Ministry of Internal Affairs

TiranëU prezantua sot Qendra e Komandës dhe Kontrollit, një nga komponentët kryesorë të projektit kombëtar “Smart City”. Në fjalën e mbajtur në ceremoninë ku morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, partnerë e të ftuar, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari,  theksoi se “Smart City” nuk është thjesht një projekt kamerash, por një ekosistem i integruar teknologjik që transformon mënyrën se si parandalohet dhe menaxhohet rreziku në kohë reale.

“Qendra e Komandës dhe Kontrollit ngrihet dhe qëndron nga sot, në zemër të një filozofie dhe qasjeje të re të qeverisë shqiptare për sigurinë publike. Programi ‘Smart City’ nuk është thjesht një projekt kamerash. Kush e sheh kështu, ose e zvogëlon me dashje, ose nuk e ka kuptuar ende dimensionin e tij,” u shpreh ministri.

Lamallari shpjegoi se sistemi bazohet në 3 komponentë të integruar: burimet e informacionit të shpërndara në territor, platformën e centralizuar të komandës dhe kontrollit, si dhe inteligjencën artificiale që analizon në kohë reale të dhënat e mbledhura. Sipas tij, sistemi përpunon informacionin e ardhur nga 873 lokacione operative, të shpërndara në 12 Drejtori Vendore të Policisë, 24 qytete kryesore, 28 pika të kalimit kufitar dhe 20 shkolla në qytetin e Tiranës, duke mundësuar reagim të menjëhershëm ndaj çdo rreziku të mundshëm.

“Çdo sjellje potencialisht e rrezikshme apo në shkelje të normave ligjore detektohet përmes inteligjencës artificiale dhe merr formën e një ‘alerti’ pikërisht këtu në Qendrën e Komandës dhe Kontrollit, për t’u ndarë menjëherë me patrullën më të afërt në territor. Sistemi është projektuar të evidentojë, analizojë dhe paralajmërojë në kohë reale, duke mundësuar një reagim proaktiv dhe parandalues,” deklaroi ministri.

Duke folur për zbatimin e fazës së parë të projektit, Lamallari theksoi se nisja me 20 shkollat më të frekuentuara të Tiranës është një zgjedhje me rëndësi strategjike.

“Nuk është e rastësishme që këtë projekt, i cili është me plot kuptimin e fjalës një kapërcim epokal në garantimin e sigurisë në Shqipëri, e nisim me 20 shkollat më të frekuentuara të kryeqytetit. Siguria e një vendi nuk matet vetëm me statistikat e luftës kundër krimit, por edhe me aftësinë reale për të mbrojtur fëmijët tanë,” tha ai. Ministri nënvizoi se shkolla duhet të mbetet një mjedis i sigurt për nxënësit, ku fokusi i vetëm të jetë edukimi dhe zhvillimi i tyre.

“Për ne, shkolla është vendi ku nxënësit duhet të mendojnë vetëm për dijen, prindërit të ndihen të qetë për fëmijët e tyre dhe institucionet të ofrojnë një shërbim të denjë për Shqipërinë evropiane,” u shpreh Lamallari.

Në përfundim të fjalës së tij, ministri falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e fazës së parë të projektit, duke vlerësuar veçanërisht mbështetjen e Kryeministrit gjatë gjithë procesit.

“Sot është momenti i duhur për të shprehur mirënjohjen time në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ndaj vizionit politik, vullnetit për ta bërë këtë projekt realitet dhe mbështetjes këmbëngulëse të Kryeministrit përballë çdo pengese dhe skepticizmi ndaj inovacionit,” përfundoi ministri Besfort Lamallari.

Fjala e plotë e ministrit Lamallari:

I nderuar z. Kryeministër,

E nderuar kolege, Ministre e Arsimit,

Të nderuar partnerë dhe të ftuar,

Mirë se erdhët në Qendrën e Komandës dhe Kontrollit, e cila ngrihet dhe qëndron nga sot në zemër të një filozofie dhe qasjeje të re të qeverisë shqiptare për sigurinë publike. Programi “Smart City” nuk është thjesht një projekt kamerash. Kush e sheh kështu, natyrisht që e zvogëlon me dashje në rastin më të keq, ose nuk e ka kuptuar fare në rastin më të mirë.

Kamerat monitoruese të trafikut apo ato të instaluara në hapësira publike, radarët me precizion të lartë dhe sensorët inteligjentë të zhurmave, do të ishin si gjymtyrët e një trupi, që lëvizin në mënyrë të pakoordinuar, nëse ato do t’i shkëpusnim nga një ekosistem tërësisht inovativ dhe i integruar teknologjik, i cili kombinon tre komponentë të pandashëm nga njëri-tjetri:

– burimet e informacionit përmes një game të larmishme pajisjesh teknologjike të dislokuara në territor;

– platformën e centralizuar të komandë – kontrollit, e cila furnizohet dhe qarkullon komanda mbi informacionin e përftuar në kohë reale;

– një program kompjuterik apo software i bazuar në Inteligjencë Artificiale, i aftë për të përpunuar dhe analizuar në vetëm pak sekonda të gjithë informacionin e ardhur njëkohësisht nga 873 lokacione operative të pajisjeve të shpërndara në 12 Drejtori Vendore të Policisë, 24 qytete kryesore, 28 pika të kalimit kufitar dhe 20 shkolla në qytetin e Tiranës.

Çdo sjellje potencialisht e rrezikshme apo në shkelje të normave ligjore, detektohet përmes AI dhe merr formën e një ‘alerti’, pikërisht këtu në Qendrën e Komandës dhe Kontrollit, për tu ndarë më pas me patrullën më të afërt në territor. Nuk përbën dallim nëse kërcënimi buron nga drejtimi i rrezikshëm i mjetit rrugor, mbajtja e paligjshme e një arme zjarri apo të ftohtë në hapësira publike, përpjekja për kalim të kufirit nga persona të rrezikshëm, potencialistht terrorist, apo dhe prania në mjediset shkollore të personave me sjellje të dyshimtë dhe mjete të ndaluara. Sistemi është i programuar të evidentojë, analizojë dhe paralajmërojë në kohë reale, duke mundësuar një reagim proaktiv dhe parandalues ndaj veprimeve dhe sjelljeve, të cilat i ndajnë vetëm pak minuta dhe sekonda nga pasojat e rënda për sigurinë publike dhe vetë qytetarët.

Nuk është e rastësishme që ne e nisim zbatimin e këtij projekti, i cili është me plotë gojën një kapërcim epokal në garantimin e sigurisë në Shqipëri, me 20 shkollat më të frekuentuara të kryeqytetit. Ka një rëndësi dhe domethënie të veçantë, sepse siguria e një vendi nuk matet vetëm me statistikat në luftë kundër krimit dhe paligjshmërisë, por edhe me kapacitetet reale për të mbrojtur fëmijët tanë. Shkolla është vendi ku çdo prind investon për të ardhmen e fëmijës së tij, dhe shteti për përparimin social-ekonomik të vendit. Qartësisht, për ne shkolla është vendi ku nxënësit duhet të shqetësohen vetëm për dijen dhe se si ajo mund t’i ndihmojë që të shpalosin në të ardhmen potencialin e tyre unikal, prindërit të ndihen të qetë dhe të sigurtë për fëmijët dhe autoritetet shtetërore, përfshi ato të rendit dhe arsimit, ofrojnë shërbim të përkushtuar dhe cilësor, të denjë për Shqipërinë evropiane.

Në përmbyllje, duke qenë se rrethanat e sollën që të ndiqja nga afër kalvarin e njëmijë pengesave, spekulimeve, vonesave dhe zvarritjeve në fazat e konceptimit e negocimit e për të ardhur deri më sot, në kurorëzimin me sukses të fazës së parë të këtij projekti, është pikërisht koha dhe vendi i duhur për të shprehur mirënjohjen time, në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndaj vizionit politik qysh në konceptim të projektit, vullnetit për ta bërë atë realitet dhe mbështetjes këmbëngulëse të Kryeministrit, përballë murit absurd bllokues ndaj të resë dhe inovacionit!