Ministry of Internal Affairs

Tiranë – Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, zhvilloi një takim pune me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtuesit e departamenteve dhe drejtuesit vendorë të Policisë në qarqe, me fokus forcimin e sigurisë publike dhe rritjen e pranisë policore në territor.

Në takim u përcaktuan si prioritete të qarta rritja e sigurisë, prania më e madhe e Policisë në terren dhe reagimi më i shpejtë ndaj çdo situate, në çdo cep të territorit. Vëmendje e posaçme iu kushtua edhe sigurisë në shkolla. Ministri Demo kërkoi forcimin e pranisë së Policisë pranë institucioneve arsimore dhe bashkëpunim më të ngushtë me oficerët e sigurisë, drejtuesit e shkollave dhe strukturat e tjera përgjegjëse, për të garantuar një mjedis të sigurt për çdo nxënës.

“Kërkova më shumë Polici në terren, më shumë parandalim dhe një standard më të lartë shërbimi ndaj qytetarëve”, u shpreh ministri Demo.

Duke nënvizuar rëndësinë e një Policie që vepron në mënyrë parandaluese dhe jo vetëm reaguese, ministri theksoi se “siguria nuk fillon pasi ndodh ngjarja. Fillon me informacionin, trajtimin, parandalimin dhe reagimin në kohë.”

Ministri Demo kërkoi nga drejtuesit e Policisë një angazhim të shtuar për forcimin e marrëdhënies me komunitetin dhe rritjen e cilësisë së shërbimit, me synim që qytetari ta ndiejë Policinë pranë tij, çdo ditë dhe kudo.