Ministry of Internal Affairs

Raporti – Administrimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nuk përfaqëson vetëm një proces ekonomik dhe administrativ, por një mekanizëm përmes të cilit vlera e gjeneruar nga këto pasuri rikthehet në funksion të interesit publik dhe shoqërisë.

Gjatë periudhës janar – tetor 2026, të ardhurat nga administrimi i pasurive arritën në 224.9 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 25.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo rritje dëshmon përmirësimin e performancës ekonomike të pasurive dhe zgjerimin e mundësive për përdorimin e tyre në funksion të prioriteteve publike. Përmes Fondit të Posaçëm, të ardhurat e krijuara nga administrimi i pasurive mbështesin institucionet ligjzbatuese dhe organizatat e shoqërisë civile që punojnë me kategoritë në nevojë, viktimat e krimit, trafikimit dhe dhunës.

Gjatë vitit 2026, AAPSK ka mbështetur 20 projekte që lidhen me parandalimin e kriminalitetit, rehabilitimin e viktimave, riintegrimin social dhe fuqizimin e grupeve vulnerabël. Në kuadër të këtyre nismave evidentohen 1,035 përfitues dhe profesionistë të trajnuar.

Mbështetja është orientuar drejt fëmijëve dhe të rinjve, viktimave të trafikimit, personave në proces rehabilitimi, familjarëve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë dhe kategorive të tjera në nevojë.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm është vënia e pasurive të konfiskuara drejtpërdrejt në shërbim të komunitetit. Këto rezultate tregojnë se misioni i AAPSK-së shkon përtej ruajtjes dhe administrimit të pasurive. Ai përfshin krijimin e vlerës ekonomike, mbështetjen e institucioneve dhe kthimin e pasurive në mundësi konkrete për qytetarët. Nga pasuritë e krimit, te vlera në shërbim të shoqërisë.

#OneStepCloser