Ministry of Internal Affairs

Tiranë – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, theksoi rëndësinë e forcimit të sigurisë kufitare si një element kyç në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, duke e cilësuar atë si një provë konkrete të besueshmërisë së vendit si partnere evropiane.

Lamallari u ndal te progresi i arritur përmes mbështetjes së programeve të BE-së, si IPA III, dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me FRONTEX, të cilat kanë mundësuar rritjen e kapaciteteve për menaxhimin e integruar të kufijve dhe përafrimin me standardet e hapësirës Schengen.

Ai nënvizoi se Shqipëria po kalon nga një vend përfitues në një kontribuues aktiv në sigurinë e kufijve të Bashkimit Europian, duke dëshmuar përkushtim konkret ndaj reformave dhe përgjegjësive që sjell procesi i integrimit.

Sipas ministrit, integrimi në BE nuk është vetëm një objektiv politik, por një proces i përditshëm që kërkon standarde të larta, angazhim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët europianë, me synimin për të qenë pjesë e një hapësire të përbashkët sigurie dhe vlerash.