Ministry of Internal Affairs

INTERVISTA – Zv.ministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, ishte e ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, ku foli për mekanizmat e mbrojtjes së grave dhe vajzave nga dhuna, rëndësinë e denoncimit dhe mbështetjen institucionale për riintegrimin e tyre në shoqëri. Gjatë bisedës, Ruseti theksoi se një nga pengesat kryesore për denoncimin e dhunës mbetet jo vetëm frika nga agresori, por edhe pasiguria ekonomike, presioni familjar dhe paragjykimi shoqëror. Ajo nënvizoi se dhuna nuk mund të konsiderohet kurrë një pjesë normale e marrëdhënieve familjare.

“Është e vështirë denoncimi i saj dhe përballja me çfarë vjen më pas”, u shpreh zv.ministrja, duke theksuar se mbështetja ndaj grave duhet të vijojë përtej denoncimit të parë, përmes fuqizimit ekonomik, këshillimit dhe ndihmës juridike.

Në këtë drejtim, Ruseti bëri të ditur se në vend funksionojnë rreth 26 zyra të ndihmës juridike falas, të cilat orientojnë gratë për hapat ligjorë dhe institucionalë që duhet të ndjekin, ndërsa në dispozicion të tyre është edhe Linja Kombëtare e Këshillimit për Gra dhe Vajza, 116 117. Në rastet e emergjencës dhe rrezikut të menjëhershëm, qytetarët mund të telefonojnë numrin 112.

Një vëmendje të veçantë ajo i kushtoi ndryshimeve të sjella nga ligji i ri për mbrojtjen nga dhuna, i miratuar në vitin 2026, i cili parashikon një ndërhyrje më të qartë dhe të shpejtë të institucioneve. Sipas saj, në rastet kur konstatohet rrezik për jetën e viktimës, policia mund të marrë menjëherë masa për largimin e dhunuesit, duke iu drejtuar gjykatës brenda 48 orëve për urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, i cili më pas i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor brenda 15 ditëve.

Zv.ministrja vlerësoi gjithashtu rolin e mekanizmave të referimit në të 61 bashkitë e vendit, të cilët ofrojnë strehim emergjent, shërbime sociale dhe ndihmë ekonomike, veçanërisht në rastet kur në situata dhune janë të përfshirë edhe fëmijët. Një tjetër risi e rëndësishme, sipas Ruseti, është adresimi i dhunës online, përfshirë shantazhin përmes fotografive, videove intime dhe mesazheve kërcënuese. Ajo u bëri thirrje grave dhe vajzave që të denoncojnë edhe këto raste, duke ruajtur provat elektronike dhe duke përdorur kanalet zyrtare të Policisë së Shtetit, përfshirë platformën e denoncimit të krimit kibernetik.

Duke folur për rritjen e telefonatave në numrin 112 ndër vite, Ruseti theksoi se kjo lidhet edhe me ndërgjegjësimin më të madh të grave për të raportuar dhunën dhe me besimin te reagimi i institucioneve.

“Duhet t’u tregojmë grave se ia kanë detyrimin në fillim vetes së tyre, por mbi të gjitha fëmijëve të tyre, që ata të mos jetojnë më në një situatë ku dhuna përjetohet si një mënyrë normale e marrëdhënies me prindërit apo me shoqërinë”, u shpreh ajo.

Në përfundim, zv.ministrja nënvizoi rëndësinë e arsimimit, pavarësisë ekonomike dhe fuqizimit të grave si elemente thelbësore për të kapërcyer ciklin e dhunës, duke përcjellë mesazhin se dhuna nuk mund të justifikohet në emër të dashurisë: “Kush të rreh ka gjithçka, përveçse dashurisë”.

Zv.ministrja Ruseti: Unë besoj nisemi edhe nga ajo që ju keni vendosur si titër, është “Asnjëri nuk e pranon dhunën.” Ajo që është e vështirë është denoncimi i saj dhe përballja me çfarë vjen më pas, pasi vajzat dhe gratë, edhe zonjat të cilat e përjetojnë këtë dhunë, do të duhet të përballen jo vetëm me agresorin, të cilin në shumicën e rasteve e kanë partnerin e tyre, bashkëshortin e tyre, por edhe një të afërm të familjes. Pastaj do të duhet të menaxhojnë anën e tyre ekonomike. Shumica prej tyre duhet thënë që nuk janë në kushtet sociale-ekonomike të favorshme për ta hedhur këtë hap, e në fund besoj që është gjithmonë edhe më pak opinioni publik i atyre të cilët për fatin tonë të keq vazhdojnë ende ta justifikojnë një goditje të vogël apo një qortim, apo një bullizim të caktuar, i cili ndodh brenda ambienteve të shtëpisë, si një rutinë normale e cila i ndodh çifteve.

Kështu që ajo që mendoj është patjetër që të gjitha zonjat, edhe gratë të cilat përjetojnë dhunë, i kanë kanalet e tyre zyrtare për të bërë denoncimin, por ajo që vjen më pas është ajo çfarë neve do të duhet që të ndihmojmë më shumë zonjat për t’i fuqizuar ato dhe për t’i dhënë mundësinë që, pas njoftimit tuaj, i cili në shumicën e rasteve, në rastet kur janë shumë agresive dhe rrezikohet realisht jeta e tyre, marrin në telefon tek numri i policisë 112, por kemi dhe disa zonja të tjera të cilat, para se të shkojnë tek rasti i ekstremit të njoftuarit policinë, aksesojnë linjat këshillimi apo zyrat tona juridike falas, të cilat janë në një pjesë shumë të madhe të qyteteve. Kemi rreth 26 zyra juridike falas të cilat orientojnë zonjat mbi të gjithë rrugëtimin që ato do të duhet të bëjnë pas denoncimit të parë. E më pas do të duhet që në disa raste ato njoftojnë edhe telefonojnë te linja e këshillimit për gratë dhe vajzat, që është 116 117, sepse duhet të kuptojmë që është një proces në vetvete shumë i komplikuar.

Për fatin e keq, kemi disa raste kur ka qenë e pamundur që neve të mund të largojmë zonjën apo të dhunuarën nga dhunuesi. Për shkak të kushteve të familjare që ata kanë, shtëpinë, i cili në shumicën e rasteve është në emër të dhunuesit. Por me ligjin e ri që është miratuar vetëm në fillim të këtij viti, i 2026-s, tashmë kemi një adresim më të qartë të rasteve kur ndërhyn policia, kur merret urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes dhe çfarë etapash kalon pastaj në gjykatë. Ajo që është risi në këtë rast, sidomos kur vjen puna tek rreziku i jetës që i kanoset të dhunuarës, është urdhri i menjëhershëm që merr policia që në momentin që e evidenton rastin dhe largon dhunuesin. E më pas, brenda 48 orësh, policia i drejtohet gjykatës për të marrë një urdhër të menjëhershëm mbrojtje dhe pastaj, brenda 15 ditëve, validohet kjo masë. Ajo që bëhet në përgjithësi nëpërmjet mekanizmit të referimit që është në të 61 bashkitë, është fuqizimi apo ndihma e parë që i jepet zonjave, sidomos kur jemi duke folur për rastet kur kemi dhe të mitur.

Ka një sensibilitet shumë më të madh kur pjesa e dhunës apo dëshmitarë të dhunës janë edhe fëmijët. Kështu që bashkitë, njësitë administrative, por bashkitë kryesore, sigurisht, janë ato që sigurojnë një strehim të menjëhershëm për nënën, i japin shërbimet e emergjencës, ndihmojnë me ndihmën ekonomike e cila lidhet në mënyrë të menjëhershme dhe pastaj fillojnë me atë që ne e quajmë menaxhimin e rastit, kur vjen puna tek fuqizimi i zonjës.

Pyetje: Integrimi i saj në jetën shoqërore, pa e patur nevojën e një shtylle tjetër bashkëshorti, siç është rasti konkret apo dikush tjetër në familje. Domethënë, janë disa hallka që kanë ndodhur, që e përmirësojnë ndjeshëm pozitën e një gruaje.

Zv.ministrja Ruseti: Besoj se po, por kjo nuk do të thotë që, sepse jam shumë e sigurt që për shkak të ndjeshmërisë që ka gjithë situata, por edhe gjithë faktit që juve ju ndjek e gjithë Shqipëria, jam shumë e bindur që ka zona të thella të cilat, zonja të cilat po na ndjekin tani, e kanë shumë të vështirë. Edhe nuk e kuptojnë se si mund ta kapërcejnë këtë dhe kush mund t’i dalë. Ashtu siç e thamë, është shumë e vështirë që ti të kesh jetuar kaq gjatë me një njeri i cili nuk ka ushtruar vetëm dhunë fizike. Në shumicën e rasteve, ajo që është, është dhunë psikologjike, është dhunë ekonomike, emocionale. Pra, të jetosh për kaq gjatë me dikë që të thotë gjatë gjithë kohës “ti je pa zonja”, “ti nuk do ja dalësh dot kurrë”, “pa mua”, nëse kjo ndodh dhe kemi pasur raste kur pastaj dhunuesi është bërë akoma dhe më agresiv, por në të gjitha rastet ajo që vlen është asnjë gjë më keq sesa aq sa jam duke jetuar nuk ka çfarë ndodhi.

Kështu që ndonjëherë ka edhe nevojë pak për këshillim edhe mbështetje për zonjat, për t’i treguar që ia kanë detyrimin në fillim vetes së tyre, por mbi të gjitha fëmijëve të tyre, që ata mos të jetojnë më në një situatë ku do duhet të jetojnë dhunën ta përjetojnë atë dhe në shumicën e rasteve dhe ta përjetojnë si një mënyrë të vetme të të pasurit një marrëdhënie me prindërit e tyre apo të të pasurit një marrëdhënie më pas me shoqërinë apo me nxënësit apo me shokët e tyre.

Besoj që janë disa faktorë që ndikojnë. E para është vetëbesimi që ka vetë zonja. Ne kemi disa zonja shumë të forta që ia kanë dalë mbanë të denoncojnë dhunën, t’ia dalin vetë edhe në zona të thella, malore apo jugore. Nuk dua të jem diskriminuese në lidhje me prejardhjen e tyre, sikundër kemi edhe zonja të cilat jetojnë në Tiranë, e kanë mundësinë ekonomike, por për shkak të dhunës psikologjike që ato përjetojnë, e kanë shumë të vështirë, por edhe për shkak të statusit, sepse ndonjëherë ne vazhdojmë të kemi mentalitetin që prototipi ynë i një zonje të realizuar është ai i të pasurit burrin, fëmijët, familjen, punën e kështu me radhë.

Kështu që ka disa komponentë të cilat ndonjëherë i bëjnë zonjat që të hezitojnë të denoncojnë, apo në shumicën e rasteve dhe thjesht të divorcohen. Por ajo që kemi bërë me ligj, me miratimin e ligjit të ri, tashmë nuk i referohemi vetëm formave tradicionale të dhunës, siç janë këto që sapo përmendëm, por kemi dhe një formë tjetër të dhunës, e cila është prezente gjithmonë e më shumë, dhuna online, ku pjesa më e madhe e atyre që kanë një lidhje apo qoftë edhe nëse nuk bashkëjetojnë me, me të dhunuarën, i përdorin foto, komente, video intime që mund të kenë pasur për t’i shantazhuar, për t’i dhunuar, për t’i përdorur ato. Kështu që tashmë me ligjin e ri adresojmë edhe këtë problematikë, të cilën më përpara, edhe sepse ligji i mëparshëm ishte bërë rreth 20 vite përpara dhe nuk kishte kjo lloj hapjeje ndaj rrjeteve sociale apo ky përdorim i këtij lloj modeli, tashmë zonjat mund edhe të denoncojnë jo vetëm sikundër i thashë tek 112 numri i policisë, por edhe nëse hyjnë te faqja e policisë së shtetit, kanë një link të caktuar ku është krimi kibernetik, të cilin ato mund të denoncojnë rastin. Në të gjitha rastet duhet të jenë të kujdesshme t’i ruajnë si fakte dhunën që kanë, që është ushtruar ndaj tyre, duke bërë screenshot një mesazh, duke ruajtur video, duke bërë, pra, ato vetë duhet të jenë në një farë mënyre proaktive derisa çështjen ta marri policia e më pas me veprimet që bën t’ia kalojë prokurorisë për ndjekje.

Ne kemi pasur një numër të rritur të telefonatave që kanë ardhur te 112, vit pas viti, dhe këtë në fakt e lidhim jo vetëm jo me rritjen e numrit të atyre që janë të dhunuara, por me ndërgjegjësimin e tyre drejt referimit të kësaj dhune. Policia tashmë është një faktor shumë i rëndësishëm në reagimin e menjëhershëm kur vjen një telefonatë dhune. Bashkitë janë të ndërgjegjshme që nëse ato nuk mbështesin një rast, e kanë të pamundur zonjat pastaj të vazhdojnë jetën e tyre dhe të riintegrohen.

Unë besoj që zonjat vetë janë bërë më të zonjat për ta përballuar dhe për të dhënë mesazhin që në fakt nuk e kanë pritur gjithmonë që t’i vijë nga jashtë. Kështu që shumë zonja, sikundër ju, unë dhe të gjitha neve jemi bërë më të zonjat edhe për vajzat tona, edhe për fëmijët tanë, për t’i treguar që shkollimi është ajo që do ju japë gjithmonë një të ardhme dhe do ia dilni në jetën tuaj. Arsimimi në disa raste, në arsim profesional e kështu me radhë, mendoj që është shumë komplekse dhe pa diskutim që shoqëria shqiptare në shumicën e rasteve ka filluar që mos ta konsiderojë më shprehjen “kush të rreh të do”, por definitivisht “kush të rreh ka gjithçka”, po përveçse dashurisë.