Ministry of Internal Affairs

Kuvend – Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike shqyrtoi dy projektligje që synojnë përmirësimin e kuadrit ligjor për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, si dhe përdorimin e ndërtimeve të konfiskuara pa leje për interes publik dhe strehim social. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhemal Qefalia, prezantoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 34/2019, ‘Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara’, të ndryshuar”, duke theksuar se nisma synon përmirësimin e bazës ligjore dhe forcimin e mekanizmave për mirë-administrimin e këtyre pasurive.

Qefalia tha se ndryshimet zgjerojnë objektin e veprimtarisë së AAPSK-së, duke parashikuar administrimin jo vetëm të sekuestruara apo të konfiskuara nga organet e drejtësisë, por edhe të pasurive që i nënshtrohen këtyre masave nga pushteti vendor apo organe të tjera administrative, përfshirë edhe ndërtimet pa leje. Po ashtu, një element i ri i parashikuar në projektligj është përfshirja e monedhave virtuale, si pasuri të luajtshme që mund të sekuestrohen apo konfiskohen nga organet e drejtësisë. “Projektligji vjen si rrjedhojë e një reforme gjithëpërfshirëse, e cila lidhet për një përdorim efiçent të ndërtimeve pa leje të konfiskuara, si edhe mirë-administrimin e pasurive të llojeve të monedhave virtuale. Këto ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe në përdorimin e pasurive në interesin publik dhe social”, tha zëvendësministri Qefalia.

Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e konceptit të “fondit të posaçëm të dedikuar për ndërtimet pa leje”, si dhe përcaktimin e procedurave për shitjen e pasurive përmes ankandit publik. Sipas projektligjit, agjencia dhe kryeadministratori do të kenë përgjegjësi përkatëse në përfundimin e procedurave të shitjes, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Nisma garanton një administrim më të efektshëm, transparent dhe të përgjegjshëm të pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme, duke mundësuar përdorimin e tyre në mbështetje të interesit publik dhe komuniteteve në nevojë”, deklaroi zëvendësministri i Punëve të Brendshme.

Në mbledhje, Administratorja e Përgjithshme e AAPSK-së, Risena Xhaja, tha se përpos përdorimit të pasurive të konfiskuara për strehim social, është parashikuar përfitimi nga këto pasuri edhe për familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë. “Për sa i përket policëve të rënë në detyrë, në ligj, në legjislacionin e posaçëm është hartuar dhe miratuar vendimi i Këshillit të Ministrave për të përfituar nga këto pasuri familjet e policëve të rënë në detyrë. Ne e kemi filluar si proces”, tha Xhaja.

Prezantimi i plotë:

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhemal Qefalia: Faleminderit, zoti kryetar! Të nderuar deputetë, jemi sot këtu para jush për të sjellë projektligjin, për disa shtesa dhe ndryshime për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, i ndryshuar. Projektligji ka për qëllim përmirësimin e bazës ligjore aktuale për administrimin e pasurive, të sekuestruara dhe të konfiskuara. Ai zgjeron objektet e veprimtarisë së kësaj agjencie, në mënyrë që të administrojë jo vetëm pasuritë e sekuestruara apo të konfiskuara nga organet e drejtësisë, por edhe ato që janë të sekuestruara dhe të konfiskuara nga vendimet e pushtetit vendor apo organet e tjera administrative ndër to, dhe ndërtimet pa leje.

Projektligji vjen si një përgjigje ndaj numrit të madh të vendimeve të sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, si edhe i pasurive të llojit kriptomonedha. Objektivi kryesor është mirëadministrimi, përdorimi sa më efiçent, efektiv dhe ekonomik, në mënyrë që të kemi ruajtje të interesit publik dhe rikthim në komunitet të pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme. Projektligji vjen si rrjedhojë e një reforme gjithëpërfshirëse, e cila lidhet për një përdorim efiçent të ndërtimeve pa leje të konfiskuara, si edhe mirëadministrimin e pasurive të llojeve të monedhave virtuale. Këto ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe në përdorimin e pasurive në interesin publik dhe social.

Projektligji parashikon dhe bashkëveprim, bashkërendim midis proceseve të sekuestrimit dhe konfiskimit me organet e drejtësisë dhe me organet e tjera administrative të pushtetit vendor. Një nga problematikat kryesore është ai që i rregullon dhe i plotëson, dhe me aktet nënligjore të Këshillit të Ministrave, duke përcaktuar rregullat për administrimin e monedhave virtuale, të cilat kanë bërë një sfidë të veçantë për këtë institucion.

Siç e shikoni, të nderuar deputetë, dhe jeni njohur edhe me relacione që u kemi paraqitur, do bëhet ndërhyrje në disa nga nenet përkatëse. Nenet të cilat kanë të bëjnë me zgjerimin e objektit të ligjit për pasuritë e sekuestruara, siç e thamë. Së dyti, termi i ri “fondi i posaçëm dedikuar për ndërtimet pa leje”.

Së treti agjencia dhe kryeadministratori do të kryejnë procedurat e shitjes që lidhen me kontratat përkatëse në përputhje me ligjin me ankandin publik. Përfshirja për herë të parë e monedhave virtuale, si një pasuri e luajtshme, e cila sekuestrohet, konfiskohet nga organet e drejtësisë. Agjencia mban përgjegjësi ligjore dhe faktike për ruajtjen, vlerësimin, mirëmbajtjen dhe përdorimin e përkohshëm të këtyre pasurive, ndaj është e arsyeshme që i njëjti institucion të përmbyllë edhe fazën përfundimtare.

Projektligji synon të përmirësojë kuadrin ligjor institucional, për administrimin e këtyre pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, në funksion të mbrojtjes së interesit publik, nëpërmjet forcimit të rolit të kësaj agjencie, thjeshtësimit të procedurave dhe rritjes së transparencës, krijohen mekanizma të qartë për administrimin e ndërtimeve pa leje dhe të monedhave virtuale, pa efekte financiare shtesë në buxhetin e shtetit. Nisma garanton një administrim më të efektshëm, transparent, të përgjegjshëm të pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme, duke mundësuar përdorimin e tyre në mbështetje të interesit publik dhe komuniteteve në nevojë. Faleminderit!

Administratorja e Përgjithshme e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja: Faleminderit të gjithëve! Një shtesë kisha tek pyetja e parë e zotit Strazimiri. Që në titull të projektligjit, ne kemi parashikuar strehimin social. Dy ishin kërkesat që kishim bërë në draftligjin e diskutuar më parë, strehimi social dhe strehimi për familjet e reja, dhe strehimi i familjeve të të rënëve në detyrë, të policëve të rënë në detyrë. Të dyja këto janë marrë parasysh, strehimi social është vënë që në titull të ligjit, pra është parashikuar që nga këto pasuri do përfitojnë edhe për strehim social. Dhe njëkohësisht, për sa i përket policëve të rënë në detyrë, në ligj, në legjislacionin e posaçëm, siç u diskutua edhe në mbledhjen e kaluar për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, është hartuar dhe miratuar vendimi i Këshillit të Ministrave për të përfituar nga këto pasuri familjet e policëve të rënë në detyrë. Ne e kemi filluar si proces, kemi pasur një rast në qytetin e Beratit, jemi duke e trajtuar, për këto familje dhe do ta finalizojmë me sukses. Pra, janë përfshirë në propozimet që janë bërë.

Për sa i përket pyetjes së zotit Gjiknuri, kjo është e parashikuar në nenin 66, megjithatë në ligjin 66, megjithatë mund të them me siguri që ne në eksperiencën që kemi aktualisht si institucion, që merremi me administrimin e pasurive të konfiskuara nga krimi i organizuar, kemi arritur eksperiencën e mjaftueshme për të administruar dhe menaxhuar shoqëritë e ndërtimit. Aktualisht, ne kemi, po them, 5 shoqëri ndërtimi që janë të mëdha, që i kemi në proces administrimi, dhe kemi finalizuar ndërtimin e tyre dhe po finalizojmë edhe procedurat e dorëzimit të pasurive. Sigurisht, kjo bëhet në mbështetje edhe të AZHT-së dhe të KKUT-së, e cila merr vendimet rast pas rasti për lëshimin e lejes së përdorimit të pasurive. Pra, është një eksperiencë që është nga ana jonë, është rrahur dhe mund ta them, që ka dalë edhe me sukses sot për sot. Nuk ka njerëz që janë angazhuar me blerjen e pasurive që janë të zhgënjyer nga ky proces, por që janë duke përfunduar të gjitha pasuritë, janë duke u dorëzuar një nga një, pra praktikisht ka një proces pune që e kemi, kemi një eksperiencë të ngjashme.