Ministry of Internal Affairs

Tiranë – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari mori pjesë në Konferencën e Shoqatës së Grave në Policinë e Shtetit, një aktivitet që vuri në pah rolin dhe kontributin e grave dhe vajzave në Policinë e Shtetit, si pjesë e transformimit dhe modernizimit të institucionit.

Gjatë fjalës së tij, ministri theksoi se prania e mbi 1,800 grave dhe vajzave në uniformë përfaqëson jo vetëm një arritje numerike, por një tregues të rëndësishëm të ndryshimeve të thella shoqërore dhe kulturore që po ndodhin në Shqipëri.

“Ky nuk është thjesht një aktivitet institucional, por një moment domethënës për të dëshmuar kapërcimin e madh që është bërë në Policinë e Shtetit. Gratë dhe vajzat në polici janë prova se sot gjithnjë e më shumë vajza shqiptare besojnë tek vetja, tek aftësitë e tyre dhe tek mundësia për të marrë përgjegjësi në një nga profesionet më fisnike dhe më sfiduese”, u shpreh ministri.

Ai vlerësoi profesionalizmin, përkushtimin dhe sakrificat e grave në radhët e Policisë së Shtetit, duke nënvizuar se ato janë pjesë e institucionit falë meritës, përgatitjes dhe punës së tyre të palodhur.

Konferenca e Shoqatës së Grave në Policinë e Shtetit shërbeu gjithashtu si një hapësirë reflektimi dhe diskutimi mbi fuqizimin e rolit të grave në strukturat e sigurisë dhe në jetën publike të vendit.