Ministry of Internal Affairs

Kukës – Siguria publike, mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve, forcimi i marrëdhënies mes Policisë së Shtetit dhe komunitetit, si dhe lufta kundër kriminalitetit dhe trafiqeve ishin në fokus të Forumit Publik për Sigurinë të zhvilluar në Kukës, me pjesëmarrjen e Ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

Gjatë Forumit, ministri Lamallari theksoi se siguria nuk mund të garantohet vetëm përmes veprimit të strukturave ligjzbatuese, por kërkon bashkëpunimin e Policisë me qytetarët, familjet, mësuesit, institucionet dhe komunitetin.

“Siguria publike nis nga komuniteti. Policia nuk mund ta garantojë e vetme sigurinë. Prania në komunitet, dëgjimi i shqetësimeve dhe reagimi në kohë janë thelbësore për të ndërtuar besimin e qytetarëve”, u shpreh ai.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua sigurisë në shkolla dhe mbrojtjes së fëmijëve. Ministri nënvizoi nevojën për më shumë prani të Policisë pranë institucioneve arsimore, veçanërisht në oraret e hyrje-daljeve të nxënësve, si dhe për një qasje të orientuar drejt parandalimit të dhunës, bullizmit, përdorimit të lëndëve narkotike dhe formave të kriminalitetit që mund të prekin të miturit.

“Prania jonë pranë shkollave nuk është thjesht prani fizike. Është prani besnike, është garancia se fëmijët tanë janë të mbrojtur dhe se çdo shqetësim i tyre do të dëgjohet. Siguria në shkollë është një mision i përbashkët i Policisë, mësuesve, prindërve, psikologëve dhe vetë komunitetit”, theksoi ministri.

Në këtë drejtim, Lamallari vuri theksin edhe te mbrojtja e të miturve në hapësirën digjitale, ndërgjegjësimi për rreziqet online dhe krijimi i një kulture ku çdo fëmijë të ndihet i sigurt për të kërkuar ndihmë.

Një tjetër temë e forumit ishte karriera në Policinë e Shtetit dhe mundësitë që ofron Akademia e Sigurisë. Ministri u bëri thirrje të rinjve të Kukësit dhe të gjithë Shqipërisë të aplikojnë për t’iu bashkuar Policisë, duke theksuar se procesi duhet të udhëhiqet nga merita, shanset e barabarta, transparenca dhe integriteti. Aplikimet për “Patrullë të Përgjithshme” vijojnë deri më 18 shtator 2026, ndërsa rishikimi i kufirit të moshës për pranimin në Policinë e Shtetit synon t’u japë mundësi edhe më shumë të rinjve dhe profesionistëve për të ndërtuar një karrierë në shërbim të qytetarëve.

“Duam një Polici ku të rinjtë më të mirë të vendit të shohin një karrierë, një mision dhe një mundësi për të bërë ndryshimin. Të jesh polic do të thotë të jesh pranë njerëzve, t’i dëgjosh, t’i respektosh dhe t’i ndihmosh”, u shpreh Lamallari.

Në vëmendje ishte edhe rëndësia e veçantë e Kukësit për sigurinë kombëtare, për shkak të pozicionit kufitar. Kontrolli i territorit, lufta kundër trafiqeve dhe bashkëpunimi ndërkufitar mbeten prioritete të Policisë së Shtetit.

Në prononcimin për mediat pas Forumit, ministri Lamallari dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u ndalën edhe te ngjarjet e fundit në Vlorë dhe Kuçovë, duke nënvizuar rëndësinë e reagimit të menjëhershëm të strukturave policore, vijimit të hetimeve dhe bashkëpunimit me organet e drejtësisë.

Duke iu referuar ngjarjes në Vlorë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, tha se forcat policore u angazhuan menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe se hetimi vijon në bashkëpunim me Prokurorinë.

“Ngjarja e Vlorës ishte një ngjarje që, në marrjen e njoftimit në momentin e parë, u angazhuan shumë shpejt forcat policore. U bë i mundur ndalimi dhe kapja në flagrancë e disa prej autorëve, të cilët u vunë menjëherë në masën e arrestit në flagrancë.

Vazhdoi hetimi për orë të tëra dhe, edhe në këto momente që jemi së bashku, vazhdojnë veprimet procedurale, edhe në bashkëpunim me prokurorinë.

Është një ngjarje që vërtet ka marrë vëmendje të madhe, por nga ana e Policisë, edhe në deklaratën e parë që u dha dje nga drejtori vendor, vazhdon verifikimi i pretendimeve të të gjitha palëve për kryerjen e veprimeve”, deklaroi Hita.

Ministri theksoi se, përtej çështjeve operacionale që i takojnë Policisë së Shtetit, e rëndësishme është që çdo ngjarje të ndiqet me reagim të shpejtë, hetim të plotë dhe vënie përpara përgjegjësisë të personave të përfshirë.

“Ajo çfarë është e rëndësishme, pa hyrë në çështje operacionale, që i takojnë Policisë së Shtetit, është reagimi i menjëhershëm, i shpejtë i Policisë së Shtetit. Siç e tha drejtori, edhe tani që po flasim vijojnë veprimet hetimore. Pati menjëherë persona të arrestuar, persona të cilët janë ende në kërkim dhe besoj do të gjenden dhe do të vihen para drejtësisë.

Policia e Shtetit mbetet në dispozicion të ligjit dhe të gjitha udhëzimeve të prokurorit të çështjes për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe, patjetër, për vënien para përgjegjësisë të autorëve të përfshirë në këtë situatë”, u shpreh Lamallari.

Në të njëjtën linjë, ministri nënvizoi se edhe ngjarjet e fundit, përfshirë atë të ndodhur në Kuçovë, tregojnë rëndësinë e një Policie që reagon në kohë, që verifikon çdo informacion dhe që vepron në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e drejtësisë.

Përballë kriminalitetit dhe fenomeneve që cenojnë sigurinë, përgjigjja duhet të jetë e vendosur, ndërsa paralelisht duhet të forcohet puna parandaluese dhe prania e institucioneve në territor.

Sipas Lamallarit, “Besa” dhe “Prania Besnike” përfaqësojnë pikërisht këtë mënyrë të re të marrëdhënies së shtetit me qytetarin: të jesh aty ku është qytetari, ta dëgjosh dhe ta ndjekësh shqetësimin e tij deri në zgjidhje.

“Besa është angazhimi. Prania Besnike është mënyra se si e mbajmë atë angazhim; duke qenë pranë njerëzve, duke i dëgjuar dhe duke vepruar. Forume të tilla nuk janë vetëm për të folur, por për të marrë shqetësimet reale të qytetarëve dhe për t’i kthyer ato në përgjegjësi dhe veprime konkrete”, u shpreh Ministri i Punëve të Brendshme.

“Në një forum të hapur me qytetarët, folëm për një nga përgjegjësitë më të rëndësishme të shtetit, sigurinë publike, për të cilën Policia e Shtetit ka barrën kryesore, por kurrsesi nuk është e vetme.

Bashkërendimi i punës me institucionet e tjera dhe komunitetin mbeten thelbësore. Policia e Shtetit do të jetë aty ku është qytetari, të dëgjojë e të veprojë sipas ligjit sa herë ai ka nevojë për të.  Siguria fillon duke qenë pranë njerëzve, për të dëgjuar dhe parandaluar ngjarjet, jo thjesht pasi kanë ndodhur. Përsërita thirrjen për ata që duan të bëhen pjesë e këtij misioni, se dyert e Policisë së Shtetit janë të hapura. Aplikimet për Patrullë të Përgjithshme vijojnë deri më 18 shtator dhe me rishikimin e moshës së pranimit, ka më tepër mundësi për ata që duan të kontribuojnë për sigurinë e qytetarëve”, shkroi ministri Lamallari në rrjetet sociale, pas takimit.