Ministry of Internal Affairs

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, deklaroi në Kuvend se e drejta për të protestuar paqësisht është e garantuar dhe se Policia e Shtetit ka detyrimin ta mbrojë atë, por theksoi se dhuna ndaj punonjësve të policisë, institucioneve dhe bizneseve nuk mund të justifikohet nga asnjë kauzë politike. Gjatë diskutimit parlamentar për aktin normativ nr. 5, që ndryshon ligjin “Për tubimet”, ministri iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me nevojën për masat e reja, proporcionalitetin e reagimit policor dhe respektimin e të drejtave kushtetuese.

Demo argumentoi se ndërhyrja ligjore erdhi në një situatë kur, sipas tij, institucione shtetërore, institucione të pavarura, punonjës të Policisë së Shtetit dhe biznese private ishin përballur me sulme dhe akte dhune gjatë protestave në Tiranë.

“Në momentin që akti normativ ka dalë, institucionet shtetërore, Policia e Shtetit, bizneset private, institucionet e pavarura, Gjykata e Lartë, Gjykata e Apelit, Banka e Shqipërisë, kanë qenë nën një sulm barbar”, deklaroi ministri, duke e cilësuar situatën si emergjente.

Ministri u ndal veçanërisht te përgjegjësia e Policisë së Shtetit për të vepruar në përputhje me ligjin dhe për të respektuar proporcionalitetin gjatë ndërhyrjeve.

Ai bëri të ditur se 9 punonjës policie janë pezulluar gjatë protestave, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po heton administrativisht 50 raste. Sipas ministrit, Policia e Shtetit dhe AMP-ja po bashkëpunojnë gjithashtu me prokurorinë për rastet e referuara.

“Qëndrimi im si Ministër i Brendshëm ka qenë konstant që në ditën 1, që Policia e Shtetit duhet të zbatojë ligjin, Policia e Shtetit duhet të tregojë masa proporcionale në reagim dhe në ato raste kur ka pasur tejkalim të proporcionalitetit, ne kemi marrë masat e duhura”, u shpreh Demo.

Ministri theksoi se përgjegjësia përpara ligjit është e njëjtë si për qytetarët, ashtu edhe për punonjësit e Policisë.

“Unë nuk diferencoj një punonjës policie që mban uniformën e Policisë së Shtetit, i cili mund të shkelë ligjin, nga një qytetar që shkel ligjin. Ligji është i barabartë për të dy. Policia duhet të garantojë të drejtën për të protestuar kundër kujtdo”, tha ai.

Duke iu përgjigjur akuzave se masat synojnë kufizimin e protestave, Demo deklaroi se mbrojtja e protestës paqësore është detyrim kushtetues dhe përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Policisë së Shtetit.

“Qytetarët kanë të gjithë të drejtën për të protestuar për çdo gjë kundër meje, kundër qeverisë, kundër kujtdo. Është e drejta e tyre. Dhe Policia e Shtetit duhet aty për ta garantuar këtë të drejtë kushtetuese”, theksoi ministri.

Ai nënvizoi se ushtrimi i kësaj të drejte nuk mund të shoqërohet me dhunë ndaj qytetarëve, punonjësve të policisë, institucioneve apo pronës private.

Sipas Demos, mbrojtja e qytetarëve dhe respektimi i të drejtës së protestës janë përgjegjësi që duhet të përmbushen njëkohësisht.

Krahasimi me vendet europiane dhe kritikat ndaj opozitës

Në fjalën e tij, ministri iu referua edhe legjislacionit të vendeve europiane, duke përmendur Italinë, Francën, Gjermaninë dhe Spanjën si shembuj të shteteve që parashikojnë masa ndëshkuese për shkelje të caktuara gjatë tubimeve. Demo argumentoi se mbrojtja e rendit publik dhe ndëshkimi i dhunës nuk bien në kundërshtim me parimet demokratike, duke theksuar se institucionet kanë detyrimin të garantojnë njëkohësisht liritë kushtetuese dhe sigurinë publike.

Ministri kritikoi gjithashtu qëndrimin e opozitës ndaj episodeve të dhunshme gjatë protestave, duke i kërkuar Partisë Demokratike të shprehet qartë kundër sulmeve ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve.

“Punonjësit e policisë nuk mbrojnë parti politike. Punonjësit e policisë mbrojnë atë çfarë ligji parashikon”, deklaroi ai.

Në përfundim të fjalës, Demo ngriti edhe pyetjen nëse Partia Demokratike kishte dijeni apo rol në organizimin e grupeve të caktuara për ushtrimin e dhunës në Tiranë, pa paraqitur gjatë kësaj ndërhyrjeje prova për një përfshirje të tillë.

Në mesazhin kryesor ministri theksoi se Policia e Shtetit duhet të garantojë protestën paqësore, të mbrojë jetën dhe pronën e qytetarëve dhe të mbajë përgjegjësi për çdo tejkalim të kompetencave gjatë ushtrimit të detyrës.

 

 

Replika e ministrit Demo në Kuvend:

 

Faleminderit, Kryetar!

Të nderuar deputetë,

Në fakt, unë kam respektin maksimal për të gjithë deputetët e këtij parlamenti dhe asnjëherë nuk do të doja të personalizoja debatin, dhe aq më tepër t’i referohesha kolegëve me terma personalë.

Gjithsesi, secili zgjedh vetë se si e bën këtë detyrë, dhe unë nuk mundem kurrsesi, para se të filloj fjalën, mos të adresoj disa prej pikave që u ngritën nga kolegët e Partisë Demokratike.

Së pari, është e vërtetë që janë ndaluar mbi 200 protestues që kanë qenë minorenë. Dhe kjo është një kambanë alarmi, për sa i përket një fenomeni i cili është tejet i rrezikshëm. Është e pafalshme që grupe të caktuara, edhe politike, i përdorin minorenët për të mbuluar aktet e dhunës.

Është po ashtu e vërtetuar tashmë edhe në proceset gjyqësore që minorenë të caktuar janë paguar për të ushtruar dhunë në protestë.

Unë besoj që nëse do të kishte një gjë që do të bënte bashkë të gjitha forcat politike, do të ishte refuzimi me neveritë i kujtdo që përdor minorenë për akte dhune. Asnjë minoren nuk e ka vendin në protestat e dhunshme. Askush. Ata duhet të jenë në bankat e shkollës, ata duhet të jenë nën kujdesin e mësuesve dhe patjetër të familjes.

Dhe që ne mos të dëgjojmë nga asnjë palë, nga të gjithë partitë e opozitës, që të dënojë këtë veprim, unë e shikoj tejet shqetësuese. Përsëri, secili zgjedh ta ushtrojë funksionin e vet dhe rolin publik sipas dëshirës.

Nuk mundet që po ashtu në këtë parlament, unë besoja që nuk ju dëgjoja kurrë, me thënë të drejtën, por dëgjojmë shprehje raciste. Sepse një kolege e nderuar e opozitës doli dhe tha që protestat që ndodhin në Francë dhe Itali i bëjnë emigrantët, i bëjnë ata të cilët nuk janë italianë ose francezë, që kjo është e tmerrshme, sepse nuk ka asnjë forcë politike në këto vende që i drejtohet protestuesve me këtë gjuhë. Edhe e bëjmë ne nga Shqipëria. Ne e zgjidhëm problemin e Italisë dhe Francës duke thënë që atje problemet i paskan emigrantët. Ndërkohë ata janë francezë dhe italianë, të natyralizuar, patjetër. Por nuk e di, kurajë e madhe edhe kjo.

Për sa i përket të dëmtuarve, po duhet ta nënvizoj këtë fakt, sepse është shumë e rëndësishme. nga numri total i të dëmtuarve, që është 300 e pak, mbi 200 kanë qenë punonjës të policisë. Dhe ky është përsëri një fakt shumë shqetësues, se si kolegë çohen në këtë foltore, flasin për vizita që bëjnë nëpër spitale, kërkojnë që kur shkojnë ata në spital duhet të jetë i gjithë shteti aty, duke përfshirë edhe mua, pavarësisht se unë kam qenë çdo natë në spital dhe nuk e kam bërë publike këtë gjë. Sepse kur shkohet në spital, shkohet për të vizituar ata të cilët janë lënduar, policë apo protestues? Jo si disa deputetë që shkojnë, shkojnë nëpër spitale për të bërë reels-et e radhës edhe për me i vajt edhe protestuesve të cilët janë lënduar, dhe askush nuk shkon te polici. Sepse kjo nuk mund të jetë show. Çdo ditë kam qenë në spital.

Është e tmerrshme që me dhunën, me të dëmtuarit, me këtë situatë të bëhen dhe barsaleta që vijnë këtu dhe bëjnë barsaleta në parlament. Patjetër, prapë është zgjedhja e tyre.

Unë nuk e di nëse është ndaluar njeri duke kaluar në rrugë, sepse është qesharake, por do të isha shumë i lumtur, do të isha shumë i lumtur që në qoftë se ka një rast të vetëm, do t’i shkoja deri në fund. Por ama, që të ketë grumbull njerëzish që bllokojnë rrugët e kryeqytetit, dhe pretendojnë ta bëjnë këtë gjë në liri, unë nuk e di ku e shohin në një vend demokratik.

Unë nuk e di, sepse iu referuan edhe atyre protestuesve që dalin kur ne kemi vizita shtetërore në vende të ndryshme. A i keni parë si rrinë ata? Në krahun tjetër të trotuarit. Në rresht atje. Asnjë polic nuk është atje. Dhe ata nuk guxojnë ta bllokojnë rrugën. Po pse nuk e bllokojnë rrugën andej? Pse nuk bllokohet rruga në vendet demokratike? Ia keni bërë ndonjëherë vetes këtë pyetje? Dhe a ia keni bërë vetes pyetjen kur ata hedhin sende të forta se çfarë ka bërë Policia me ta? Bëjeni këtë pyetje.

Në fakt, Policia e shtetit se këtu u përdor fjala shtetrrethim, dhe një koleg m’u drejtua që unë e paskam çarë “shtetrrethimin” dhe paskam marrë unë parlament sot, që është qesharake, sepse unë kam qenë në çdo seancë të këtij parlamenti, edhe gjatë protestave. Por po i referohem kësaj fjale, këtij termi që u përdor nga një koleg i opozitës.

Në fakt, Policia ishte aty për ta çarë “shtetrrethimin”, që protestues të dhunshëm në mënyrë të organizuar deshën të bënin në Tiranë, dhe e bënë, në fakt.

Policia e Shtetit ishte aty, që të çlironte Tiranën nga dhunuesit, të cilët deshën ta shkatërronin dhe, në fakt, shkatërruan mjaft.

Policia e Shtetit ishte aty për të ndihmuar të gjithë ato biznese që për 3 javë nuk arritën dot të ushtronin aktivitetin normal në kryeqytet.

Policia e Shtetit ishte aty që t’i mbronte këto biznese, dhe kur kishte protesta të dhunshme dhe, patjetër, ne nuk ia dolëm në të gjitha rastet. Dhe ne kemi pasur me qindra biznese të dëmtuara, mbi 30 banka janë dëmtuar, gjatë protestës, mbi 30 banka të nivelit të dytë.  Është sulmuar Banka e Shqipërisë. Dhe unë nuk dua të deklasifikoj këto informacione, se çfarë ndodh atje me Bankën e Shqipërisë dhe se çfarë do të ndodhte nëse atje do të kishe dëm.

Po këto pyetje nuk kanë vlerë, me sa kuptoj unë, për një pjesë të njerëzve që shikojnë atë lloj përplasjeje në televizor si teatër. Dhe bëjnë, dhe bëjnë tifozllik.

Sepse në fakt institucionet janë aty për të pasqyruar integritetin e vendit. Sepse janë aty për të garantuar rendin kushtetues.

Policia e Shtetit e ka detyrim ligjor që, në fakt, duhet të bëjë dy gjëra njëkohësisht: Të ndalojë aktet e dhunës dhe cilindo që shkel ligjin, por në të njëjtën kohë duhet të garantojë protestat paqësore.

Nuk ka absolutisht asnjë hezitim nga ne që ne jemi këtu, unë si Ministër i Brendshëm jam këtu, Policia e Shtetit është atje, për të garantuar çdo protestë paqësore, siç e parashikon ligji. Nuk do ta dëgjoni asnjëherë rastin kur Policia të ndalojë një protestë paqësore. Por ama, Policia e Shtetit është aty, kur ligji parashikon që nuk ka grupim që mund të bllokojë rrugën, dhe Policia e Shtetit merr masa në bazë të ligjit. Pse qenka dhunuese Policia? Që një grumbull individësh duan të ndalojnë jetën në kryeqytetin e Shqipërisë. Ku e gjejnë këtë të drejtë?

Në qoftë se ke një grup dhunuesish të cilët dhunojnë institucionet publike, bizneset private, institucionet e pavarura, Policia e Shtetit duhet të jetë aty për ta ndaluar dhe patjetër të bëjë maksimumin për të vënë para ligjit këdo që e ka shkelur atë.

Dhe patjetër ne jemi këtu për të garantuar që nëse ka shkelje ligji nga çdo punonjës policie, si rrjedhojë e veprimeve individuale, ne jemi këtu që të garantojmë që patjetër dhe ligji të zbatohet për ta, për çdo shkelje që ata kanë bërë. Dhe ne e kemi bërë këtë gjë.

Ndërkohë, mund të vazhdojnë të tregojnë barsaleta, mund të vijnë këtu dhe ta shikojnë atë ngjarje vetëm kur protestuesit ndalohen nga Policia.

Unë nuk e di se si Policia e Shtetit mund të ndalojë dikë i cili nuk zbaton thirrjet e Policisë së Shtetit. Unë nuk e di nëse deputetët e opozitës e kanë dënuar pa ekuivok dhunën që është ushtruar ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit.

Unë nuk e di në qoftë se kanë dalë dhe kanë bërë thirrje për të ndaluar dhunën. Unë nuk e di në qoftë se këtu ka deputetë të dalin dhe të thotë që në datën 28 nëntor, një ditë e shenjtë për të gjithë shqiptarët, askush nuk duhet të bëjë dhunë. Dilni dhe bëjeni këtë gjë. Bëjeni thirrje të gjithë protestuesve që duan të dalin datën 28, mos të ushtrojnë dhunë. Dhe ja u bëra një pyetje më parë, dhe po e bëj përsëri. A është Partia Demokratike pas organizimit të grupeve të dhunshme në protestat që kanë ndodhur në Tiranë? Këtë pyetje e kam unë dhe i bëj dhe një thirrje tjetër të bëjnë kujdes për datën 28 nëntor!