Ministry of Internal Affairs

Tiranë – Fjala e ministrit të Brendshëm Taulant Balla në aktivitetin “Promovimi i Udhëzimit të Shkollave të Sigurta”:

Një prej prioriteteve kryesore në detyrën time si ministër i Brendshëm, lidhet me #PaketënSigurisëShkolla.

Në fakt kur e lançuam në 1 shtator të vitit të kaluar, ishim të bindur për sfidat, por dhe për nevojën për t’i garantuar fëmijëve tanë më shumë siguri jo vetëm brenda oborrit të shkollës, mureve të shkollës, por më shumë se kaq, brenda një koncepti të ri, një perimetri të sigurisë në shkolla, i cili përmbledh brenda vetes edhe pjesën ose dimensionin që lidhet me sigurinë rrugore.

Në këtë fazë të parë në këto 200 ditë të para të zbatimit të Paketës së sigurisë në shkolla, një prej efekteve të dukshme dhe efektit të menjëhershëm të paketës së sigurisë në shkolla ishte prezenca e punonjësit të Policisë Rrugore, apo e Departamenteve të tjera tek dera e shkollës, tek rruga që kalon përballë shkollës, tek vizat e bardha ku duhet të kalojnë fëmijët për të mbërritur në shkollë.

Për të garantuar aspektet e sigurisë rrugore, uljen e shpejtësisë së mjeteve, duhet bashkëveprim me aktorët të përfshirë, njësitë e qeverisjes vendore, ministritë e linjës etj., të cilat kanë një peshë tepër të rëndësishme që lidhet me sinjalistikën, qoftë ajo vertikale qoftë ajo horizontale, me kamerat e sigurisë dhe me gjithçka tjetër që është në proces plotësimi në të gjitha shkollat e vendit, për të garantuar një rrugëtim të sigurt të çdo fëmije të këtij vendi për në shkollë.

Unë e them shpesh që kur prindërit, gjyshërit dërgojnë fëmijët në shkollë ata fëmijën e tyre ia besojnë shtetit, dhe ne, shteti kemi gjithë përgjegjësinë nga a tek zh për të garantuar të gjitha dimensionet e sigurisë.

Nuk e fsheh që kur nisëm Paketën e sigurisë në shkolla, që shtysa kryesore lidhej pikë së pari me përdorimin e lëndëve narkotike tek të miturit dhe tek të rinjtë. Goditja pa kompromis e këtij rrjeti ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore.

Në shtator të vitit të kaluar një prej shqetësimeve të mia ishte përdorimi nga të rinjtë i dioksidit të azotit, i cili asokohe nuk ishte parashikuar si një lëndë e ndaluar, dhe na mori pak kohë por tani është i ndaluar ligjërisht dhe ato pamje shqetësuese për ato prindër dhe gjyshër që shikonin të rinj, adoleshentë, të cilët dukeshin sikur frynin tullumbace, por në fakt ishin tullumbacet që frynin të rinjtë.

I përkasin së shkuarës, por nuk duhet të harrojmë asnjëherë se ashtu siç ne perfeksionojmë elementët apo parametrat e sigurisë, në të njëjtën kohë grupet kriminale apo keqbërësit që duan të bëjnë biznes me jetën e të rinjve jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë botën, edhe ata perfeksionojnë qasjen e tyre duke shkuar në lëndë të tjera narkotike, ku sfida jonë më e madhe është qasja që duhet të kemi ndaj drograve sintetike.

Në SHBA të cilët janë dhe shtytësit kryesorë në koalicionin global kundër drogave sintetike, shifrat janë sa domethënëse aq edhe tragjike.

Gjatë vitit 2022 për shkak të përdorimit të drogave sintetike kryesisht fentanilit, ka 110 mijë persona që humbën jetën me overdozë në SHBA nga mosha 18 vjeç deri në 49 vjeç, 2/3 e tyre ishin për shkak të mbidozës nga fentanili. Fentanili është një drogë sintetike me bazë opioide, e cila ka shkaktuar këtë situatë tragjike, e cila në se do krahasohej me aspektin historik, janë më shumë amerikanë të vdekur nga fentanili në vitin 2022 se sa amerikanë të rënë në Luftën e Dytë Botërore brenda një viti.

Në këtë kontekst na shtohet më shumë përgjegjësia që ta rrisim forcën tonë parandaluese në kuadër të paketës së sigurisë në shkolla. E përmenda këtë pjesë, sepse është pjesë e këtij dimensioni, e sot jemi mbledhur për të diskutuar falë asistencës së vyer të komunitetit të transportit për pjesën që lidhet me sigurinë fizike dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.

Mund t’ju informoj që qasja jonë është të rrisim penalitetet, që lidhen me parashikimet e Kodit Rrugor brenda të perimetrit të sigurisë në shkolla.

Mendoj që çdo qytetar i këtij vendi e pranon propozimin tonë që kur një shkelje rrugore ndodh në perimetrin e sigurisë në shkolla, shkelësi nuk mund të ndëshkohet një lloj sikur ndodh diku tjetër.

Do të ketë një penalitet të paktën, dyfish më të lartë.

Kur ti shkel shpejtësinë pranë një shkolle, nuk mund të ndëshkohesh vetëm me penalitetin që përcakton Kodi Rrugor sa për një gjobë apo ulje të pikëve në patentë.

Kjo nuk mjafton, në momentin kur ti tejkalon shpejtësinë pranë oborrit të shkollës, ti je në limitet e kryerjes të një vepre të rëndë penale.

Do t’i takojë Kuvendit të  Shqipërisë që ta diskutojë këtë, ku unë jam vetëm një prej 140 votave, 71 duhen aty, por nuk mendoj që ka në Kuvendin e Shqipërisë një deputet që nuk e kupton që ne duhet të jemi shumë të ashpër ndaj çdo shkelësi të normave të qarkullimit rrugor pranë shkollave. Modelet nuk mungojnë. Kur parakalon në mënyrë të papërgjegjshme mikrobuzin e fëmijëve që shkojnë, ti nuk mund të penalizohesh sikur po parakalon një mjet tjetër. Penaliteti të paktën duhet të jetë dyfish më i fortë. Kur para teje është autobuzi i nxënësve të shkollës, duhet të kuptosh që aty është një mjet i një rëndësie të veçantë, në fakt, mjeti më i rëndësishëm.

Shumë njerëz frikësohen kur shohin mjetin e një Ministri, Kryeministri apo Presidenti përpara, por do të doja që të kuptonin që këtej e tutje kushdo që do të parakalojë autobuzin e fëmijëve të shkollës, ta ketë dy herë më shumë frikë se mjetin e një zyrtari të lartë.

Çdo lloj shkelje që përfshin në një incident rrugor mjetin ku lëvizin fëmijën e shkollës, ndëshkimi duhet të jetë ekzemplar. Kështu ne mund të garantojmë një siguri më të madhe.

Gjatë zbatimit të Paketës së sigurisë në shkolla ne kemi bërë një vlerësim të situatës në terren të perimetrit të sigurisë në gjithë shkollat e vendit, sepse ky dimension sigurie, ka edhe institucione të tjera të përfshira, përveç policisë.

Më lejoni të dal pak jashtë kontekstit për të cilin jemi mbledhur, por që është pjesë e sigurisë në shkolla, përdorimi i alkoolit nga të rinjtë. Asnjë kamerier nuk i kërkon një të riu dokumentin e identifikimit për t’i shitur një pije alkoolike apo energjitike, nëse është mbi 18 vjeç. Në aktet ligjore ka penalitete modeste për këtë çështje. Çdo bar-restorant në Shqipëri është i gatshëm ta paguajë penalitetin, vetëm që të vijojë shitjet e birrës apo kanaçeve me pije energjitike.

Bashkëpunimi me AKU është një sukses sa i përket kontrollit të standardeve të ushqimeve që shiten pranë shkollave. Jam tmerruar nga raportimi i përditshëm i Task Forcave që drejtohen nga prefektët, kur, sapo filluam zbatimin e paketës, kemi gjetur bashkë me AKU, njësi tregtimi ushqimore të cilat pranë një shkolle guxonin të shisnin croissant të skaduar, çokollata etj. Ne do t’i mbyllim në mënyrë të përhershme njësitë që guxojnë e shesin ushqime apo materiale të skaduara në perimetrin e sigurisë në shkolla.

Ne kemi sot në Policinë e Shtetit, koordinatorë për sigurinë në shkolla dhe po punojmë me pushtetin lokal dhe partnerët për siguruar financimin e një projekti të madh pajisje me kamera në 19 qytetet më të mëdha të vendit, me një fokus të veçantë për rrugët që shkojnë në shkolla.

Shumë shpejt do të kemi 200 km e para të rrugëve kryesore të vendit, të monitoruara tërësisht me kamera e radarë.

Sa u përket rezultateve të zbatimit të Paketës së sigurisë në shkolla, falë bashkëpunimit me agjencitë e tjera ligjzbatuese në këto mbi 200 ditë të para, janë mbi 1,100 shpërndarës lëndësh narkotike të ndaluar nga Policia e Shtetit, edhe pse e di shqetësimin që një pjesë e mirë e qytetarëve e shprehin që pas miratimit të aministisë, një pjesë e tyre, do të rikthehen përsëri në rrugë për t’ia nisur ‘avazit’. Mesazhi im është shumë i qartë që Policia e Shtetit është përsëri aty, me gatishmëri edhe më të lartë për t’i rikthyer përsëri në qendrat e vuajtjes së dënimit, nëse do të guxojnë të përdoren përsëri nga grupet kriminale sa i përket prodhimit, trafikimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Gjatë vitit 2023 në rrugët e Shqipërisë kanë qarkulluar 3.6 milionë makina që nëse do t’i vinim në një rresht do të kapnin një gjatësi prej 7,200 km aq sa janë edhe rrugët tona kombëtare dhe jo vetëm.

Prandaj duhet vetë-ndërgjegjësim i të gjithëve, që siguria rrugore lidhet me qasjen që ka vetë drejtuesi i mjetit. Sfida jonë është vetë-ndërgjegjësimi i drejtuesve për të mos e drejtuar mjetin në gjendje të duhur apo nën efektin e lëndëve narkotike.

Për mua, Paketa e sigurisë në shkolla është gjëja më e rëndësishme me të cilën më duhet të merrem pothuajse çdo ditë, pavarësisht se edhe çështjet e tjera të cilat mbulon detyra ime janë po aq të rëndësishme, por secili prej nesh, kur del në mëngjes, një prej meraqeve që ka është djali, vajza që shkon në shkollë dhe që t’ua bëjmë ditën më të bukur prindërve, gjyshërve, duhet të punojmë më shumë për të garantuar paketën e sigurisë në shkolla dhe nivel më të lartë sigurie që nga momenti kur fëmija del nga shtëpia.