Ministry of Internal Affairs

Ministria e Punëve të Brendshme publikon për konsultim publik projektvendimin “Për disa ndryshime në vendimin nr. 1117, datë 16.12.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Menaxhimit të Integruar të Kufirit 2021–2027 dhe të Planit të Veprimit 2021–2023’, të ndryshuar”. Projektvendimi synon miratimin e Planit të Veprimit 2026–2027, në vijim të Planit të Veprimit 2024–2025, periudha e zbatimit të të cilit përfundoi në dhjetor 2025. Dokumenti përcakton prioritetet dhe masat konkrete për vijimin e zbatimit të Strategjisë Ndërsektoriale të Menaxhimit të Integruar të Kufirit 2021–2027.

Vizioni i këtij dokumenti është garantimi i një qarkullimi të sigurt të shtetasve dhe mallrave përmes kufirit shtetëror, si dhe marrja e masave për parandalimin dhe goditjen e të gjitha formave të krimit ndërkufitar dhe migrimit të parregullt. Në këtë kuadër, objektivi kryesor është zhvillimi i një sistemi të integruar të administrimit të kufirit, në përputhje me standardet evropiane të mbikëqyrjes kufitare, përmes forcimit të sigurisë, rritjes së kapaciteteve institucionale dhe përmirësimit të bashkëpunimit ndërmjet strukturave përgjegjëse.

Plani i Veprimit 2026–2027 parashikon një sërë ndërhyrjesh dhe masash që përqendrohen në:

  • Përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, në funksion të përafrimit me acquis të Bashkimit Evropian;
  • Forcimin e kapaciteteve për analizën e riskut dhe përmirësimin e sistemeve teknologjike të kontrollit dhe mbikëqyrjes kufitare;
  • Rritjen e kapaciteteve njerëzore, profesionale dhe operacionale të autoriteteve dhe agjencive që veprojnë në kufi;
  • Intensifikimin e bashkëpunimit ndërkufitar me vendet fqinje, vendet e rajonit, shtetet anëtare të BE-së dhe agjencitë e organizatat ndërkombëtare;
  • Përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional për kërkimin dhe shpëtimin e personave në situata të rrezikshme në det;
  • Krijimin e mekanizmave për kontrollin e cilësisë dhe garantimin e respektimit të të drejtave të njeriut gjatë administrimit të kufirit.

Miratimi i këtij plani lidhet gjithashtu me përmbushjen e detyrimeve kombëtare në kuadër të procesit të integrimit evropian, veçanërisht me avancimin e negociatave për Kapitullin 24 të acquis të BE-së, që lidhet me Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, ku menaxhimi i integruar i kufirit përbën një element thelbësor. Plani do të shërbejë si instrument orientues dhe koordinues për institucionet përgjegjëse gjatë periudhës 2026–2027, duke përcaktuar detyrat, përgjegjësitë dhe burimet e nevojshme për realizimin e objektivave të përbashkëta.

Ministria e Punëve të Brendshme fton qytetarët, institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe të gjithë të interesuarit të njihen me projektaktin dhe të kontribuojnë me komente dhe sugjerime gjatë procesit të konsultimit publik, deri në 1 dhjetor 2026.

Shkarko dokumentet