Ministry of Internal Affairs

Shkodër – Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, mori pjesë në mbledhjen e Këshillit Vendor të Sigurisë në Shkodër, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duke vënë theksin te forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve vendore dhe komunitetit për parandalimin dhe adresimin në kohë të problematikave të sigurisë.

Demo e cilësoi Këshillin Vendor të Sigurisë një instrument të pazëvendësueshëm në nivel lokal, pasi bashkon bashkinë, Policinë e Shtetit, strukturat arsimore, administratorët dhe aktorë të tjerë të komunitetit për të identifikuar problematikat reale në territor dhe për të ndërtuar zgjidhje të përbashkëta.

“Policia e Shtetit e ka shumë të vështirë ta përmbushë misionin e vet, nëse nuk gëzon besimin dhe bashkëpunimin me qytetarët. Rritja e besimit fillon duke pasur komunikim të hapur me përfaqësuesit e komunitetit”, u shpreh ministri.

Duke u ndalur te specifikat e Shkodrës, Demo theksoi se siguria publike është një kusht i domosdoshëm për zhvillimin e turizmit, krahas sigurisë në shkolla, qarkullimit rrugor, emergjencave civile dhe kontrollit të territorit. Sipas tij, shtrirja e madhe gjeografike dhe zhvillimi i turizmit kërkojnë një qasje të targetuar dhe bashkëpunim të vazhdueshëm mes institucioneve.

“Unë këtu jam si Ministër i Brendshëm, por kam disa kapele. Kapelja e parë patjetër për Këshillin e Sigurisë është dhe si Ministri i Brendshëm që mbulon Pushtetin Vendor. Kapelja e dytë është si Ministri i Brendshëm, që mbulon çështjet e sigurisë dhe patjetër Policinë e Shtetit. Por kam edhe një kapele të fshehur, që unë nuk e kam hequr dot nga brezi që është ajo e ish-kryetarit të bashkisë, që duke e njohur fare mirë se sa e rëndësishme është kjo sinergji që duhet të krijohet midis institucioneve. Jam i bindur që në Shkodër është treguar edhe me punën që ka bërë kryetari i bashkisë me një qasje të re, e cila ka sjellë zhvillim të gjithë qarkut, por patjetër duke filluar nga bashkia e Shkodrës”, theksoi ministri i Brendshëm.

Ai lajmëroi gjithashtu një rol më aktiv të Prefekturave në territor, jo vetëm në koordinim, por edhe në vlerësimin në kohë reale të situatave, duke bërë të ditur se së shpejti do të ndërmerren nisma specifike për riorganizimin e strukturës së tyre. Në përmbyllje, Demo dha një mesazh të qartë për të gjithë aktorët vendorë.

“Të gjithë mund të bëjmë shumë. Të bërit më shumë për komunitetin bëhet më e lehtë nëse e bëjmë së bashku. Jemi të gjithë në një barkë dhe të gjithë vozisim në të njëjtin drejtim: mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve të qarkut të Shkodrës”, u shpreh ministri Demo.