Ministry of Internal Affairs

Intervista – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit në TV Vizion Plus, ku ndau për publikun masat e marra për sezonin veror si dhe sqaroi qëndrimin për çështjet e fundit të rendit dhe sigurisë. Në lidhje me sigurinë në kufij sidomos në funksion të lëvizjes së shtetasve në pikat kufitare, Ministri Lamallari theksoi se kriteret e sigurisë janë në përputhje ato që parashikon rregullorja e BE për disa procedura të verifikimit.

“Policia e Shtetit ka një sërë detyrash si garantimi i rendit dhe sigurisë publike në tërësi, mbrojtja e kufijve, lehtësimi i procedurave, por kurrsesi pa bërë kompromis me kriteret e sigurisë, që duhet të kalojnë të gjithë udhëtarët, sidomos kur bëhet fjalë që ne po avancojmë shumë mirë në kuptim të negociatave, pra sipas standardeve të rregullores së BE, të jetë një procedurë sa më pak burokratike, me sa më pak kohë pritjeje në hyrje. Kemi parë se sa efektive kanë qenë E-gates në Rinas dhe do të vijojmë më tej në portet e Sarandës dhe Durrësit,” – tha ministri.

Sa i përket sezonit turistik, Ministri Lamallari paraqiti disa prej investimeve të bëra në mjete dhe teknologji në funksion të sigurisë së pushuesve si dhe mbarëvajtjes së sezonit.

“Kemi pasur prezantimin e masave të sigurisë për sa i përket mbarëvajtjes së sezonit turistik, ku është bërë e njohur se bregdeti do të monitorohet, pasi ka qytetarë të cilët lëvizin duke përdorur mjete ujore. Sigurisht një pjesë është argëtimi, por detyra jonë është të garantojmë të mos kemi incidente apo që argëtimi i dikujt të shndërrohet në fatalitet për dikë tjetër. Prandaj janë vendosur 35 motorë uji dhe 35 skafe për të monitoruar vijën bregdetare nga Velipoja deri në Ksamil; kemi gjithashtu mjete lundruese të agjencisë kufitare të Bashkimit Evropian Frontex si dhe partnerëve tanë të Guardia di Finanza. Do të përdorim dhe teknologjinë përmes monitorimit nga ajri, përmes dronëve,” – bëri me dije ministri.

Më tej Lamallari foli për marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut që do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, si edhe për rezultatet e bashkëpunimit me Europol në luftën kundër grupeve kriminale dhe trafikut të drogës.

“Marrëveshja me Maqedoninë, që nga momenti i aplikimit, së pari me PKK Qafë Thanë, më pas me Bllatën dhe më tej me dy pika të tjera, në Goricë dhe Tushemisht, konsiston në atë që do të kemi të njëjtin parim, pra nën një çati, një kontroll i vetëm, që dmth në hyrje të Shqipërisë, shtetasit që do të vijnë nga Maqedonia e Veriut do të kontrollohen vetëm në Shqipëri dhe sigurisht të gjithë ata që shkojnë në krahun tjetër, e kundërta. Kjo do të thotë më pak procedura, por sigurisht duke respektuar kriteret e standardet që tashmë i kemi detyrim në kuadër të marrëveshjes Shengen,” – tha Lamallari.

Duke folur për vizitën në Hagë ku pati një tur 2-ditor takimesh, me homologun holandez, krerët e Europol dhe Eurojust, Lamallari u shpreh se: “Në Europol dhe Eurojust u njoha me shqetësimet kryesore me të cilat përballet BE, ku theksoj, përdorimi i armëve moderne, përfshirë dronët vdekjeprurës, si dhe luftën hibride, kërcënime që vijnë nga vende jo mike, me të cilat përballet edhe Shqipëria në fakt. Një fenomen tjetër shqetësues, për të cilin edhe ne duhet të jemi alert, është përdorimi i të miturve nën moshë, që nuk janë përgjegjës para ligjit, për të kryer akte të rënda kriminale. Prandaj duhet që grupe të ndryshme, me axhenda të errëta të mos përdorin të miturit, të cilët për vetë natyrën e tyre janë vulnerabël e nuk mund të gjykojnë mbi rëndësinë dhe pasojat e veprimeve të tyre. Fokusi mbetet te operacionet e përbashkëta me agjencitë europiane, ku rritja e pjesëmarrjes së Shqipërisë, pra Policisë së Shtetit në platformën Empact, për të gjitha aksionet si në luftën kundër narkotikëve, trafikimit të qenieve njerëzore, krimit kibernetik por edhe natyrave të tjera kriminale. Policia e Shtetit është treguar mjaft aktive dhe gjithmonë e më shumë ne tregojmë besim te partnerët tanë, si në nivel bilateral, edhe në kuptim të bashkëpunimit ndërtransnacional me Europol dhe operacionet e koordinuara nga Eurojust,” tha Ministri.

I pyetur në lidhje me protestat e përditshme që zhvillohen kryesisht në Tiranë, dhe përkatësisht masave të marra nga Policia e Shtetit në lidhje me këto ngjarje, Ministri tha se:

“Nga Policia e Shtetit ka qenë një menaxhim i përkryer, duke shmangur konfrontimet e panevojshme apo dhe skenat të cilat nuk janë të largëta nga koha kur në Shqipëri ishte shumë e rrezikshme të protestoje. Për sa më takon mua, në kuptim të drejtimit të forcave të sigurisë në vend, si Policia e Shtetit, gjithashtu edhe Garda e Republikës, unë mendoj që kanë bërë një punë të përkryer në menaxhimin e situatës duke garantuar mbarëvajtjen e qetë të protestës. Duhet theksuar se sigurisht ne jemi vigjilentë ndaj të gjithë elementëve, influencave të ndryshme të cilët mund të shfrytëzojnë protestën, këtë sentiment publik për arsye që s’kanë të bëjnë fare me axhendën evropiane të Shqipërisë. Ta kemi të qartë nga njëra anë është menaxhimi i protestës, siç kemi bërë deri më sot, por nga ana tjetër, të gjitha strukturat përkatëse, përfshi edhe ato të antiterrorit, duhet të jenë në krye të detyrës, të monitorojnë situatën, për të bërë të mundur neutralizimin e çdo personi,” – theksoi ministri në përgjigjen e tij.

Sezoni turistik, siguria publike, menaxhimi i kufijve, lufta kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimi ndërkombëtar nuk janë tema të ndara, por pjesë e së njëjtës përgjegjësi të  përbashkët, garantimi i sigurisë së qytetarëve dhe forcimi i shtetit, ishte në thelbin e intervistës së Ministrit të Punëve të Brendshme Besfort Lamallari në intervistën e drejtpërdrejtë në emisionin “Live në Mëngjes” në TV Vizion Plus.