Ministry of Internal Affairs

Tiranë – Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, mori pjesë në Forumin Strategjik të Bashkëpunimit Ballkanik, ku theksoi rëndësinë e thellimit të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë, përmes bashkëpunimit ekonomik, rajonal, akademik dhe në fushën e sigurisë. Në fjalën e tij, ministri Demo nënvizoi se marrëdhëniet mes dy vendeve mbështeten në lidhje historike, tradita të përbashkëta dhe bashkëpunim mes njerëzve, të cilat krijojnë një bazë të qëndrueshme për zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit.

“Partneriteti ynë strategjik është para së gjithash një realitet i ndërtuar nga vetë njerëzit, shumë kohë më përpara se të shkruhej ndonjë dokument. Megjithatë, nevoja për t’u takuar, për të shkëmbyer ide dhe formate si ky i sotëm, mbetet gjithmonë shumë i rëndësishëm. E jo më kot, në tempullin e Apolonit në Delfi ishte shkruar “Njih vetveten”, të njohësh veten është thelbësore, të njohësh fqinjin e shokun edhe më e rëndësishme.  Të njohim më mirë njëri-tjetrin do të thotë të gjejmë mekanizmat e rinj të bashkëpunimit dhe të eksplorojmë së bashku fusha të reja”, nënvizoi ai.

Duke iu referuar bashkëpunimit ekonomik, ai bëri të ditur se shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Greqisë kanë kaluar 1 miliardë euro, ndërsa në tregun shqiptar operojnë më shumë se 300 kompani greke. Sipas ministrit, potenciale të mëtejshme bashkëpunimi ekzistojnë në infrastrukturë, logjistikë, turizëm, teknologji, inovacion dhe tranzicionin e gjelbër.

Një vëmendje të veçantë Demo i kushtoi bashkëpunimit rajonal përmes programit Interreg, ku Shqipëria dhe Greqia po zbatojnë 20 projekte me vlerë të përgjithshme 25 milionë euro, me pjesëmarrjen e 55 partnerëve, rreth gjysma e të cilëve janë bashki. Projektet përfshijnë fusha me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, nga eko-turizmi te infrastruktura dhe zhvillimi lokal.

Në cilësinë e ministrit të Punëve të Brendshme, Demo vuri theksin edhe te forcimi i bashkëpunimit për menaxhimin e kufijve, në përputhje me standardet e Schengen-it, luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit, si dhe mbrojtjen civile. Ai solli si shembull përvojën e bashkëpunimit ndërkufitar mes strukturave zjarrfikëse të Shqipërisë dhe Greqisë, që ka kontribuar në rritjen e kapaciteteve logjistike dhe profesionale për përballimin e emergjencave.

“Ne jemi të vendosur të thellojmë këtë dialog dhe bashkëpunimi për menaxhimin e kufijve, sidomos në përputhje me standardet e Schengen, për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit, si dhe për mbrojtjen civile. Ekziston edhe një pamje më e gjerë, rajoni i Adriatiko-Jonian, ku po bëhet një portë hyrëse, në fakt, për sigurinë energjetike, transportin dhe koordinimin në fushën e mbrojtjes, ndërsa gazsjellësi TAP, tashmë kalon nëpërmjet të dy vendeve tona. Kjo na jep një mundësi ta shndërrojmë hapësirën tonë të përbashkët në një zonë shumë më të rëndësishme, për investimet e huaja, mundësitë e reja dhe standardet më të larta po ashtu të qeverisë”, tha Demo.

Ministri vlerësoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit akademik dhe të marrëdhënieve ndërmjet universiteteve të dy vendeve, duke theksuar se shkëmbimet e studentëve dhe studiuesve krijojnë mundësi të reja për zhvillim dhe ndërkombëtarizim. Duke folur për integrimin europian të Shqipërisë, Demo vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për këtë proces dhe shprehu bindjen se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vijojë të jetë i rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, me synimin e Shqipërisë për përmbylljen e kapitujve të negociatave deri në vitin 2027.

Fjala e plotë e ministrit Demo:

Përshëndetje të gjithëve!

Zoti Kryetar i Parlamentit,

Shkëlqesia Juaj, Ambasadore Komini,

I nderuar koleg, zëvendësministër Gioulekas,

Të dashur miq, shqiptarë dhe grekë,

Është kënaqësi e madhe për mua të marr pjesë në Forumin Strategjik të Bashkëpunimit Ballkanik, të themeluar në vitin 2013, ku po në atë vit qeveria shqiptare e ka shpallur Greqinë partner strategjik. Për shekuj me radhë Shqipëria dhe Greqia kanë jetuar në të njëjtën hapësirë, kanë përdorur të njëjtat rrugë tregtare, dhe kanë ndarë tradita shumë të ngjashme, si dhe një mënyrë të përbashkët jetese. Pikërisht për këtë arsye, partneriteti ynë strategjik është para së gjithash një realitet i ndërtuar nga vetë njerëzit, shumë kohë më përpara se të shkruhej ndonjë dokument. Megjithatë, nevoja për t’u takuar, për të shkëmbyer ide dhe formate si ky i sotëm, mbetet gjithmonë shumë i rëndësishëm. E jo më kot, në tempullin e Apolonit në Delfi ishte shkruar “Njih vetveten”, të njohësh veten është thelbësore, të njohësh fqinjin e shokun edhe më e rëndësishme. Të njohim më mirë njëri-tjetrin do të thotë të gjejmë mekanizmat e rinj të bashkëpunimit dhe të eksplorojmë së bashku fusha të reja. Prandaj, është kaq e vlefshme që ky forum mbështetet në tre shtylla:

Së pari, padyshim, ekonomia. Shqipëria dhe Greqia kanë një partneritet ekonomik të gjatë dhe të pasur. Vitin e kaluar shkëmbimet tona tregtare, siç u përmendën nga Kryetari i Kuvendit kaluan pragun e 1 miliardë euro, dhe në tregun tonë operojnë më shumë se 300 kompani greke, të cilat janë të përbashkëta në shumicën e tyre dhe punësojnë me qindra e qindra punonjës. Momenti është i favorshëm. Megjithatë, ka ende shumë më tepër mundësi në infrastrukturë, në logjistikë, në turizëm, teknologji dhe inovacion, në tranzicionin e gjelbër, si dhe në mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla e të mesme.

Së dyti, bashkëpunimi rajonal së bashku. Ne patjetër mund të krijojmë sinergjitë e duhura për t’u përballur me sfidat e përbashkëta: nxitja e ndërlidhjes, turizmit dhe kontaktet mes njerëzve, trajtimi i rreziqeve ndërkufitare, si dhe mbështetja e ekonomive lokale dhe e produkteve të sektorit primar. Përmes programit Interreg, për shembull, Shqipëria dhe Greqia po zbatojnë së bashku 20 projekte me një vlerë të përgjithshme prej 25 milionë eurosh, dhe këto projekte prekin fusha që lidhin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve në të dy anët e kufirit, nga eko-turizmi deri te infrastruktura. Në to punojnë krah për krah 55 partnerë, rreth gjysma e tyre janë bashki, të cilat kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për të fuqizuar edhe më shumë marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Bashkia e Vlorës, Korça, apo Follorina dhe Arta në Greqi, ky është një bashkëpunim rajonal në praktikë dhe institucionet që ndajnë të njëjtat sfida dhe po i zgjidhin ato së bashku.

Së treti, bashkëpunimi akademik: lëvizshmëria e studentëve, e studiuesve, e konferencave dhe seminareve të përbashkëta, por patjetër dhe ndërkombëtarizimi i universiteteve shqiptare, aq më shumë duke u mbështetur te ato greke, është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Në fakt, për të dy këto shtylla kryesore, unë kam pasur fatin të ndaja shkurtimisht dhe një eksperiencë personale, si ish-kryetar i Bashkisë së Beratit, sot Emergjenca Civile në atë territor, zjarrfikëset, specifikisht, janë në nivele krejt të tjera, sidomos për shkak të një projekti cross-border me zjarrfikësit, e Greqisë, ku jo vetëm janë krijuar kushtet e duhura logjistike, projekti i financuar nga Bashkimi Europian, por mbi të gjitha rritja e kapaciteteve njerëzore dhe profesionalizmi që duhet të kenë trupat e zjarrfikësve në përballimin me situatat e emergjencës.

Në të njëjtën kohë, në detyrën time si ish-zëvendësrektor në Universitetin e Tiranës, sidomos me Universitetin e Selanikut dhe të Janinës, ne kemi ndërtuar marrëdhënie të gjata dhe të qëndrueshme për sa i përket konsolidimit të bashkëpunimit midis universiteteve shqiptare. Ne jemi të vendosur të thellojmë këtë dialog dhe bashkëpunimi për menaxhimin e kufijve, sidomos në përputhje me standardet e Schengen, për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit, si dhe për mbrojtjen civile. Ekziston edhe një pamje më e gjerë: rajoni i Adriatiko-Jonian, ku po bëhet një portë hyrëse, në fakt, për sigurinë energjetike, transportin dhe koordinimin në fushën e mbrojtjes, ndërsa gazsjellësi TAP, tashmë kalon nëpërmjet të dy vendeve tona.

Kjo na jep një mundësi ta shndërrojmë hapësirën tonë të përbashkët në një zonë shumë më të rëndësishme, për investimet e huaja, mundësitë e reja dhe standardet më të larta po ashtu të qeverisë. Pikërisht këtë po përpiqemi të bëjmë, dhe sa i përket procesit të integrimit, duke folur hapur, ne jemi në proces, plotësisht të vetëdijshëm që Bashkimi Europian duhet të sjellë më shumë mundësi, jo më shumë probleme.

Në fakt, Kryetari i Kuvendit e përmendi me të drejtë, nëqoftëse ka pasur një vend, i cili e ka mbështetur rrugëtimin e Shqipërisë në këtë proces kaq të rëndësishëm, në mënyrë të qëndrueshme, ka qenë absolutisht Greqia. Ne jemi të bindur që viti 2027, me një axhendë tepër ambicioze për sa i përket mbylljes së kapitujve nga ana jonë, do të mbështetet po ashtu nga pala greke për sa i përket mbylljes dhe përmbylljes së një procesi kaq të rëndësishëm.

Më lejoni të kthehem te pika e nisjes, një herë dhe vetëm, dhe shpresoj që ky takim të na ndihmojë të bëjmë pikërisht këtë, jo ta njihni Shqipërinë pak më mirë, dhe patjetër me sy të njohim Greqinë akoma dhe më mirë, e së bashku do të kuptojmë më mirë se çfarë mund të bëjmë më shumë dhe më mirë. Ju falënderoj për vëmendjen dhe ju uroj të gjithëve një samit të suksesshëm dhe, në fakt, jam shumë i kënaqur po ashtu që gjatë ditës së sotme do të takojmë miq të mirë që janë prezent këtu në Tiranë për të diskutuar gjëra edhe më teknike.

Shumë faleminderit dhe punë të mbarë!