Ministry of Internal Affairs

Kuvend Replika e Ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu me deputetët e opozitës:

Është shumë e qartë për të gjithë se kush është nxitësi i kësaj gjuhe urrejtjeje, kush ka qenë nxitësi dhe bullizuesi më i madh i gjuhës që përdoret këtu nga mëngjesi deri në darkë dhe kush është nxitësi dhe urrejtësi, njeriu më i pështirë që ekziston në gjithë këtë politikë parlamentare.

Meqenëse ju dëgjova të gjithëve dhe keni merakun e njoftimit tim publik, iu sqaroj dhe njëherë, gjuha që më etiketoni sikur kam gënjyer dhe mashtruar është totalisht në shkelje të të gjithë përgjegjësisë që ka Policia e Shtetit dhe përgjegjësisë që kryejnë institucionet publike. Ju e dini fare mirë, se një pjesë e mirë janë juristë këtu, se nëse do kishte përgjegjësi një polic i shtetit, sot do ishte në arrest. Policia e Shtetit ka kryer veprimet e veta në përputhje të plotë ligjore, dhe kësaj i qëndroj nga mëngjesi deri në darkë.

Mjafton të shihni të gjithë bazën ligjore, që ky Kuvend e ka miratuar që në vitin 2016. Po, patjetër, si produkt i reformës në drejtësi, që është shumë e suksesshme, ka prodhuar sot rezultate konkrete. Pavarësisht se jam e bindur që nuk u pëlqen deputetëve të opozitës, se është duke treguar përgjegjësi në çdo vendimmarrje të kryer. Por produkti i kësaj reforme janë edhe ndarjet e qarta të përgjegjësisë ndaj secilit institucion.

Përgjegjëse për vrasjen nuk jam unë, jeni ju, nga mëngjesi në darkë me këtë gjuhë që përdorni! Më vjen keq se të gjithë qytetarët e kuptojnë këtë. Nuk më intimidon duke më treguar me gisht. Unë jam një grua në detyrë dhe duke përdorur këtë gjuhë, ja ku e keni dëshminë e qartë që kjo gjuhë e juaja ka krijuar gjithë këtë ngarkesë politike. Edhe njëherë, mos e politizo situatën z. Noka! Je duke bërë politikë e duke drejtuar gishtin drejt institucioneve që e kryejnë me përgjegjësi detyrën e tyre! Turp të kesh ti nga mëngjesi deri në darkë, sepse me kaq vite sa ke në këtë Kuvend, do të duhej ta kishe ndryshuar narrativën politike dhe sot nuk do kishe prodhuar të tilla situata. Këto që thua mbaji për vete, sepse e ke treguar veten sa mirë dhe me sa ndershmëri e ke bërë detyrën kur ke qenë Ministër i Brendshëm.

• • •
Për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme dhe klimës së tensionuar që opozita krijon në seancë plenare, e në pamundësi për të mbajtur fjalën e plotë në Kuvend, po përdor këtë dritare për të komunikuar qëndrimin tim si Ministër i Punëve të Brendshme, për opinionin publik, në lidhje me ngjarjen e rëndë në Gjykatën e Apelit.
• • •
I nderuar Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar kolegë deputetë,
Vrasja e gjykatësit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit është pa dyshim një ngjarje shumë e rëndë, e cila nuk duhej të ndodhte! Nga kjo sallë, dënoj përsëri me forcë këtë akt barbar dhune dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës, kolegët e tij dhe u uroj shërim të shpejtë të lënduarve. Duke u ndalur tek ngjarja, siç jeni bërë me dije, përmes komunikimeve të detajuara nga Policia e Shtetit, strukturat policore reaguan në kohë. Autori u ndalua, ndërsa grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë nisën veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Brenda pak orësh u siguruan provat dhe u sqaruan motivet e këtij krimi. Jam e bindur se autori do të përballet me forcën e plotë të ligjit!
Ajo që dua të theksoj, është se ky akt nuk mundet të shërbejë për të përçuar pasiguri apo për të zhbërë besimin e njerëzve tek drejtësia dhe institucionet e sigurisë. Përkundrazi, kjo ngjarje duhet të na shtyjë të gjithëve ne, brenda e jashtë kësaj salle, të reflektojmë dhe të veprojmë më shpejt për të forcuar mbrojtjen e sistemit gjyqësor, në ato pika ku konstatohen dobësi. Së bashku me Ministrinë e Drejtësisë dhe në koordinim me institucionet e drejtësisë, do të rishikojmë masat e sigurisë në gjykata, e jo vetëm.
Në përfundim, do të hartojmë një paketë të plotë duke përfshirë rishikimin e protokolleve të bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe institucioneve të drejtësisë; Forcimin e sigurisë fizike brenda dhe përreth ambienteve të gjykatave; si dhe një sistem të integruar monitorimi inteligjent për të parandaluar e neutralizuar çdo akt dhune. Aktualisht, dua të sqaroj opinionin publik se në përputhje me detyrimet ligjore, Garda e Republikës ruan dhe mbron gjyqtarët e prokurorët e Gjykatave kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe Drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Gjithashtu, magjistratëve u sigurohet mbrojtje e veçantë personale, e familjes dhe e pasurisë, kur gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, u rrezikohet jeta, shëndeti, familja ose prona.
Jemi absolutisht të angazhuar që të rishikojmë kornizën e mbrojtjes vetjake të ofruar deri tani për t’a fuqizuar edhe më tej paprekshmërinë dhe sigurinë në detyrë të magjistratëve. Në këtë rrugë, do të ecim përpara me të njëjtën vendosmëri dhe bindje të palëkundur që na ka shoqëruar edhe në rrugën e vështirë dhe të gjatë të bërjes realitet të reformës më të thellë dhe më transformuese në historinë e shtetit shqiptar. Reforma në drejtësi është ajo reformë që i ka dhënë fund kohës së të paprekshmëve nga ligji. I ka dhënë fund dy standardeve në aksesin ndaj drejtësisë. Procesi i vetingut udhëhoqi transformimin historik të figurës së gjykatësit dhe prokurorit, që sot është një figurë e çliruar nga lidhjet politike, lidhjet korruptive apo ato kriminale. Produktet më të qarta të punës sonë janë institucionet e reja, të cilat së bashku me Policinë e Shtetit, sipas të gjithë anketimeve të pavarura, janë ato që gëzojnë besimin më të madh mes qytetarëve.
Në realizimin e reformës në drejtësi, kjo qeveri ka treguar një vullnet të hekurt dhe të panegociueshëm. Do të tregojmë përsëri të njëjtin vullnet, për përsosjen e mëtejshme të sistemit dhe rritjen e standardeve të sigurisë. Ky është momenti jo për të treguar dobësi, as për të negociuar, por për të demonstruar të gjithë forcën dhe seriozitetin e shtetit shqiptar! E fundit, por e diktuar nga narrativa politike që fatkeqësisht ka shoqëruar këtë ngjarje nga kampi i opozitës, dua të distancohem plotësisht nga e gjithë tentativa e shëmtuar për të instrumentalizuar dhe politizuar vrasjen.
Jeta e çdo njeriu, aq më tepër e një shërbëtori të drejtësisë të rënë në krye të detyrës nuk mund të përdoret për kapital apo interesa të ngushta politike. Sot nuk është koha për të drejtuar gishtin apo për të kërkuar fajtorë politikë. Është koha për bashkëpunim institucional mes të gjitha pushteteve dhe aktorëve përgjegjës, për të analizuar me përgjegjësi çdo hallkë të sistemit dhe për të ndërtuar masa konkrete që garantojnë sigurinë dhe integritetin e gjyqtarëve e prokurorëve në të gjithë vendin. Faleminderit!