Ministry of Internal Affairs

Tiranë – Në një ceremoni zyrtare u prezantua sot Prefekti i ri i Qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari, i cili merr drejtimin e këtij institucioni, pas një përvoje të gjatë dhe të konsoliduar në funksione drejtuese publike.

“Ky emërim vjen në përputhje me vizionin për forcimin e rolit të Prefektit si garant i ligjshmërisë dhe si nyje kyçe e koordinimit mes qeverisjes qendrore dhe asaj vendore, në funksion të rritjes së eficiencës institucionale dhe përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve”, theksoi ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu.

Qarku i Tiranës, si motori kryesor i zhvillimit ekonomik, social dhe administrativ të vendit, kërkon një qasje të re, dinamike dhe gjithëpërfshirëse për adresimin në kohë të nevojave të komunitetit dhe garantimin e standardeve të larta në ofrimin e shërbimeve publike. Në këtë kontekst, shprehet besimi i plotë se përvoja dhe profesionalizmi i z. Hajdari do të reflektohen në një drejtim më efektiv të Prefekturës dhe në një shërbim më cilësor ndaj qytetarëve të Qarkut Tiranë.

Në përfundim, ministrja Koçiu shprehu mirënjohje për z. Afrim Qëndro, për kontributin dhe angazhimin e tij, duke e mbajtur peshën e këtij institucioni me integritet, përgjegjësi dhe korrektesë institucionale.