Ministry of Internal Affairs

Kuvendi i Shqipërisë – Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, mori pjesë në tryezën e diskutimit të organizuar në Kuvendin e Shqipërisë me temë “Dhuna ndaj grave në hapësirën digjitale: nga ndërgjegjësimi te mbrojtja ligjore”, organizuar në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Impakt Social (SICA). Gjatë fjalës së saj, Ruseti u ndal te sfidat që paraqet dhuna ndaj grave dhe vajzave në hapësirën digjitale, duke theksuar se, pavarësisht se ushtrohet online, përjetimi dhe pasojat e saj janë po aq reale sa ato të dhunës tradicionale. Ajo theksoi se reagimi i institucioneve, veçanërisht i Policisë së Shtetit, duhet të jetë i shpejtë dhe profesional, por mbi të gjitha njerëzor, për t’u ardhur në ndihmë grave dhe vajzave që denoncojnë raste të tilla.

“Detyra jonë kryesore është jo vetëm të përgjigjemi, por edhe sa shpejt përgjigjemi, sa shpejt ne arrijmë të reagojmë për atë që është më e rëndësishme, mbrojtjen e jetës së një zonje, vajze, gruaje. Ne besojmë realisht se, pavarësisht se është online, përjetimi dhe rreziku që vjen prej saj është po aq real për gratë dhe vajzat”, u shpreh Ruseti.

Duke iu referuar të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, zëvendësministrja bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë evidentuar 1308 vepra penale në fushën e krimit kibernetik, nga të cilat 859, ose 66%, janë zbuluar. Sipas saj, në vetëm një vit, zbulueshmëria e këtyre krimeve është dyfishuar, si rezultat i rritjes së kapaciteteve teknike dhe trajnimit të më shumë se 2300 punonjësve të Policisë së Shtetit. Ruseti ngriti gjithashtu shqetësimin për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në krijimin e përmbajtjeve të rreme dhe videove të papërshtatshme me imazhet e grave dhe vajzave, duke theksuar se këto materiale cenojnë rëndë jetën e tyre personale dhe mund të duken si reale. Në këtë kuadër, ajo bëri të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me projektin SCPA (Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri), të mbështetur nga Ambasada Suedeze, po zhvillon aktivitete ndërgjegjësuese në gjimnaze dhe shkolla në të gjithë vendin.

Zëvendësministrja tha se puna po zhvillohet në bashkëpunim me oficerët e sigurisë në shkolla, punonjësit socialë, psikologët, mësuesit, drejtuesit, nxënësit dhe prindërit, me qëllim ndërgjegjësimin e të rinjve për pasojat e dhunës dhe bullizmit, përfshirë edhe përgjegjësinë penale që mund të lindë nga këto veprime. Ruseti theksoi se krahas reagimit ndaj rasteve të denoncuara, është e rëndësishme edhe edukimi i brezit të ri, veçanërisht i vajzave të mitura, për të identifikuar në kohë situatat e dhunës dhe për të pasur vetëbesimin që të vendosin kufijtë e tyre.

“Kështu që, ajo që po përpiqemi të bëjmë është që, nga njëra anë, të reagojmë në mënyrë proaktive në lidhje me të gjitha gratë dhe vajzat që denoncojnë dhunën në kanalet tona të komunikimit, por, në të njëjtën kohë, të sigurohemi që brezi i ardhshëm të mund të identifikojë në kohë reale, dhe sidomos kur vjen puna te vajzat e mitura dhe të vogla. Të mund t’i edukojmë ato me vetëbesimin se kur ato duan të thonë jo, është jo dhe e prerë”, përfundoi ajo.

Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti: Ndërkohë që ju dëgjoja të gjithëve, mendoja se detyra jonë kryesore është jo vetëm të përgjigjemi, por edhe sa shpejt përgjigjemi, sa shpejt ne arrijmë të reagojmë për atë që është më e rëndësishme, mbrojtjen e jetës së një zonje, vajze, gruaje. Kur ajo nuk e përjeton më dhunën vetëm në mënyrë tradicionale, atë që ne jemi mësuar gjithmonë, por një dhunë e cila është reale, edhe pse është online. Ne besojmë realisht se, pavarësisht se është online, përjetimi dhe rreziku që vjen prej saj është po aq real për gratë dhe vajzat, sikundër ka qenë gjithmonë.

Detyra jonë, e Policisë së Shtetit është reagimi me profesionalizëm dhe, mbi të gjitha, me dimensionin njerëzor, për t’i qëndruar pranë dikujt që referencën e vetme e ka te uniforma e Policisë së Shtetit, te një njeri që pritet ta mbrojë atë nga dikush që mbase nuk e ka kuptuar deri më atë ditë se presioni që i është bërë, psikologjik, ekonomik, social, ka qenë pikërisht nga ai që do të duhej të perceptohej në radhë të parë si dikush që duhet ta mbronte dhe mbështeste. Ne e përjetojmë dhunën virtuale si një dhunë reale dhe pasojat janë tërësisht reale.

Si Ministri e Punëve të Brendshme po sjellim disa statistika. Me bindjen që këto janë vetëm statistikat e grave dhe vajzave që kanë gjetur kurajon për ta denoncuar, por jam e bindur se ka shumë prej tyre që kanë frikën dhe merakun se çfarë ndodh pasi denoncojnë dhunën dhe e kanë të pamundur të aksesojnë jo vetëm numrin tonë unik, 112, të Policisë së Shtetit, por ndonjëherë edhe Linjën e Këshillimit për Gratë dhe Vajzat, 116 117.

Gjatë vitit 2025 janë evidentuar 1,308 vepra penale në fushën e krimit kibernetik, nga të cilat 859 ose 66 % janë zbuluar. Kjo tregon, në fillim, rolin praktik që Drejtoria e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit ka zhvilluar, por edhe ndërgjegjësimin që u kemi bërë vajzave dhe grave kur vjen puna te mbajtja e të dhënave dhe dokumentimi i këtyre veprave që ato kanë përjetuar.

Në vetëm një vit, si produkt i punës së bërë në rritjen e kapaciteteve tona teknike, zbulueshmëria e këtyre krimeve është dyfishuar. Kjo sepse Policia e Shtetit ka trajnuar më shumë se 2300 punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët tashmë dinë ekzaktësisht se si duhet të procedojnë, që në një rast të mbledhin të dhënat e sakta për ta referuar më pas në prokurori dhe, pas prokurorisë, në gjykatë, ku do të duhet që dhunuesi të marrë dënimin e merituar.

Megjithatë, ne e dimë shumë mirë se duhet të bëjmë shumë më tepër për ndërgjegjësimin e të gjithë brezit të ri, të atyre të cilët kanë gjetur një mënyrë më proaktive. Tashmë Inteligjenca Artificiale është bërë rreziku ynë numër një për të përdorur të dhëna, figura, imazhe të vajzave dhe grave, duke i vendosur ato në video të papërshtatshme, në postime që deri diku duken si reale dhe, ndërkohë, duke denigruar jetën personale të vajzave dhe grave, pa konceptuar në të vërtetë se çfarë dëmi janë duke u bërë.

Ndaj, ajo që jemi duke bërë në të gjitha gjimnazet dhe shkollat e Shqipërisë, së bashku me projektin SCPA (Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri), të Ambasadës Suedeze, është se po punojmë ngushtësisht me oficerët e sigurisë në shkolla, me punonjësit socialë, me psikologët, me mësuesit, drejtuesit dhe, mbi të gjitha, me vetë të rinjtë dhe prindërit, në lidhje me ndërgjegjësimin dhe efektet, qoftë edhe ato penale, që kanë të miturit kur ushtrojnë dhunë apo bullizojnë një të mitur tjetër, një bashkëmoshatar të tyre, duke menduar se ky kufiri moshor i veprave penale që ata mund të zhvillojnë nuk i prek ata, por duke i ndërgjegjësuar se kjo ka pasoja të drejtpërdrejta në jetën e tyre.

Ajo që po përpiqemi të bëjmë është që, nga njëra anë, të reagojmë në mënyrë proaktive në lidhje me të gjitha gratë dhe vajzat që denoncojnë dhunën në kanalet tona të komunikimit, por, në të njëjtën kohë, të sigurohemi që brezi i ardhshëm të mund të identifikojë në kohë reale, dhe sidomos kur vjen puna te vajzat e mitura dhe të vogla. Të mund t’i edukojmë ato me vetëbesimin se kur ato duan të thonë jo, është jo dhe e prerë. Mbi të gjitha, tashmë kemi një shoqëri ku të gjitha ne, edhe pse e kemi përjetuar një lloj dhune në një mënyrë apo tjetër, nuk duhet të lejojmë që vajzat tona, motrat, kushërirat, kushdo i afërm i yni, të përjetojnë të njëjtën lloj dhune dhe të mos kemi një përgjigje për ata të cilët e shkaktojnë atë dhunë.

Duke ju falënderuar të gjitha zonjat që janë pjesë e këtij paneli, dhe zotërinjtë, sigurisht, por mbi të gjitha të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile, të cilat kanë qenë të pranishme, për të qenë të vëmendshme jo vetëm ndaj punës sonë të përditshme, por edhe për të përmirësuar në mënyrë thelbësore të gjithë kuadrin tonë ligjor, për të mbështetur dhe fuqizuar të gjitha zonjat, gratë dhe vajzat për t’ia dalë e për të qenë aktive jo vetëm në jetën e përditshme, por mbi të gjitha në jetën e krijimit të ligjit dhe atë parlamentare, për të treguar modele të suksesshme të vajzave dhe grave që ia dalin edhe në këtë botë aspak miqësore digjitale që po jetojmë të gjithë. Faleminderit shumë!