Ministry of Internal Affairs

Kuvend – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, iu përgjigj në Kuvend interpelancës së kërkuar nga deputeti Balliu lidhur me ngjarjen, ku gjatë një operacioni policor humbi jetën efektivi i Policisë së Shtetit, Dëshmori i Atdheut Enea Mekolli, ndërsa mbeti i plagosur kolegu i tij, Edison Adri. Gjatë fjalës së tij, ministri Lamallari shprehu edhe një herë ngushëllimet për familjen e efektivit të rënë në krye të detyrës, duke theksuar se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë qenë pranë familjarëve që nga momentet e para të ngjarjes. Ai bëri të ditur se kanë nisur hetimet administrative dhe institucionale për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, duke garantuar se çdo përgjegjësi do të trajtohet mbi bazën e fakteve dhe përfundimeve të hetimit.

VIDEO – Fjala e plotë e ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari:

I nderuar Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputetë,

Ju falënderoj për interpelancën si një mundësi shumë e mirë për të komunikuar dhe me qytetarët, sidomos për këtë ngjarje shumë të rëndë. Personalisht kam qenë po aq i tronditur sa gjithë opinioni publik, dhe dëshmi për këtë është fakti që unë kam qenë që në momentet e para që jam njoftuar edhe nga policia, kam kërkuar dhe gjatë kohës që ishim në interpelancë, pra në seancë herën e fundit, mirëkuptimin tuaj që të largohesha fillimisht për të vizituar në Spitalin e Traumës efektivin, i cili ishte plagosur dhe gjithashtu për t’iu bashkangjitur Drejtorit të Përgjithshëm të policisë në Maliq, në fshatin ku jeton dhe familja e të ndjerit Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli. Megjithatë, ndoqa debatet sot për aqsa munda, duke qenë se kisha dhe angazhime të tjera të cilat, sigurisht, siç prania ime këtu në interpelancë është detyrim ligjor, por edhe bashkëpunimi dhe takimet me krerët e institucioneve të pavarura kushtetuese është gjithashtu detyrim ligjor dhe i shërben punës që unë mbaj.

Kështu që, patjetër, për sa i përket kësaj çështjeje, do të thoja që kam qenë i pranishëm në çdo interpelancë të kërkuar, në seancat me pyetje-përgjigje dhe nuk i shmangem kurrsesi, përveçse është detyrim ligjor, por as nuk e kam natyrë t’i shmangem as përgjegjësisë, por aq më tepër kur është detyrim ligjor. Për sa u përket pyetjeve që ju përmendët, sigurisht do të doja shumë t’i përgjigjesha secilës prej tyre, megjithatë më lejoni gjithashtu të them përpara, duke qenë se jemi përpara një ngjarjeje të rëndë, me humbje jete njerëzore, ku një efektiv i policisë nuk është më mes nesh dhe ashtu siç vlerësova minutën e heshtjes së mbajtur nga gjithë ju pa përjashtim, si shenjë nderimi dhe përuljeje e qytetarëve shqiptarë ndaj një punonjësi të shtetit shqiptar, ia shpreha këtë dhe familjarëve të vet, si në ditën kur unë mora lajmin, ashtu edhe në ditën më pas ku u zhvillua ceremonia e ndarjes përfundimisht me Dëshmorin e Atdheut, Enea Mekolli.

Padyshim, asgjë nuk e kthen pas një efektiv të rënë në krye të detyrës, dhe me përulësi i dorëzova familjarëve të vet certifikatën e statusit “Dëshmor i Atdheut”, lartësimi më i madh që i jepet një martiri të Policisë. Dhe ditën e djeshme gjithashtu akorduam një ndihmë financiare për familjet, dy familjet e Enea Mekollit dhe Edison Adrit dhe kjo sigurisht do të vijojë më tej.

Ju bëj me dije që kam iniciuar dhe procedurën për dhënien e mbështetjes financiare për familjen e Enea Mekollit, konkretisht të miturit që me datë 16, mbush vetëm 1 vjeç, për të përfituar nga ligji i miratuar nga kjo sallë, për fëmijët në mbrojtje të Republikës.

Pa dashur të zgjatem më tej në këtë aspekt, më lejoni gjithashtu të them se patjetër edhe pyetjet që adresohen, duke përjashtuar komentet, sigurisht i mirëkuptoj, por për sa i përket pyetjeve, do të doja shumë që të kisha një përgjigje, tani në këtë moment t’i ndaja me ju, por mund t’i përgjigjem vetëm pyetjes së fundit: Hetimi administrativ dhe përgjegjësia lidhur me rastin.

Në fakt nuk ka qenë një komunikatë formale e imja, ka qenë përmbushje e detyrës time funksionale, kur edhe kam kërkuar edhe publikisht, fillimin e një hetimi të plotë të ngjarjes.

Dhe mund t’ju komunikoj sot se: Po, ka nisur një hetim i tillë, si nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, si dhe nga AMP, siç është rasti për çdo ngjarjeje të rëndë.
Vetëm në përfundim të këtij hetimi, në mënyrë sa më të plotë, sa më shteruese, pa kurrfarë ndikimi politik apo çfarëdo natyre tjetër, brenda kohës së nevojshme, siç gjykohet nga hetuesit në këtë rast. Vetëm një hetim i tillë mund t’i japë përgjigje pyetjeve që ju keni adresuar dhe shumë të tjerave. Dhe nuk do të ishte as e përshtatshme, me peshën e përgjegjësisë që unë mbaj, me funksionin politik që mbart Ministri i Punëve të Brendshme, të përfshihet qoftë me komente të papërshtatshme, teksa zhvillohet një hetim.
Kështu që patjetër, në përmbushje të detyrimit tim ligjor për transparencë, por edhe çdo kërkese për informacion, do t’i ndaj këto të dhëna, sapo të kemi një përfundim të hetimeve, të cilat zhvillohen dita-ditës.

Padyshim, ju siguroj që hetimi do të jetë i plotë, shterues, sepse bëhet fjalë për t’i dhënë drejtësi një efektivi që nuk është më mes nesh. Shumë faleminderit!


Përgjigje në vijim për deputetin Balliu:

Në fakt, unë jam i bindur që i thashë të gjitha që më takonin për të thënë, duke iu përmbajtur pikërisht kufijve ligjor. E vetmja gjë që më ngeli pa thënë, është ajo çfarë unë ia thashë dhe familjarëvë të tij. I përjetshëm kujtimi i Enea Mekollit, emrit dhe veprës së tij dhe 232 martirëve të Policisë së Shtetit!