Ministry of Interior

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, prezantoi drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Në ceremoninë e zhvilluar në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Hoxha tha se, sot po hapet një kapitull tjetër në rrugën dhe përpjekjet e organizatës së Policisë së Shtetit për t’u rritur dhe zhvilluar.

“Përzgjedhja dhe emërimi i kreut të ri të Policisë, z. Ilir Proda, një oficer karriere që ka kaluar të gjitha shkallët e hierarkisë në këtë strukturë, besojmë të sjellë ritëm dhe dinamikë tjetër, duke filluar nga atrukturat drejtuese”, theksoi ministri i Brendshëm. Ai shprehu bindjen se, në fund të këtij procesi reformues, plotësohen kushtet për realizimin e synimit madhor për një polici të denjë dhe të krahasueshme me simotrat e vendeve evropiane.

Fjala e ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, në takimin prezantues të Drejtorit të ri të Policisë së Shtetit:

Mirëdita të gjithëve,

Së pari me lejoni t’ju komunikoj Vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 2.10.2024, për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në mbështetje të nenit 100 të kushtetutës dhe neneve 56/1 e 85/10, të Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi, z. Ilir Proda të emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duke i dhënë gradën Drejtues Madhor. Ku vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Suksese Drejtorit të Përgjithshëm!

Të nderuar drejtues të Policisë së Shtetit,

Sot hapim një kapitull të ri në rrugën dhe përpjekjet e organizatës së Policisë për t’u rritur dhe zhvilluar profesionalisht, edhe në mendësinë institucionale. Por, pa dashur të vazhdoj fjalën time, dëshiroj, – sipas protokollit, – që Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, të kryejë betimin e tij përpara drejtuesve të Policisë së Shtetit. Ceremonia zyrtare do të zhvillohet në një moment të dytë, pasi të ketë përfunduar i gjithë konkurrimi i drejtuesve të PSH, sipas procedurave që janë hapur tashmë, në zbatim të ligjit të ri për PSH.

Fjala për Drejtorin e Përgjithshëm:

I nderuar z. Ministër i Brendshëm,

Në këtë çast solemn, në respekt të veprës të të gjithë brezave të policisë shqiptare, në shenjë nderimi, detyrimi dhe respekti për gjakun e punonjësve të policisë, të rënë e të plagosur në krye të detyrës, në emër të të gjithë punonjësve të PSH, të vendosur për të mbrojtur rendin dhe sigurinë publike dhe për të garantuar zbatimin rigorozisht të ligjit, në nderin tim personal, betohem për të mbajtur me nder flamurin e Policisë së Shtetit! Betohem!

Ministri Hoxha: Përzgjedhja dhe emërimi i kreut të ri të Policisë së Shtetit, i cili është një oficer karriere që ju tashmë e njihni, ka kaluar të gjitha shkallët e hierarkisë në strukturën e PSH, besojmë se të sjellë një ritëm e dinamikë tjetër në gjitha strukturën dhe organizatën e policisë.

Me këtë rast, shpreh bindjen time se, në fund të këtij procesi reformues të strukturave drejtuese të policisë, kushtet për realizimin e synimit tonë madhor, krijimin e një policie bashkëkohore, si një strukturë e denjë, e krahasueshme me ato të vendeve evropiane.

E vetmja vështirësi e Drejtorit të ri, edhe kjo në aspektin pozitiv, mbetet standardi në të cilin është ngritur performanca e Policisë së Shtetit, e cila duhet të vijë në rritje dhe konsolidim.

Ambicia jonë nuk është rezultat i një dëshire të brendshme, as një ndjesi çasti, por vjen si pasojë e një analize të thelluar të potencialeve që ne kemi tashmë në radhët e policisë dhe mundësive për t’u ngritur në një nivel tjetër.

Nga sot, prej Policisë së Shtetit ne presim, së pari, qëndrueshmërinë e rezultateve, por sidomos rritjen sa më të shpejtë të cilësisë së shërbimit në të gjitha departamentet dhe sektorët.

Procesi i reformave në gjirin e organizatës do të zhvillohet duke marrë në konsideratë ecurinë dhe rezultatet e çdokujt, në të gjitha nivelet, me qëllim që ky proces të jetë sa më i dobishëm dhe me efekt në radhë të parë për të ardhmen e vetë policisë.

Ne duam të arrijmë ato objektiva, që i konsiderojmë brenda rrezes së mundësive tona. E përsëris se unë besoj fort që, nuk ka asnjë objektiv të pamundshëm, sado ambicioz në pamje të parë. Emërimi i Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë në këtë detyrë, është hapi i parë, që do të pasohet nga një sërë ndryshimesh në qendër e drejtoritë vendore, që do të plotësojnë kuadrin e reformave që kemi nisur.

Përfitoj nga rasti t’i komunikoj çdo oficeri të Policisë së Shtetit, se në procesin e përzgjedhjes së të gjithë stafeve dhe drejtuesve të policisë, nuk do të ndikojë faktorë të tjerë, përpos meritës, integritetit dhe profesionalizmit në punë. Promovimi në karrierë duhet të shihet vetëm brenda dy shtyllave: meritokracia dhe integriteti profesional.

Duam ta formatojmë sa më shpejt Policinë e Shtetit, atë që tashmë ka arritur në një standard shumë të lartë sidomos nën dritën dhe faktin, që Shqipëria po hyn në fazën e negocimit për anëtarësimin në BE.

Ambicia jonë për të pasur një polici të standardeve evropiane është në të njëjtën linjë me zhvillimet e vendit dhe aspiratave tona të përbashkëta për të ardhmen.

Jemi realisht në një fazë me zhvillime të rëndësishme historike, prandaj angazhimi dhe kontributi i dhënë ndër vite nga të gjithë drejtuesit e policisë, sidomos nga paraardhësit tuaj, do të marrin pa diskutim vlerat e duhura.

Dua të falënderoj sinqerisht secilin drejtues të Policisë së Shtetit deri më sot, për kontributin e dhënë në mbrojtje të ligjit dhe sigurinë e qytetarëve, duke i garantuar se përkushtimi i tyre ndaj uniformës ka bërë të mundur të arrijmë nivelet e sotme të profesionalizmit, çka përbën një bazament të sigurt për të thelluar më tej këtë trend transformues të organizatës.

Kemi nisur procesin e dorëzimit të stafetës në duart e një gjenerate të re punonjësish të policisë, të cilët kanë fatin ta nisin punën nga një stad i ri duke respektuar me mirënjohje të gjithë punën e drejtuesve paraardhës. Kjo gjeneratë drejtuesish i ka të gjitha kushtet për ta ngritur Policinë e Shtetit në nivelin e trupave më të mira të policive të BE-së. Unë dëshiroj t’ju uroj suksese, të nisim punën pa humbur kohë! Faleminderit të gjithëve që ishit sot këtu!

Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda: Një falënderim për besimin që më ka dhënë Kryeministri dhe ju z. Ministër për të ushtruar këtë detyrë me përgjegjësi të lartë. Dhe, pa dashur të përsëris ato që thatë ju në fjalim, sepse ishte shterues dhe gjithëpërfshirës, duke qenë se jemi në procesin e implementimit dhe procese të reja konkurruese, garantoj vetëm një gjë, që ato do jenë të bazuara mbi performancën që ka çdo drejtues që do të konkurrojë për ato pozicione pune dhe integritetin. Asnjë faktor tjetër nuk do ndikojë. Për këtë jap garanci maksimale. Faleminderit.