Ministry of Internal Affairs

Akademia e Sigurisë – Zv.ministri i Brendshëm Andi Mahila mori pjesë në dorëzimin zyrtar të certifikatës së akreditimit ndërkombëtar të Kolegjit Profesional të Formimit Policor, për vitet 2024–2027 nga IADLEST – një arritje që konfirmon përmbushjen e standardeve më të larta në arsimimin dhe trajnimin e punonjësve të Policisë. Në ceremoni mori pjesë edhe Zv.drejtori i ICITAP, Stephen Fields, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, Rektori i Akademisë, Ilirjan Mandro, drejtues policorë, pedagogë studentë e kursantë. Ky akreditim është rezultat i përkushtimit të Akademisë së Sigurisë, në bashkëpunim me ICITAP dhe partnerët ndërkombëtarë, për ta kthyer këtë institucion në një qendër ekselence për formimin profesional policor. Në thelb të një shërbimi policor cilësor qëndron arsimimi i mirëfilltë, etik dhe profesional. Ndaj, në korrik hapet thirrja e radhës për të rinjtë që duan të jenë pjesë e së ardhmes së Policisë së Shtetit. Ftesa është e hapur – Shqipëria ka nevojë për gjeneratën e re të ruajtësve të rendit dhe ligjit! Me krenari u vlerësua kontributi i studentëve të Akademisë së Sigurisë në menaxhimin e tre ngjarjeve madhore për vendin: Giro d’Italia, Samiti i Komunitetit Politik Evropian dhe zgjedhjet e 11 majit. Ata nuk ishin vetëm në proces formimi – por në terren, krah për krah me strukturat e sigurisë. Shqipëria po dëshmon se është gati të marrë përgjegjësi të mëdha në skenën europiane, me institucione të afta, njerëz të përkushtuar dhe një vizion të qartë për të ardhmen. Kjo është fytyra e re e Policisë Shqiptare, ndërtuar me punë, përkushtim e partneritet të fortë.

Fjala e Zv.ministrit të Brendshëm Andi Mahila:

Të nderuar përfaqësues të ICITAP dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara,

Drejtues të Policisë së Shtetit dhe të ftuar,

Është një moment i veçantë dhe i rëndësishëm për sistemin tonë të sigurisë, që sot, në ambientet e Akademisë së Sigurisë, kremtojmë dorëzimin zyrtar të certifikatës së akreditimit të Kolegjit Profesional të Formimit Policor për vitet 2024 – 2027, nga Shoqata Ndërkombëtare e Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Agjencive të Zbatimit të Ligjit – IADLEST. Ky certifikim, i fituar pas një procesi të gjatë dhe rigoroz vlerësimi, është një dëshmi konkrete e përmbushjes së standardeve ndërkombëtare në formimin profesional të punonjësve të Policisë së Shtetit. Ai është gjithashtu një mirënjohje për vizionin, përkushtimin dhe seriozitetin e Akademisë së Sigurisë, e cila mbështetur nga ICITAP dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, po kthehet në një qendër ekselence për arsimimin policor.

Në themel të çdo shërbimi të mirë që ofron policia qëndron një komponent themelor: Arsimimi cilësor dhe me standarde të larta etike, e profesionale. Një polici e mirë, nis nga një arsimim i mirë. Ky është një parim që e kemi kthyer në politikë orientuese dhe pjesë të vizionit tonë. Në korrik ne do të hapim thirrjen e radhës për të rinjtë që mbarojnë shkollën e mesme, për t’u bërë pjesë e konkurrimit në Akademinë e Sigurisë. Interesi i lartë i shfaqur në konkurrim që nga viti i kaluar, kur ndryshuam sistemin e rekrutimit për oficerët e Policisë, na bën të besojmë se jemi në rrugën e duhur. E duke përfituar nga ky komunikim publik, dua të ftoj të rinj e të reja që në listën e përzgjedhjeve, të përfshijnë edhe aspiratën për tu bërë pjesë e Policisë së Shtetit.

Dua gjithashtu të ndaj me ju një ndjenjë të thellë mirënjohjeje, krenarie dhe vlerësimi për gjithçka strukturat tona të sigurisë dhe qytetarët e këtij vendi arritën të dëshmojnë gjatë një periudhe intensive dhe historike për Shqipërinë. Brenda vetëm një jave, vendi ynë përballoi me sukses tre sfida madhore – jo vetëm nga aspekti logjistik, por edhe i sigurisë dhe menaxhimit publik: Etapa e Giro d’Italia, që për herë të parë nisi në tokën shqiptare; Samiti i Komunitetit Politik Evropian, me praninë e 47 liderëve europianë në Tiranë; Procesi zgjedhor i 11 Majit, një moment themelor për demokracinë shqiptare.

Të gjitha këto ngjarje u menaxhuan me profesionalizëm, qetësi, dhe koordinim të shkëlqyer. Ato shërbyen si provë e gjallë e aftësive institucionale të shtetit shqiptar, dhe e standardeve të sigurisë që ne po ndërtojmë. Por më lejoni të ndalem në një moment shumë domethënës: në menaxhimin e këtyre tre ngjarjeve të mëdha, u angazhuan edhe studentë të Akademisë së Sigurisë. Ata ishin në terren, në mbështetje të strukturave të Policisë së Shtetit dhe ofruan ndihmesën e tyre me përkushtim, seriozitet dhe përgjegjësi. Një falënderim i madh dhe i veçantë shkon për ju, studentë të Akademisë! Ju treguat se nuk jeni thjesht në proces formimi – ju jeni tashmë pjesë aktive e sistemit tonë të sigurisë dhe e së ardhmes së Policisë së Shtetit. Me sjelljen dhe angazhimin tuaj, na dhatë të gjithëve një arsye më shumë për të besuar se ky institucion është në duar të sigurta.

Në emër të Ministrisë së Brendshme, dua të falënderoj gjithashtu çdo efektiv policie – ata që qëndruan në rrugë, në qendra operative, në mbrojtje të personaliteteve dhe të rendit publik. Ju ishit përfaqësuesit më të denjë të shtetit shqiptar përballë botës. Falënderim edhe për drejtuesit e strukturave të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të Policisë Bashkiake të Tiranës, për vendimmarrjen e saktë dhe koordinimin shembullor. Faleminderit edhe për qytetarinë tuaj, për mirëkuptimin dhe për respektin ndaj kufizimeve të përkohshme. Bashkëpunimi mes Policisë dhe publikut është themeli mbi të cilin ndërtohet siguria në një shoqëri demokratike.

Të nderuar pjesëmarrës,

Sot, Shqipëria po tregon se është gati të marrë përgjegjësi të mëdha në skenën europiane. Një shtet funksional, me institucione të afta, me njerëz të përkushtuar dhe me një vizion të qartë. Kjo është fytyra e re e Shqipërisë – dhe është ndërtuar nga puna dhe sakrifica juaj. Faleminderit!