Ministry of Internal Affairs

Austri –  Në kuadër të pjesëmarrjes në aktivitetin ndërkombëtar “Europa Forum Wachau”, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim dypalësh me homologun e tij austriak, Gerhard Karner. Gjatë takimit, bashkëbiseduesit diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Austrisë në fusha me interes të përbashkët, duke u fokusuar veçanërisht në:

– sigurinë publike,

– menaxhimin e kufijve,

– luftën kundër krimit të organizuar,

– koordinimin përballë sfidave të përbashkëta europiane.

Ministri Lamallari vlerësoi partneritetin me Austrinë si një element të rëndësishëm në rrugëtimin europian të Shqipërisë, si dhe në rritjen e standardeve të sigurisë për qytetarët.

Nga ana e tij, ai theksoi gjithashtu se Shqipëria vijon të jetë një destinacion i preferuar për turistët austriakë, si dhe një vend tërheqës për sipërmarrësit nga Austria, të cilët kanë investuar në sektorë të ndryshëm në vendin tonë. Takimi u zhvillua në kuadër të intensifikimit të dialogut ndërkombëtar dhe thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe europian në fushën e sigurisë.