ditë, këtë afat i cili do t’u krijojë lehtësira në aplikim të gjithë shtetasve shqiptarë që do të aplikojnë jashtë shtetit për kartë identiteti dhe pasaportë. Këtu hyjmë në një standard të ri, të gjithë teknologjisë, standard i cili ofron risi. Po aplikojmë këtë standard për herë të parëm, e do të kemi mundësi që në vazhdim bashkë me struktura të tjera GJC e IdentiTek do të organizojnë zgjedhjet e diaporës. Kërkoj edhe njëherë t’i bëj një apel të gjithë shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit të aplikojnë sa më shpejt për kartat ID dhe t’i shohin bashkë me pasaportat për vlefshmërinë e afateve të skadimit!

Ministri Hasani: Përgjysmojmë kohën e shërbimit, pritjen e gjithë qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit për të marrë dokumentet e vendit të tyre, për të marrë identifikimin e një marrëdhënieje që ata kanë me vendin e origjinës. Për këtë unë falënderoj Ministrin e Brendshëm dhe drejtuesen e IdentiTek, jo vetëm për vëmendjen por edhe fleksibilitetin maksimal në mënyrë që këto afate të jenë gjithnjë më të pakta. Nga 30 në 15 ditë dhe kam përshtypjen, që të gjithë ata që do të aplikojnë jashtë vendit, këtë shërbim do ta ndiejnë menjëherë dhe do të jenë të qartë dhe të sigurt se do t’i vazhdojmë përpjekjet tona për të realizuar sa më shumë angazhimin, të cilin ne kemi marrë përsipër. Jemi gjithmonë në shërbim të shtetasve shqiptarë, në shërbim të qytetarëve tanë kudo ku janë dhe përpjekja nuk mbaron.

Administratorja e Përgjithshme e IdentitTek, Halilaj: Kjo risi ka në thelb nënshkrimin elektronik, pra konsujt dhe përfaqësuesit e autorizuar do të kenë mundësinë të nënshkruajnë në mënyrë elektronike format e aplikimit për të bërë të mundur prodhimin e këtyre dokumenteve në një kohë shumë më të shkurtër, pra në një kohë të përgjysmuar duke lehtësuar në këtë mënyrë gjithë procedurat e aplikimit dhe duke rritur efektivitetin dhe efiçencën e operacioneve tona. Kjo risi ka në thelb një zhvillim teknik për të cilën ne kemi qenë shumë të fokusuar dhe të angazhuar dhe vjen në vazhdimësi të të gjitha përpjekjeve për të dixhitalizuar shërbimet që IdentiTek ofron. Në vazhdimësi të nismave për të qenë më afër diasporës në prag të procesit zgjedhor, në bashkëpunim me MEPJ, jemi duke hartuar një kalendar për të vizituar shtetet ku kemi kërkesa të larta për aplikim për dokumente biometrikë. Grupet tona ‘mobile’ do të punojnë me kapacitete të shtuara. Për sa u përket datave përkatëse ku ne do të vizitojmë vendet europiane apo SHBA, do t’i publikojmë në ditët që pasojnë.