Ministry of Internal Affairs

Fjala e Zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Xhemal Qefalia në ceremoninë e 113 vjetorit të Policisë së Shtetit – VIDEO:

Të nderuar deputetë, anëtarë të Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes,
I nderuar z. Proda, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,
I nderuar z. Braho, Drejtues i SPAK,
I nderuar z. Koça Zv.prokuror i Përgjithshëm,
Z. Keta, Drejtues i BKH,
Të nderuar përfaqësues të misioneve partnere pranë Policisë së Shtetit,
Të nderuar drejtues e pjesëtarë të dikurshëm të Policisë së Shtetit,
Të nderuar punonjës të Policisë së Shtetit,
Zonja dhe zotërinj të ftuar në këtë takim,

Sot kam nderin të kujtoj me krenari 113 vjetorin e formimit të Policisë së Shtetit, këtij institucioni kaq jetik për shtetin, për shoqërinë, e cila më shumë se një shekull ka qëndruar në shërbim të rendit dhe sigurisë së qytetarëve. Historia e këtij institucioni është një histori përpjekjesh të pa ndërprera, përballjesh me sfida të vështira të ndryshme në zhvillime shoqërore dhe politike. Përgjatë këtyre viteve, policia ka qenë pranë qytetarit, ne ditë të qeta por edhe në momente të vështira dhe krizash, siç ishte momenti që kaluam para pak ditësh nga moti i vështirë në vend. Sakrifica juaj të nderuar punonjës të Policisë së Shtetit është një sakrificë sublime të cilën, kolegët tuaj të cilët i përmendi Drejtori i Përgjithshëm, kanë shkuar deri në dhënien e jetës për të shpëtuar jetët e të tjerëve. Kjo është një vlerë e lartë morale e këtij institucioni. Ndaj, në këtë ditë të veçantë, përulemi me respekt të thellë përpara dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe shprehim mirënjohjen më të thellë e të sinqertë për familjarët e tyre.

Sot Policia e Shtetit është në një transformim të vazhdueshëm profesional, modern, më i orientuar drejt standardeve europiane. Kjo, falë punës e punonjësve të strukturave të Policisë së Shtetit duke filluar nga niveli më i ulët e deri të drejtuesi madhor z. Proda. Pa harruar këtu asnjëherë dhe ndihmën e pakursyer nga partnerët tanë europianë.

Lufta ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve të paligjshme, garantimi i rendit dhe i sigurisë publike, mbeten prioritete absolute në shërbim të qytetarëve dhe së drejtës. Ne jemi të vendosur që të forcojmë më tej sundimin e ligjit dhe besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.
Angazhimi ynë është i qartë, rend, siguri dhe ligjshmëri.

Më lejoni, të nderuar pjesëmarrës, t’ju përcjell në emër të Ministres të Punëve të Brendshme, znj. Albana Koçiu, (e cila ndodhet për një vizitë jashtë vendit), mirënjohjen dhe falënderimin e thellë për çdo punonjës policie, për përkushtimin, sakrificën që kanë treguar në kushte të vështira për të garantuar rend dhe siguri për çdo familje shqiptare. Pasi, pas çdo polici, ka një nënë që lutet dhe një fëmijë që pret. Ndaj, mbështetja e qeverisë shqiptare, posaçërisht e Kryeministrit Rama për Policinë e Shtetit, do të vazhdojë me intensitet të lartë përmes investimeve në trajtim, teknologji, mirëqenie, për ta forcuar këtë institucion, për të arritur në një shkallë më të lartë sigurie, për të pasur një polici të standardeve europiane, pasi, policia ekziston për qytetarët dhe qytetarët e bëjnë policinë të fortë.

Edhe njëherë, faleminderit për këtë shërbim që i bëni Republikës!

 

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda:

Sot nuk festojmë thjesht një përvjetor, por nderojmë një histori, një mision, një institucion që prej 113 vitesh qëndron në këmbë përballë sfidave. 13 janari është një datë historike dhe jetike për vendin tonë, sepse pa rend nuk ka liri dhe pa siguri nuk ka të ardhme. Kjo e vërtetë e thjeshtë ka udhëhequr për 113 vite misionin e Policisë së Shtetit shqiptar, që nga dita kur plaku i mençur Ismail Qemali, Kryeministri i kohës, vendosi për krijimin e Policisë, e cila përgjatë gjithë rrugëtimit të saj ka qenë dhe mbetet gur themeli i rendit, ligjit dhe stabilitetit shoqëror, por edhe simbol i bashkimit kombëtar. Mjafton të përmendim faktin se drejtuesi i parë i Policisë shqiptare ka qenë Halim Bej Gostivari, nga Gjakova. Organizata jonë ka ecur krah për krah me historinë e vendit, ka përballuar sfida të mëdha, tranzicione të vështira dhe momente vendimtare, duke ruajtur gjithmonë misionin e saj, mbrojtjen e jetës, pronës dhe sigurisë së qytetarëve. Rrugëtimi i saj është një histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi, ku çdo uniformë flet për një detyrë, çdo emblemë për një frymë dhe çdo veprim për një premtim të patundur ndaj shoqërisë.

Gjatë këtyre 113 viteve, 231 punonjës policie, 231 Dëshmorë, më të mirët prej nesh, dhanë gjithçka, duke vendosur jetën e tyre mbi çdo rrezik, për të mbrojtur qytetarët dhe ligjin. Akti i tyre sublim krijoi bazamentin mbi të cilin ndërtohet besimi, forca morale dhe identiteti ynë institucional. Sot e përjetë, ata janë motivi i misionit tonë, krenaria e Policisë dhe e gjithë shoqërisë. Emri i tyre është i skalitur në historinë e kombit. Në këtë rrugëtim 113-vjeçar kanë kontribuar gjenerata të tëra dhe sot shprehim mirënjohjen tonë për veteranët e Policisë, për kontributin dhe trashëgiminë që kanë lënë ndër breza. Ata janë thesari i përvojës, burim frymëzimi dhe shembull i profesionalizmit për brezat e rinj të Policisë, të cilët na kujtojnë se Policia është një mision i shenjtë, në themel të të cilit qëndron përkushtimi i palëkundur dhe guximi deri në vetëmohim, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve dhe për të garantuar sundimin e ligjit.

Viti që lamë pas tregoi fuqinë dhe vendosmërinë tonë, operacione të suksesshme kundër grupeve kriminale, luftë të pandërprerë ndaj kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, zbardhje të ngjarjeve kriminale, ulje të kriminalitetit, përballim të suksesshëm të sezonit turistik dhe të aktiviteteve me famë ndërkombëtare, si dhe zhvillim të Akademisë së Sigurisë si një qendër moderne dhe konkurruese për të rinjtë. Të gjitha këto janë dëshmi se Policia e Shtetit nuk stepet, nuk thyhet dhe nuk ndalon kurrë. Ajo zhvillohet, trajnohet dhe punon çdo ditë më mirë, për qytetarin dhe ligjin.

Përpos kësaj, organizata jonë nuk është perfekte, ashtu si dhe ne nuk jemi të tillë. Të gjithë ne jemi në sfidë të përditshme, sfidë me veten, sfidë me standardet, sfidë me pritshmëritë, për të mësuar nga gabimet dhe për t’u përmirësuar. Mos harroni, të dashur kolegë, sakrificën tuaj të përditshme, ju jeni aty kur asnjë tjetër nuk është, në diell, në shi, në dëborë. Ju jeni telefonata e parë për çdo problem. Jeni modestë në misionin tuaj, por gjithmonë prezentë. Çdo operacion, çdo mision dhe çdo angazhim është provë se ligji nuk është thjesht një normë, por një realitet i prekshëm për qytetarët. Rezultatet e vitit të kaluar tregojnë se bashkëpunimi dhe koordinimi me partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë janë baza e suksesit tonë. Policia e Shtetit është tashmë një partner i besueshëm dhe i barabartë, e angazhuar në skuadra hetimore dhe operacione të përbashkëta kundër krimit të organizuar dhe krimeve globale, në funksion të rritjes së sigurisë kombëtare, rajonale dhe më gjerë.

Profesionalizmi dhe besueshmëria e Policisë së Shtetit, përgjatë vitit 2025, u vlerësuan me çmime dhe tituj nga partnerët ndërkombëtarë. Ne jemi ajo që bëjmë dhe jo ajo që flitet për ne, nëpërmjet sulmeve dhe përbaltjes së padrejtë ndaj kontributit të mijëra burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që sakrifikojnë çdo ditë për të mirën e përgjithshme.

Të nderuar kolegë,

Kjo ditë nuk është vetëm festë. Është kujtesë e përgjegjësisë që mbajmë mbi supe dhe reflektim për misionin tonë. Sjellja etike, humanizmi, angazhimi dhe sakrifica juaj është baza e besimit të qytetarëve për një shoqëri më të sigurt. Vetëm me profesionalizëm, integritet dhe bashkëpunim do ta bëjmë Policinë e Shtetit çdo ditë më të besueshme dhe më të fortë.

Të nderuar qytetarë, Policia e Shtetit është e juaja. Besoni në sakrificën dhe punën tonë! Gëzuar 113-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit shqiptar! Nderim për çdo punonjës policie që shërben me përkushtim dhe dinjitet! Mirënjohje familjeve të dëshmorëve dhe qytetarëve, për mbështetjen dhe besimin!

Lavdi Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, lavdi Dëshmorëve të Atdheut!