Ministry of Internal Affairs

Ceremonia – Me propozim të Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha dhe Ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu, Kryeministri Rama u akordoi “Medalje të Mirënjohjes Publike” 10 punonjësve nga Policia e Shtetit dhe Shërbimi Zjarrfikës. Numri i përgjithshëm i të dekoruarve edhe nga struktura të Forcave të Armatosura dhe Emergjencave Civile arrin në 24.

Motivacioni ishte për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë të gjithë këta punonjës të shtetit, në përballjen me situatën e zjarreve, e cila gjatë një periudhë 2-mujore, përfshiu thuaj të gjitha qarqet e vendit. Medaljet u shpërndanë gjatë një ceremonie zyrtare ku morën pjesë disa ministra, drejtues institucionesh, përfaqësues të misioneve të huaja dhe pjesëtarë të policisë, zjarrfikëses, Forcave të Armatosura, Emergjencave Civile etj.

Në fjalën e mbajtur, Kryeministri Rama u shpreh se “u jam përgjigjur pozitivisht të gjitha propozimeve të bëra nga ministritë për të bërë dekorimet dhe për të shpërndarë disa medalje, si një shenjë simbolike, mirënjohjeje dhe si një mesazh për të gjithë këtë trupë, e cila meriton nderimin më të posaçëm”. Duke përmendur me emër një pjesë të të dekoruarve, Kryeministri Rama shprehu falënderimet dhe vlerësimet më të larta për sakrificat dhe kurajën e të gjitha njësive të përfshira në shuarjen e zjarreve.

“Jemi sot këtu për të shprehur mirënjohjen dhe për t’u përulur me respekt përpara jush dhe të gjithëve atyre që ju këtu përfaqësoni. Beteja e zjarrit që përfshiu territoret e konsiderueshme të vendit tonë në dy muajt e fundit ishte një kronikë e gjatë ethesh, plagësh, dhimbjesh, një kronikë dramatike por me nota stërmundimi, përkushtimi dhe me momente kulmore edhe heroizmi njerëzor që i bëjnë nder uniformave tuaja dhe falë jush, nderojnë shtetin shqiptar,” – theksoi Rama gjatë fjalës së tij.

Duke folur rreth shtrirjes së vatrave të zjarrit, KM Rama tha se “edhe pse përballë një sfide të jashtëzakonshme në Delvinë dhe në Finiq, në Gramsh dhe në Poliçan, në Kaninë, Borsh, Piqeras, në Fushë-Arrëz dhe Dibër dhe deri në orët e fundit në Skrapar dhe Vlorë qëndresa e njerëzve tanë ka ndalur atë që mund të kishte qenë një asgjësim masiv mjedisor, ekonomik, moral, dhe larg qoftë edhe një asgjësim njerëzor me përmasa dramatike”.

Kryeministri falënderoi gjithashtu edhe disa nga vendet që dhanë ndihmë në përballimin e situatës së zjarreve. Në fund të takimit, Kryeministri Rama u dorëzoi medaljet e mirënjohjes publike të gjithë pjesëtarëve ushtarakë, policë, zjarrfikës, mjek, personel të emergjencave civile, që dëshmuan përkushtim e vetëmohim në realizimin e misioneve të shpëtimit.

Fjala e plotë e Kryeministrit Rama 

Më shumë foto – Kliko