Ministry of Internal Affairs

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha zhvilloi një takim online me homologun italian  Matteo Piantedosi, me qëllim shkëmbimin e ideve lidhur me çështjet me interes të përbashkët. Në bisedën e zhvilluar, u rikonfirmuan marrëdhëniet tejet të ngushta dhe partneriteti mes mes dy vendeve.

Ministri Hoxha bëri një panoramë lidhur me disa nga eventet më të spikatura që do të mbahen këto ditë në Shqipëri, duke nënvizuar garën e famshme “Giro d’Italia” si dhe Samitin e Komunitetit Politik Europian, që mbledh në Tiranë liderët kryesorë europianë. Gjithashtu ministri Hoxha foli edhe mbi përgatitjet dhe masat e marra për procesin elektoral të 11 Majit.

Sa i përket axhendës së marrëdhënieve dypalëshe, në takim u diskutua mbi protokollin e përbashkët për menaxhimin e flukseve migratore. Ky protokoll është një hap konkret që pasqyron vullnetin e përbashkët për të vepruar me përgjegjësi, në mënyrë të koordinuar dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare e të drejtat e njeriut. Ministri Hoxha propozoi ngritjen e një grupi të përbashkët teknik pune, për ndërtimin e një plani operacional të harmonizuar, që detajon procedurat dhe garanton zbatim efikas të këtij angazhimi.