Ministry of Internal Affairs

Kuvend – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, theksoi se interpelancat parlamentare janë një instrument i rëndësishëm për transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve. Ai nënvizoi se përtej debateve politike, çështjet që lidhen me sigurinë dhe besimin tek Policia e Shtetit kërkojnë trajtim të përgjegjshëm dhe të bazuar në fakte, duke garantuar informim të plotë dhe të verifikueshëm për publikun. Ai theksoi se siguria publike dhe besimi tek Policia e Shtetit nuk janë thjesht objekt debati politik, por prekin drejtpërdrejt themelet e shtetit të së drejtës dhe funksionimin e institucioneve. Në këtë kuadër, ai u shpreh i vendosur për të ofruar një pasqyrë të qartë mbi punën, sfidat dhe rezultatet e Policisë së Shtetit, duke vënë theksin tek rëndësia e trajtimit me përgjegjësi të kësaj çështjeje dhe shmangien e narrativave, që dëmtojnë besimin publik.

Fjala e plotë e ministrit Besfort Lamallari – VIDEO:

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar kolegë deputetë,

Të dashur qytetarë,

Sot kemi përpara një ditë të gjatë me plot tre interpelanca, ndonëse për çështje të ndryshme, por në thelb, qëllimi është i njëjtë, për të bërë transparencë, për të dhënë përgjigje për pyetjet e adresuara si dhe për të informuar qytetarët mbi këto çështje që ngrihen për trajtim. Prandaj, dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të dhënë përgjigje sa më të plota, të bazuara në fakte dhe të verifikueshme, si për të informuar deputetët, të cilët nëse kanë interes mund t’i dëgjojnë përgjigjet ndaj pyetjeve të tyre, nëse e kanë bërë për politikë, le të vazhdojnë të ndërpresin siç e bëjnë gjithmonë, por unë jam këtu si pjesë e detyrimit kushtetues dhe ligjor, për t’ju përgjigjur pyetjeve dhe për të informuar qytetarët, për sa kërkohet.

Besimi tek Policia e Shtetit dhe siguria e qytetarëve nuk është vetëm një çështje e debatit politik, sidomos atij të ditës, por prek drejtpërdrejt themelet e shtetit të së drejtës. Thënë këtë, unë mendoj se mund të kemi krejt opinione të ndryshme për çështje të caktuara, por fakteve duhet t’u qëndrojmë. Gjithashtu dhe raporteve ndërkombëtare, të cilat nuk mund t’i lexojmë në mënyrë të pjesshme, por duhet të jemi korrekt me veten dhe me qytetarët t’i lexojmë plotësisht për gjithçka që thuhet aty, si për kritikat e shëndosha ashtu edhe për vlerësimet pozitive që Shqipëria ka bërë vitet e fundit.

Dua ta nis jo me statistika, por me një të vërtetë të thjeshtë. Policia e Shtetit nuk është një abstraksion institucional. Është një organizatë me burra dhe gra, me djem dhe vajza, të cilët përballen çdo ditë me stres, me punë të vështirë, në front me krimin, me paligjshmërinë dhe rrjedhimisht duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur etiketojmë apo përdorim politikën e baltës ndaj një organizate, e cila është e shtetit shqiptar dhe e qytetarëve. Humbja e besimit dhe perceptimi i gabuar mbi Policinë e Shtetit nuk i bën derman askujt, nuk ndihmon askënd, përkundrazi dëmton stabilitetin, përfshirë edhe atë ekonomik, qëndrueshmërinë dhe imazhin e vendit edhe në arenën ndërkombëtare.

Prandaj natyrisht respekti për uniformën e Policisë së Shtetit dhe vetë organizatën nuk do të thotë mungesë përgjegjësie dhe aq më pak llogaridhënie. Nuk do të thotë që probleme nuk ka. Po, sigurisht ka probleme. Po, ka raste të shkeljeve, po për fat të keq ka dhe individë, që kanë shkelur uniformën e Policisë së Shtetit dhe e kanë tradhtuar atë dhe kolegët e tyre bashkë me të. Por dallimi midis shtetit të dobët dhe një shteti të fortë qëndron pikërisht këtu. A i fsheh ai problemet apo ai adreson ai në mënyrë të qenësishme dhe me masa konkrete? Prandaj unë në përgjigje të këtij interesimi dhe bazuar në fakte konkrete, do të bëj një citim të kujdesshëm edhe të raporteve ndërkombëtare mbi punën e Policisë së Shtetit, po ashtu edhe të statistikave zyrtare, të cilat unë i ndaj me ju me përgjegjësi të plotë.

Përtej të vërtetës, sapo thashë më sipër, në fakt, le të kthehemi të flasim me gjuhën e fakteve dhe statistikave të cilat janë ndarë dhe me Komisionin Europian, janë vlerësuar dhe në terren dhe janë përmendur dhe në raportet e Komisionit Evropian, po ashtu dhe në diskutimet me vendet anëtarëve.

Viti 2023 shënoi një intensitet të lartë operacional me dhjetëra operacione dhe qindra arrestime duke goditur rrjete të krimit të organizuar, përfshirë këtu dhe koordinimin shumë të efektiv dhe shumë proaktiv të Policisë së Shtetit si kontributore në sigurinë rajonale dhe më gjerë në operacionet e koordinuara nga Europol, dhe jo vetëm këto operacione u koordinuan në mënyrë të suksesshme duke çuar në arrestime të shumta dhe në goditje të pasurive kriminale, por ato shkuan në një hap më tej në koordinim nga Eurojust, që është struktura europiane pikërisht që bënë bashkë magjistratë prokurorë dhe gjyqtarë nga vende të ndryshme ku edhe Shqipëria jep rolin e saj përmes një prokurori ndërlidhës, dhe të gjitha këto u konkluduan me vendime gjykatash.

Shkojmë më tej. Në vitin 2024, kriminaliteti u ul me 3.5 % dhe zbulueshmëria e ngjarjeve u rrit ndjeshëm. Një tregues ky i bazuar pikërisht dhe i reflektuar dhe në operacionet e larta policore, rreth 500 operacione. Këtu përfshi dhe ata të organizuar në bashkëpunim me partnerët si në nivel bilateral, ashtu dhe në nivel ndërkombëtar, ku Shqipëria padyshim ka detyrimin që të përgjigjet në kohë reale edhe karshi informacionit që vijnë si nga vendet e rajonit, por edhe nga ato të Bashkimit Europian.

Konkretisht ajo që spikat, në vitin 2024, ishte një rritje e forcës goditëse ndaj operacioneve të krimit kibernetik, konkretisht me 61 % rritje të operacioneve dhe zbulueshmërisë së këtyre trendeve shqetësuese që janë jo vetëm në rritje për Shqipërinë, por edhe për vendet e rajonit dhe Europës. Për sa i përket performancës operacionale, dua të theksoj se në total janë raportuar 1,518 operacione, pra hetime proaktive, që do të thotë 22 % rritje, dhe është një rritje e ndjeshme krahasuar me një vit më parë. Gjithashtu, kjo ka çuar në rritjen e operacioneve policore me 25 % më shumë se një vit më parë dhe ajo çfarë është shumë e rëndësishme, një rritje goxha domethënëse e numrit të personave të kapur kryesisht në kërkim ndërkombëtar ku falë strukturave të reja të ngritura në policinë e shtetit konkretisht “Fast Albania”, e cila i përgjigjet standardeve dhe kërkesave më të larta ndërkombëtare për të bashkëpunuar me rrjetin europian për kapjen, për zyrat e kapjes së personave në kërkim, Shqipëria tashmë ka arritur një stad modern në këtë fushë ku ka ndryshuar në mënyrë të qenësishme mënyrën se si i adresohet kapjes së personave, sidomos atyre me rrezikshmëri të theksuar shoqërore dhe kriminale.

Gjithashtu një e dhënie interesante vjen nga siguria publike, e cila është lehtësisht e verifikueshme. Kemi 50 % ulje të vrasjeve (3 mujori 2026, krahasuar me 3 mujorin 2026) sigurisht një krim tejet serioz, tejet shqetësues për çdo kod. Lidhur me bashkëpunim ndërkombëtar përmenda që Shqipëria kjo është vlerësuar dhe pozitivisht edhe nga partnerët ndërkombëtarë dhe nga raportet ndërkombëtare që unë më pas do t’i citoj në mënyrë shumë korrekte, por dua të theksoj faktin që kemi 38 % skuadra më shumë, pra skuadra të hetimeve të përbashkëta, dhe këto janë bërë të ulë operacioneve me Europol, me DEA-n amerikane dhe me vendet e Bashkimit Europian.

Kemi një rritje të konsiderueshme të shkëmbimit të përditshëm 24 orë në 7 ditë të javës të informacionit dhe inteligjencës policore konkretisht 39.000 informacione, të ndara nga zyra e Interpol dhe Europol në bashkëpunim me partnerin kjo ka çuar në rritje të pranisë të kolegëve, nga Policia e Shtetit shqiptar në tryeza të ndarjes së informacione, realizimit të operacioneve të përbashkëta me kolegët europianë, si përmes platformës, EMPACT, pra cikli i politikave të EUROPOL, e cila drejtpërdrejt ka vulën e vendeve anëtare të Bashkimit Europian krahas ndihmesës që jep EUROPOL, po ashtu edhe Task Forca Balkan apo edhe Joint Action Days.

Përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe pasimit të parave. Sigurisht një shqetësim jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë Bashkimin Europian. Kjo edhe sipas raporteve të SOFTA, pra raporte të vlerësimit të krimit të organizuar në nivel të Bashkimit Europian. Është njohur publikisht dhe ndërkombëtarisht, që Shqipëria ka shënuar një rekord në kapjen në sekuestrimin e aseteve me origjinë kriminale, ku konkretisht falë koordinimit shumë të mirë të punës mes agjencive ligjzbatuese dhe më pas çuarjen e këtij informacioni policor në organin e akuzës është bërë e mundur se sekuestrimi i 17.9 milion euro pasuri kriminale, të cilët më pas kanë vijuar në rrugëtimin gjyqësor për të çuar deri në konfiskimin e tyre.

Kemi një rritje me 7.2 % të goditjes së pastrimit të parave, 10.1 % të goditjes së krimit ekonomik financiar dhe 42.4 % të rritjes së goditjes ndaj narkotikëve, e cila përbën sigurisht në Shqipëri dhe në nivel europian, dhe fenomenin kryesor të paligjshmërisë dhe burimin kryesor të të ardhurave për pasuritë kriminale.

Të nderuar deputetë,

këto nuk janë thjesht shifra, janë tregues të një policie, që zhvillohet dhe konsolidohet dita ditës së bashku me gjithë institucionet dhe shoqërinë shqiptare dhe janë pjesë sigurisht, dhe bëhen gjithmonë më shumë pjesë e arkitekturës ndërkombëtare dhe sidomos ë të gjitha organizmave dhe agjencive ligzbatuese të Bashkimit Europian, të Komisionit Europian, të cilat, sigurisht janë ndihmesa më e madhe që i jepet Shqipërisë, për të aderuar sa më parë drejt familjes europiane dhe kjo si një zbatim i aspiratës prej më se tre dekadash të qytetarëve shqiptarë.

Po kaloj tek raportet ndërkombëtare. Dëgjova më herët disa citime nga pjesë e raporteve, por do të ishte shumë korrekte, në funksion të transparencës dhe ndëshkueshmërisë me elektoratin dhe qytetarët në tërësi, që t’i lexojmë raportet të plota ashtu siç janë, pasi fakt është dhe unë me përgjegjësi të plotë, do të citoj raportet përfshij si të Komisionit Europian, si të Departamentit Amerikan të Shtetit, po ashtu dhe Indeksit Global të Krimit të Organizuar.

Duke filluar këtu nga Komisioni Evropian, i cili duke filluar si nga viti 2024 dhe 2025, pra dy vitet e fundit, ka evidentuar qartë që policia e shtetit ka hyrë në një fazë transformimi të thellë, ku reforma nuk është më thjesht një objektiv, por një realitet në zbatim. Dhe konkretisht këtu dua të citoj që komisioni në vitin 2025 citon dhe kjo mund të gjendet lehtësisht në raportin më të fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë se “Shqipëria ka shënuar progres të qëndrueshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në të njëjtën kohë është shënuar progresi i qëndrueshëm në forcimin e kapaciteteve për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit përmes rritjes së përdorimit të hetimeve financiare dhe ngritjes të strukturave të specializuara si Zyra për Rikuperimin e Aseteve Kriminale”.

Ne nuk do të ndalemi asnjë ditë, derisa Shqipërinë ta ulim në rrjetin evropian të zyrave të rikuperimit të aseteve kriminale dhe kjo ka qenë kërkesa ime zyrtare që i kam paraqitur dhe Komisionerit për çështjet e brendshme dhe migracionit të Bashkimit Europian, zotit Magnus Brunner, të cilit kam kërkuar në emër të qeverisë shqiptare dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme që të ndihmojë aplikimin e Shqipërisë për t’u bërë pjesë edhe në statusin e vëzhguesit, pasi kjo për ne është e një rëndësie kritike jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për Bashkimin Europian, pasi në thelb në fund të ditës ndarja e këtij informacioni në kohë reale me agjencitë e tjera zbatuese, do të ishte përfituese jo vetëm për vendin tonë, por dhe për vendet e Bashkimit Europian.

Nga ana tjetër, i kthehem raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili për vitin 2025 konfirmon se Shqipëria ka arritur rezultate të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar, përmes operacioneve të suksesshme, që kanë çuar në dhjetëra arrestime, sekuestrimin e qindra kilogramëve lëndë narkotike dhe miliona dollarëve në para dhe pasuri kriminale si dhe shkatërrimin e disa grupeve të strukturuarave kriminale. Ky progres mbështetet nga një bashkëpunim i thelluar ndërkombëtar, ku autoritetet shqiptare, veçanërisht përmes angazhimit të 35 ekipeve të përbashkëta hetimore, kanë kontribuar në çmontimin e rrjeteve kriminale ndërkufitare në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian. Këto që thashë ishin nga raporti i Komisionit Europian dhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Gjithashtu Indeksi Global i Krimit të Organizuar për vitin 2025 e paraqet Shqipërinë me kapacitete rezistence institucionale në rritje. Pra, theksoj që edhe ky raport, i cili gjithmonë ka qenë shumë i kujdesshëm dhe i vëmendshëm ndaj zhvillimeve në Shqipëri, konstaton se kapacitetet institucionale në Shqipëri, janë në rritje dhe gjithmonë e më shumë dëshmojnë një rezistencë ndaj fenomeneve të paligjshmërisë, duke reflektuar një shtet, që po forcon gradualisht mekanizmat përballë krimit të organizuar.

Të gjitha sa thashë më sipër ftoj çdokënd si qytetarët, si deputetët e nderuar në këtë sallë, t’i konfirmojnë duke lexuar raportet në fjalë.

Megjithatë për sa i përket pastrimit të brendshëm të Policisë së Shtetit, një sfidë e vazhdueshme që vijon dita ditës, jo mbi bazë operacionesh, jo mbi bazë fushatash, por është një sfidë që duhet të kryhet çdo ditë si vetë nga Policia e Shtetit, e cila i bën nder çdo punonjësi të ndershëm të policisë që mundohet, orar pa orar, të punojë në shërbim të qytetarëve dhe ligjit, po ashtu, edhe Agjencisë të Mbikëqyrjes Policore, e cila ngrihet dhe funksionon pikërisht për këtë qëllim. Dhe kjo ka qenë në fakt porosia ime e parë për drejtuesin e agjencisë që përtej statistikave të fundit të raportuara, unë kërkoj që ky verifikim i integritetit, të vijojë dita-ditës për të gjitha nivelet pa përjashtim si ato drejtuese deri në nivelin bazë, por sigurisht fokusi dhe përgjegjësia më e lartë mbetet në nivele drejtuese dhe ato menaxheriale.

Megjithatë, sipas fakteve të cituara nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, më lejoni të ndaj me ju, se janë 336 referime penale për shkelje të konstatuara brenda strukturave të policisë dhe agjencive të tjera, të cilat janë në mbikëqyrjen e AMP, konkretisht Garda e Republikës dhe zjarrfikësit, dhe këto vetëm për vitin 2025. Që do të thotë kemi një agjenci, që funksionon, kemi një agjenci që jo vetëm mbledh informacion ndaj subjekteve të ligjit, por dhe i referon atë penalisht në organin e akuzës. Konkretisht kemi 444 punonjës të strukturave të referuar sipas niveleve të drejtimit. Janë 95 punonjës policie në nivel të parë drejtues. Pra, këto janë fakte, janë referime penale nga AMP në prokurori.

Çështjet vijojnë, ndiqen, disa prej tyre janë disponuar dhe me vendim gjykate. Kemi gjithashtu 330 punonjës në nivel zbatues dhe kemi në total 100 hetime proaktive vetëm për vitin 2025, ku fokusi ka qenë tek nivelet drejtuese. 133 persona të arrestuar ose ndaluar, mes tyre dhe punonjës policie, por gjithashtu dhe bashkëpunëtorë, qytetarë, të cilët kanë ndikuar ose kanë tentuar të ushtrojnë veprimtari të paligjshme në bashkëpunim me punonjës policie. Dhe këtu falënderoj qytetarët ku konkretisht 1,677 ankesa ndaj punonjësve të policisë, kanë ardhur pikërisht nga qytetarët të cilat janë marrë dhe adresuar me seriozitet nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe falë tyre është bërë e mundur dhe regjistrimi i çështjeve dhe referimi i tyre në prokurori.

Nuk po citoj masat disiplinore sepse ato janë një natyre më të lehtë. Megjithatë fokusi duhet të mbetet tek niveli drejtues dhe tek referimet penale. Gjatë vitit 2025 kemi aktualisht 180 punonjës, që janë nën hetim administrativ. Nëse janë shkelje të rënda sigurisht ligji parashikon qartë përjashtimin e tyre, nëse janë të lehta ka disa masa nga ulja në gradë edhe masa të tjera, të cilat parashikohen si në ligj po ashtu dhe në rregulloret e brendshme.

Ka pasur 54 përjashtime nga Policia e Shtetit, 179 punonjës policie të pezulluar. Tani, këto shifra që unë citova, janë shifra zyrtare që në fakt nuk duhet të përdoren për politikë, sepse gjithmonë është çështje këndvështrimi, nëse ne duam t’i shohim si problem gangrene, apo duam t’i shohim si një refleksion të institucionit që reagon. Unë besoj që kjo e fundit qëndron, pasi problemi mund të jetë aty po mund të fshihet dhe kjo është shqetësuese për një vend e shoqëri që synon të aderojë në BE. Por kur fenomeni është aty dhe adresohet, pa pasur droje për t’i përmendur shifrat ashtu siç janë, kokëforta, por që në fakt tregojnë pikërisht që institucionet reagojnë, e adresojnë problemin, por nuk fshihen të dhënat, atëherë unë mendoj që jemi absolutisht në rrugën e duhur. Inkurajoj e kërkoj çdo ditë dhe në raportet javore, si nga drejtuesit e policisë, po ashtu edhe nga drejtuesi i AMP, të konfirmojë me raste konkrete, edhe bashkëpunimin që ka me organin  e akuzës, si me Prokurorinë e Përgjithshme, ashtu edhe me SPAK, për të dëshmuar se kjo është një punë e përditshme dhe përtej se kush afektohet, ajo çfarë është e rëndësishme është reagimi i institucioneve shqiptare në mbrojtje të interesit publik dhe qytetarëve të vendit.

Më lejoni gjithashtu të theksoj se teksa Policia e Shtetit përballet me krimin, me emergjencat, me trafikun, me konfliktet familjare që ndodhin rëndom në qytete të ndryshme të Shqipërisë, me kontrollin e territorit dhe me çdo situatë që rëndon e cenon rendin publik, ajo ndeshet edhe me një tjetër sfidë, për fatin e saj të keq. Policia e Shtetit nuk ia ka borxh askujt që të bëhet pjesë e narrativave politike sidomos atyre për interesin e ditës. Policia e Shtetit ka detyrim ligjor t’i shërbejë vendit, qytetarëve, pa u ndikuar nga akuzat dhe balta e cila për fat të keq përfshin këdo, të madhe e të vogël. E pamë këtë ditën e djeshme, me zgjedhjen e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për të cilin do të kthehem më pas në minutat që do të kem, me një mesazh shumë të qartë për ju, jo nga unë, por nga një person që ju në fakt e keni zgjedhur e i keni besuar.

Kaq për këtë pjesë. Për pjesën më pas, rezervoj të drejtën të kem një ndërhyrje shumë të shkurtër, e cila siç e theksova nuk do të jetë reagim as me shifra, as me raporte ndërkombëtare, por me atë të një punonjësi që i ka shërbyer Policisë së Shtetit në nivel drejtues, shumë kohë më parë, i cili e njeh shumë mirë organizatën e Policisë së Shtetit, ndoshta shumë më mirë se çdokush tjetër në këtë sallë. Faleminderit.