Ministry of Internal Affairs

Romë, Itali – Zhvillimi i Akademisë së Sigurisë sipas përvojës italiane, përfundimi i marrëveshjeve në fushën e sigurisë dhe njohja automatike në Itali e certifikatave të lindjes të lëshuara përmes e-Albania ishin tri çështjet kryesore të takimit në Romë mes ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo, dhe homologut të tij italian, Matteo Piantedosi.

Një vëmendje të veçantë mori e ardhmja e Akademisë së Sigurisë, me synimin që organizimi dhe formimi profesional i punonjësve të Policisë të mbështeten në përvojën italiane. Bashkëpunimi me institucionet homologe italiane synon përmirësimin e programeve të studimit, forcimin e përgatitjes praktike dhe shkëmbimin e ekspertizës. Në këtë kuadër, u diskutua edhe programi vjetor i trajnimeve, për t’i pajisur punonjësit e Policisë me aftësitë e nevojshme për hetimin, parandalimin e krimit dhe shërbimin ndaj qytetarëve.

Dy ministrat diskutuan gjithashtu marrëveshjet në fushën e sigurisë, të cilat janë në fazën përfundimtare dhe do të firmosen mes dy vendeve. Këto marrëveshje synojnë të forcojnë më tej bashkëpunimin shqiptaro-italian dhe koordinimin mes strukturave përgjegjëse për sigurinë.

Ministri Demo trajtoi gjithashtu çështjen e njohjes automatike së certifikatave të lindjes, nga autoritetet italiane, lëshuar nga gjendja civile shqiptare, në formën që shkarkohen e printohen nga e-Albania.

Pjesë e bisedimeve ishte edhe intensifikimi i bashkëpunimit policor, përmes shkëmbimit të informacionit në kohë reale, zgjerimit të skuadrave të përbashkëta hetimore. Këto mekanizma synojnë reagim më të shpejtë dhe goditje më efektive ndaj veprimtarisë kriminale në të dy vendet.

Takimi në Romë konfirmoi vullnetin e përbashkët për ta çuar bashkëpunimin shqiptaro-italian në një nivel të ri, duke e shndërruar përvojën dhe mbështetjen italiane në rezultate konkrete për forcimin e institucioneve, luftën kundër krimit dhe, mbi të gjitha, rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e shërbimeve për qytetarët.