Ministry of Internal Affairs

Reagim i Kryeministrit Edi Rama, mbi ngjarjen e ndodhur sot në Korçë:

Gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari, që prej vitesh i fshihej ligjit në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte arritur t’u ikte rrethimeve të forcave të rendit, ka humbur jetën një efektiv policie e është plagosur një i dytë, ndërkohë që pasi ka hapur  zjarr ndaj tyre u plagos dhe u kap edhe krimineli!

Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër!

Ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit, që nuk do të ndalet asnjëherë në misionin e saj!

Reagim i ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari:

Sot një familje humbi njeriun e saj të dashur, Policia e Shtetit humbi një koleg, Shqipëria humbi një shërbëtor të përkushtuar të ligjit.

Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal të rëndë në Maliq, një sulm jo vetëm ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, por ndaj vetë rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve. Autori do të përballet me të gjithë forcën e ligjit dhe nuk do të ketë asnjë mundësi t’i shpëtojë drejtësisë.

Ngushëllime familjes Mekolli, kolegëve dhe të afërmve të Eneas, që sakrifikoi jetën në përmbushje të misionit të tij fisnik. Sakrifica e tij do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje. Efektivit të plagosur, Edison Adri, i uroj shërim të shpejtë dhe rikthim sa më parë pranë familjes dhe kolegëve të tij.

Policia e Shtetit do të vazhdojë me vendosmëri misionin në mbrojtje të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve. Sakrifica e Enea Mekollit nuk na ndal, por na forcon në betejën kundër krimit. Nderimi më i madh për të është të vijojmë detyrën me të njëjtin guxim, përkushtim dhe integritet që ai tregoi deri në fund.

Informacion paraprak i DVP Korçë

Humbet jetën në krye të detyrës 1 punonjës policie, si dhe plagoset një tjetër punonjës policie, nga sulmi me armë zjarri nga një person i kërkuar, i cili u neutralizua dhe u plagos gjatë  shkëmbimit të zjarrit gjatë një operacioni për kapjen e tij.

Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një personi të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Komisariatit të Policisë Maliq dhe të Komisariatit të Policisë Korçë, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia Maliq.

Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor E. M., 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor E. A., 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë). Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.

Në drejtim të vendit të ngjarjes është nisur helikopteri i shëndetësisë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë, ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës Policie dhe mbeti i plagosur një tjetër punonjës i Policisë.