Ministry of Internal Affairs

Tiranë – Migracioni dhe azili mbeten ndër sfidat më të rëndësishme që kërkojnë institucione të konsoliduara, politika bashkëkohore dhe një bashkëpunim të qëndrueshëm me partnerët ndërkombëtarë.

Në takimin e dytë të Komitetit Drejtues të projektit EU4Migration, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari vlerësoi mbështetjen e Bashkimit Europian, Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) dhe UNHCR për forcimin e kapaciteteve institucionale të Shqipërisë në menaxhimin e flukseve migratore dhe në përmirësimin e sistemit të azilit.

Gjatë takimit, u theksua angazhimi i Shqipërisë për ndërtimin e një sistemi modern, efikas dhe në përputhje me standardet evropiane, duke investuar në forcimin e institucioneve, digjitalizimin e proceseve dhe avancimin e reformave që garantojnë siguri, menaxhim më të mirë dhe respektim të plotë të të drejtave të njeriut.

Ministri Lamallari nënvizoi se rezultatet konkrete të arritura deri më sot janë dëshmi e rëndësisë së partneritetit me Bashkimin Europian dhe organizatat ndërkombëtare, duke sjellë më shumë kapacitete, siguri dhe standarde më të larta si për qytetarët shqiptarë, ashtu edhe për personat që kërkojnë mbrojtje në vendin tonë.

Shqipëria vijon të punojë për një menaxhim të përgjegjshëm të migracionit dhe azilit, në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe përmes zbatimit të praktikave më të mira ndërkombëtare.