Ministry of Internal Affairs

Tiranë – Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, zhvilloi një takim me Ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë dhe partneritetit strategjik mes dy vendeve në fushën e sigurisë.

Në fokus të takimit ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh në siguri, migracion dhe menaxhimin e kufirit, mbështetur në kuadrin e konsoliduar të marrëveshjeve dhe protokolleve mes Shqipërisë dhe Italisë.

Ministri Demo vlerësoi veçanërisht bashkëpunimin mes strukturave ligjzbatuese të dy vendeve në hetimet dhe operacionet e përbashkëta kundër krimit të rëndë e të organizuar, trafikimit të narkotikëve dhe qenieve njerëzore, si dhe parandalimit të veprimtarive kriminale ndërkufitare.

Gjatë takimit u vlerësua gjithashtu mbështetja dhe ekspertiza italiane në forcimin e kapaciteteve hetimore dhe ndërinstitucionale, zhvillimin profesional të agjencive ligjzbatuese dhe përmirësimin e mjeteve operative.

Ky bashkëpunim, theksoi ministri Demo, kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e sigurisë së qytetarëve dhe në përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të Kapitullit 24 të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.