Ministry of Internal Affairs

Tiranë – Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu dhe Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari morën pjesë në Forumin Kombëtar me temë “Mbrojtja e Viktimave të Krimit: Një Sistem që Dëgjon, Mbron dhe Përkrah”, në kuadër të hapjes së Javës Ndërgjegjësuese për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit. Forumi shërben për të evidentuar progresin e arritur deri tani, në zbatimin e politikave për mbrojtjen e viktimave, si edhe për të riafirmuar përgjegjësinë politike dhe institucionale në adresimin e kësaj çështjeje me prioritet kombëtar.

Në fjalën e saj, ministrja Koçiu theksoi se puna e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë shpesh matet me operacione, arrestime dhe statistika, por përtej çdo dosjeje dhe procedure qëndron një histori njerëzore dhe një viktimë që ka nevojë për mbrojtje reale dhe dinjitoze. “Një sistem i fortë i sigurisë nuk matet vetëm me aftësinë për të ndëshkuar autorin, por mbi të gjitha me aftësinë për të mbrojtur dhe përkrahur viktimën,” u shpreh ajo.

Ministrja nënvizoi rëndësinë e zbatimit të Strategjisë Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit 2024–2030, e cila synon ndërtimin e një sistemi të integruar dhe të koordinuar, që garanton informim, trajtim me dinjitet, parandalim të viktimizimit dytësor dhe mbështetje në çdo fazë të procesit penal. Gjatë vitit 2025, Policia e Shtetit ka trajtuar mbi 5,500 raste dhune në marrëdhëniet familjare, ka referuar mbi 2,300 raste për veprën penale “Dhunë në familje” dhe ka evidentuar 158 raste të krimeve seksuale, nga të cilat 156 janë zbuluar. Paralelisht, janë forcuar strukturat e specializuara, janë përmirësuar procedurat standarde dhe janë ngritur Njësi Miqësore Intervistimi për fëmijët dhe të miturit, si pjesë e qasjes ‘me në qendër viktimën’.

Ministrja Koçiu theksoi gjithashtu rëndësinë e linjave telefonike falas 24/7 (112, 116 006), trajnimin e rreth 700 punonjësve të policisë për trajtimin profesional të rasteve të dhunës në familje dhe me bazë gjinore, si dhe forcimin e mekanizmave kundër trafikimit të qenieve njerëzore, përmes ngritjes së komiteteve rajonale antitrafikim në 12 qarqet e vendit dhe konsolidimit të Mekanizmit Kombëtar të Referimit. Një dimension i rëndësishëm i kësaj politike mbetet edhe përdorimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara për interes publik, duke i vënë ato në funksion të strehimit social dhe rehabilitimit të viktimave të trafikimit, si një mesazh i qartë se pasuria e përfituar nga krimi rikthehet në shërbim të qytetarëve.

Në përfundim, dy ministrat theksuan se sfidat mbeten dinamike, sidomos përballë formave të reja të kriminalitetit, por institucionet janë të vendosura të vijojnë ndërtimin e një sistemi drejtësie që jo vetëm ndëshkon, por dëgjon, mbron dhe përkrah viktimën, duke rritur ndjenjën e sigurisë dhe besimin e qytetarëve tek shteti.