Ministry of Internal Affairs

Demo: Siguria e qytetarëve, matësi i suksesit në luftën kundër narkotikëve – Goditja e financave, kyç për ti dobësuar grupet kriminale

Suksesi i Policisë matet mbi të gjitha me nivelin e sigurisë që përjetojnë qytetarët, mbrojtjen e të rinjve dhe kufizimin e hapësirave ku veprojnë grupet kriminale, të cilat dobësohen kur u goditen financat. Ky ishte mesazhi kryesor në fjalën e Ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo, në konferencën e përbashkët të Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza-s për rezultatet e monitorimit ajror të territorit shqiptar gjatë vitit 2026. Duke u ndalur te rezultatet e bashkëpunimit 15-vjeçar mes Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza-s për monitorimin nga ajri të territorit shqiptar, ministri i Brendshëm vlerësoi se kjo traditë është dëshmi e besimit të ndërtuar mes institucioneve, koordinimit operacional dhe rezultateve konkrete ndër vite.

“Për mua, suksesi i Policisë nuk matet vetëm me numrin e operacioneve, arrestimeve apo hektarëve të kontrolluar. Këto janë tregues të rëndësishëm që na ndihmojnë për të kuptuar se çfarë kemi bërë dhe ku duhet të përmirësohemi, por matësi përfundimtar është se sa të sigurt ndihen qytetarët dhe sa më pak hapësirë kanë grupet kriminale për të operuar në territor. Sa më mirë ne i mbrojmë të rinjtë, fëmijët nga fenomenet negative. Lufta kundër krimit nuk është një garë statistikash, por një detyrim ndaj njerëzve që presin nga ne më shumë siguri, qetësi dhe mbrojtje”, deklaroi Demo.

Ministri nënvizoi gjithashtu se goditja e grupeve kriminale nuk mund të kufizohet vetëm te arrestimi i anëtarëve të tyre, por duhet të shtrihet te burimet ekonomike që financojnë dhe mbajnë gjallë aktivitetin e paligjshëm. Në këtë drejtim, hetimet e përbashkëta, bashkëpunimi me strukturat antimafia italiane dhe sekuestrimi i pasurive kriminale janë elementë thelbësorë për të dobësuar kapacitetet e organizatave kriminale dhe për të penguar rikthimin e tyre në aktivitet.

Duke iu referuar progres-raportit të fundit të Komisionit Evropian, Demo evidentoi rritjen e ndjeshme të operacioneve policore të zhvilluara me partnerët ndërkombëtarë, nga 53 në 108 brenda një viti, duke e cilësuar Italinë një prej partnerëve kryesorë të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve.

Ai vlerësoi gjithashtu zgjerimin e bashkëpunimit operacional mes dy vendeve, ku këtë vit monitorimi ajror nisi që në muajin maj dhe vijoi deri në tetor, ndërsa 18 skuadra të përbashkëta me Italinë dëshmojnë nivelin e koordinimit dhe besimit institucional. Ministri e vendosi këtë bashkëpunim edhe në kontekstin e integrimit evropian, duke theksuar se siguria është një parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm dhe një nga elementët themelorë të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

“Ne nuk mund të pretendojmë që një vend mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social e politik, nëse nuk e ka sigurinë në nivelet e duhura. Ne nuk duhet ta shohim Europën thjesht si një destinacion ku duhet të përgatitemi dhe të mbrohemi edhe nga fenomenet që vijnë prej saj, por duhet të jemi kontribuues në sigurinë e Bashkimit Europian në tërësi”, u shpreh Demo.

Në përfundim, ministri theksoi se ndryshimi i vazhdueshëm i mënyrave të financimit, rrugëve të trafikimit dhe përdorimit të teknologjisë nga grupet kriminale kërkon që edhe bashkëpunimi ndërkombëtar të përshtatet dhe të forcohet vazhdimisht. Ai falënderoi autoritetet italiane për mbështetjen e dhënë ndër vite, duke nënvizuar se partneriteti mes dy vendeve në fushën e sigurisë nuk është një mision që përfundon me operacionet apo aktivitetet e përbashkëta, por një angazhim i përditshëm për mbrojtjen e qytetarëve dhe garantimin e sigurisë në Shqipëri dhe në hapësirën europiane.

Fjala e plotë ministrit Demo në konferencë:

Përshëndetje të gjithëve!

I dashur Ambasador,

I nderuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,

I nderuar zoti Bucossi, Drejtori i Shërbimeve të Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor në Policinë Italiane,

I nderuar Gjeneral Brigade, zoti Francese,

Të dashur miq, patjetër të gjithë përfaqësuesve të uniformës që kemi këtu sot, edhe për sa i përket Guardia di Finanza dhe Policisë së Shtetit,

Kisha përgatitur një fjalim, por besoj që duke dëgjuar edhe parafolësit, do të mundohem të përqendrohem në disa gjëra, të cilat janë shumë të rëndësishme dhe që janë një arsye pse bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Italisë, në fushën e sigurisë ka zgjatur kaq shumë kohë. Nuk është ndërtuar thjesht mbi marrëveshje, protokolle bashkëpunimi apo deklarata të përbashkëta, por është ndërtuar mbi punën tuaj, që jeni këtu sot, mbi besimin dhe mbi rezultatet konkrete që, në fakt, janë akumuluar ndër vite. Ne sot kemi një arsye të veçantë që jemi të gjithë këtu bashkë, sepse për të 15-tin vit radhazi, 15 vite radhazi, Guardia di Financa, Policia e Shtetit kanë bashkëpunuar për monitorimin nga ajri i territorit shqiptar, në çdo cep të vetë. 15 vjet janë një periudhë e gjatë, dhe në fakt është një tregues se si ky bashkëpunim merr trajtën e një tradite vit pas viti.

Unë mbajta shënim 4 elementë që besoj që janë shumë të rëndësishëm. Zyra e përfaqësimit nga shteti italian në vende të ndryshme të botës, zyra më e madhe është në Tiranë, është në Shqipëri. Ky është një tregues domethënës në vetvete. Për sa i përket rëndësisë strategjike që ka marrëdhënia, po aq më tepër rëndësisë strategjike që ka siguria nga krahu tjetër i Adriatikut, edhe për Europën në tërësi, jo thjesht Italinë.

Logjistika dhe teknologjia që është përdorur, qartazi sjell rezultate më konkrete, dhe këtë ne e shohim vit pas viti. Ndryshimet taktike që ndodhin, siç këtë vit që ka filluar shumë më herët vrojtimi nga ajri, që në muajin maj, dhe vazhduar më pas deri në tetor, tregon që edhe taktikisht, pas gjithë kësaj eksperience, ne jemi më të qartë se si mund të bëjmë ndërhyrjet e duhura për të pasur rezultate më të mira. Dhe 18 skuadrat e përbashkëta, vetëm me Italinë, tregojnë po ashtu vullnetin politik që ekziston midis dy vendeve, por patjetër besimin reciprok institucional midis forcave të sigurisë, për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe fenomeneve të paligjshme.

Unë besoj që rezultatet e këtij bashkëpunimi janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë, në fakt, që Shqipëria po zhvillon kundër krimit të organizuar, dhe në fakt Progres-raporti i fundit i Komisionit Europian, evidenton forcën e bashkëpunimit ndërkombëtar që ne kemi ndërtuar tashmë ndër vite. Sipas të dhënave të pasqyruara në raport, operacionet policore të zhvilluara me partnerë ndërkombëtarë janë rritur nga 53 në 108, brenda një viti. Pra, më shumë se dyfishim i operacioneve të përbashkëta. Italia është një nga partnerët tanë kryesorë në këtë përpjekje.

Bashkëpunimi me Anti-mafian italiane, hetimet e përbashkëta, operacionet kundër trafikut të narkotikëve dhe sekuestrimi i pasurive kriminale janë shembuj konkretë të këtij bashkëpunimi. Por dua të theksoj diçka. Për mua, suksesi i Policisë nuk matet vetëm me numrin e operacioneve, arrestimeve apo hektarëve të kontrolluar. Këto janë tregues të rëndësishëm që ne na ndihmojnë për të kuptuar se çfarë kemi bërë dhe ku duhet të përmirësohemi, por matësi përfundimtar është se sa të sigurt ndihen qytetarët, dhe sa më pak hapësirë kanë grupet kriminale për të operuar në territor. Sa më mirë ne i mbrojmë të rinjtë, fëmijët nga fenomene negative, sepse lufta kundër krimit nuk është një garë statistikash, por është një detyrim ndaj njerëzve që presin nga ne më shumë siguri, qetësi dhe patjetër mbrojtje. Ky është standardi me të cilin ne duhet të matemi çdo ditë.

Sot kemi mundësinë të shohim rezultatet e një viti tjetër të suksesshëm, falë bashkëpunimit me autoritetet italiane. Por kemi dhe përgjegjësinë të shohim përpara, sepse krimi i organizuar ndryshon, ndryshojnë mënyrat e financimit, rrugët e trafikimit dhe teknologjitë që vetë krimi i organizuar përdor në të njëjtën kohë. Prandaj bashkëpunimi ynë duhet të zhvillohet vazhdimisht, jo thjesht në këndvështrimin e kontrollit të territorit dhe të vrojtimit nga ajri, por mbi të gjitha atë çfarë ne bëjmë çdo ditë, për sa i përket luftës së përbashkët, kundrejt fenomeneve të paligjshme.

Unë e përmenda në fillim që objektivi jonë madhor në fakt si komb është integrimi i Bashkimit Europian. Patjetër që rruga në këtë proces mbështetet fuqimisht në nivelin e sigurisë që Shqipëria ka dhe patjetër ofron dhe prodhon në bashkëpunim me partnerët evropianë.

Ne nuk mund të pretendojmë që një vend mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social, politik, në qoftë se nuk e ka sigurinë në nivelet e duhura. E aq më tepër në Europën nuk e shohim si një destinacion, ku ne rrugës duhet të përgatitemi dhe të mbrohemi dhe nga fenomenet që vijnë nga Europa, por në fakt ne duhet të jemi kontributor në sigurinë e Bashkimit Europian në tërësi. Shqipëria duhet të luajë rolin e vet në këtë kontekst. Në fakt, i gjithë rajoni i Ballkanit ka një rëndësi të veçantë për sa i përket sigurisë së Bashkimit Europian. E këtu nuk flasim thjesht për fenomenet e krimit të organizuar, fenomenet e jashtëligjshme, por patjetër dhe një kontekst më të gjerë tashmë, që është gjeopolitika. Edhe vetë në strategjinë e Bashkimit Europian, zgjerimi në vetvete është qartazi një strategji sigurie për vetë Bashkimin Europian. E këtu ne patjetër duhet të bëjmë çmos që ne të ecim me hapat e duhura, bazuar në meritë. Por një gjë është e sigurt që në këtë rrugëtim, në qoftë se ka pasur një partner, i cili qartazi në nivel strategjik, por patjetër dhe në mbështetje gjatë gjithë këtyre viteve, Italia është vendi, i cili ne jemi mbështetur edhe në momentet më të vështira dhe për fenomenet më problematike.

Prandaj unë dua të falënderoj këtu të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme italiane, të cilët e kanë bërë të mundur këtë bashkëpunim ndër vite dhe vazhdojnë ta bëjnë të mundur fuqizimin e tij dhe aq më tepër në këtë rrugëtim kaq të rëndësishëm për ne për sa i përket integrimit të Bashkimit Europian, ku siguria mbetet absolutisht një ndër elementët më të rëndësishëm.

Unë nuk dua të ndalem gjatë në statistika, sepse parafolësit i shpjeguan me detaje. Por ne jemi të gatshëm si vend që, si portë hyrëse në Bashkimin Evropian, ne të luajmë rolin tonë për të garantuar, në fakt, ajo çfarë porta nënkupton dhe vetvetiu na krijon një lidhje psikologjike. Elementi i parë që ne duam të sigurojmë në shtëpi është porta. Patjetër Shqipëria, duke qenë portë, rajoni i Ballkanit duke qenë portë e Bashkimit Evropian, ne duhet ta rrisim nivelin e sigurisë dhe patjetër së bashku me partnerët të arrijmë të luftojmë atë që sot krimi ka arritur të krijojë, që është transnacional, nuk njeh më kufij, përdorimi i teknologjisë, nuk njeh burokraci.

Ne duhet të ecim shumë më shpejt në këtë kuadër, për të qenë në lartësinë e duhur që të ofrojmë siguri, në këtë pozicion gjeografik të rëndësishëm që ne kemi dhe si vend. Kështu që shumë faleminderit! Ju uroj të gjithëve një punë të mbarë, sepse ky nuk është një mision që mbaron sot, por në fakt është një punë e përditshme për të gjithë ata që duhet të luftojnë fenomene të tilla.

Unë do të doja të falënderoja edhe njëherë Ambasadorin, për punën e jashtëzakonshme që bën këtu në Tiranë, sepse këto zyra me shumë njerëz, edhe shumë bashkëpunime, edhe shumë përfaqësime, do të thotë më shumë punë për këtë burrin këtu. Kështu që besoj që ne e kemi arritur këtë marrëdhënie, këtë simbiozë kaq të rëndësishme dhe kaq organike dhe deri diku dhe emocionale me Italinë, që ne e kemi kuruar ndër vite si shqiptarë. Kështu që shumë faleminderit Ambasador dhe shumë faleminderit të gjithëve!

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, gjatë konferencës së përbashkët me partnerët e GdF-së, mbi rezultatet e luftës kundër kultivimit të kanabisit, gjatë vitit 2026:  

I nderuar Ministër i Punëve të Brendshme, z. Ervin Demo,

I nderuar Shkëlqesi, Ambasador z. Marco Alberti,

I nderuar Gjeneral Brigade z. Giancarlo Franzece, Shef i Repartit III të Operacioneve,

I nderuar Drejtues i Lartë Lorenzo Bucossi, Drejtor i Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor në Ministrinë e Punëve të Brendshme,

I nderuar Kolonel Alessandro Bucci, Shef i Qendrës Operative,

I nderuar Profesor Carmine Gambardella, President i Konsorciumit të Universitetit Benecon,

Të nderuar kolegë, përfaqësues të agjencive ligjzbatuese dhe pjesëmarrës,

Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem pjesë e kësaj tradite të rëndësishme dhe tashmë të konsoliduar të bashkëpunimit me partnerët tanë strategjikë, kolegët dhe miqtë tanë italianë. Kjo tryezë e përvitshme nuk është thjesht një moment formal raportimi, por një platformë me rëndësi të veçantë strategjike, që mundëson vlerësimin me transparencë, përgjegjshmëri dhe profesionalizëm të rezultateve të arritura në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, gjatë vitit 2026. Sot jemi së bashku për të prezantuar dhe vlerësuar punën e madhe të bërë përgjatë këtij viti, në luftën kundër kultivimit, prodhimit dhe shitjes së kanabisit. Periudha e gjatë e bashkëpunimit me Policinë italiane dhe, nëpërmjet saj, me Guardia di Finanza, dëshmon konsolidimin e një qëllimi të përbashkët, ndërtimin e shoqërive më të sigurta, me shkolla të pastra dhe me rini larg fenomeneve që cenojnë shëndetin, jetën dhe të ardhmen e saj. Pavarësisht traditës së krijuar për të organizuar, në përmbyllje të punës së përbashkët, një konferencë ku prezantohen rezultatet dhe arritjet në parandalimin dhe luftën kundër veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike për vitin 2026, dhe pa dashur të anashkaloj kontributin e askujt, dua të ndalem në disa momente kyçe të kësaj pune të madhe të realizuar bashkërisht.

Lufta kundër paligjshmërive, krimit të organizuar dhe çdo forme tjetër të kriminalitetit është pa dyshim, në interes të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve dhe forcimit të sundimit të ligjit. Por lufta kundër kanabisit, kultivimit, prodhimit dhe shitjes së tij merr një kuptim dhe peshë të veçantë, pasi lidhet drejtpërdrejt me dy faktorë: së pari, me mbrojtjen e nxënësve, që përfaqësojnë të ardhmen e vendit, dhe së dyti, me goditjen e një burimi të rëndësishëm fuqizimi për krimin e organizuar. Bazuar në këta dy faktorë, angazhimi i strukturave të Policisë së Shtetit ka qenë dhe vijon të jetë i shtrirë në çdo skaj të vendit dhe shumëdimensional, duke përfshirë sensibilizimin e komuniteteve lokale, kontrollin e vazhdueshëm të territorit, si dhe intensifikimin e punës informative dhe hetimore për identifikimin e grupeve kriminale në fushën e narkotikëve dhe nxjerrjen përpara drejtësisë, të organizatorëve dhe financuesve të tyre. Gjithashtu, hetimet intensive dhe veprimet operacionale, të koordinuara edhe me institucionet e tjera të ngarkuara me përgjegjësi, janë orientuar drejt vënies përpara përgjegjësisë penale, të punonjësve që kanë neglizhuar detyrat që u ngarkon ligji apo janë përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Gjatë këtij viti, kapacitetet policore janë orientuar në dy drejtime me ndikim afatgjatë në sigurinë publike. Në rritjen e forcës parandaluese kundër kultivimit të bimëve narkotike, nëpërmjet intensifikimit të pranisë së punonjësve të Policisë në zonat e thella rurale dhe malore, kontrollit të territorit duke përdorur, krahas kontrollit tokësor, edhe 84 dronë, si dhe ndërmarrjes së veprimeve proaktive dhe përdorimit efektiv të teknologjisë.

Integrimi i këtyre elementeve dhe dhënia e përparësisë forcës parandaluese ka mundësuar goditjen që në fazat fillestare, të tentativave për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet sekuestrimit të farave të siguruara me qëllim kultivimin, si dhe asgjësimit të fidanëve të kanabisit në kubikë ose të sapombjellë në tokë.

Po përmend vetëm një tregues domethënës të këtij angazhimi parandalues, gjatë këtij viti janë evidentuar dhe goditur në tentativë për t’u kultivuar në tokë, 132,000 fidanë kanabisi, (2026) krahasuar me 17 447 fidanë gjatë vitit të kaluar (2025). Vetëm kjo shifër dëshmon më së miri orientimin e qartë të strukturave tona drejt parandalimit të kësaj veprimtarie kriminale.

Për sa i përket evidentimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në tërësi, është punuar intensivisht, në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe në drejtimin e Prokurorisë, dhe si rezultat janë arrestuar, ndaluar dhe proceduar penalisht 165 autorë.

Gjithashtu, për vepra penale që lidhen me shpërdorimin e detyrës dhe moskallëzimin e krimit, janë proceduar penalisht 89 kryetarë fshatrash, punonjës të OSHEE-së dhe punonjës të ngarkuar me shërbimin pyjor dhe mjedisin.

Njëkohësisht, strukturat e Policisë së Shtetit intensifikuan kontrollet për të evidentuar dhe goditur edhe veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, nëpërmjet përdorimit të llambave, veprimtari e cila u godit në 17 raste.

Për të arritur këto rezultate, nuk ishim vetëm. Besimi i ndërsjellë, i ndërtuar ndër vite me kolegët dhe miqtë tanë të GdF-së, si dhe teknologjia e tyre e avancuar, kanë qenë një mbështetje e fuqishme për Policinë e Shtetit në goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Nëpërmjet 62 misioneve të fluturimit, pra 10 misione më shumë se gjatë vitit të kaluar, ky partneritet model bëri të mundur skanimin e një pjese të konsiderueshme të territorit.

Rritja e këtij efikasiteti krahasuar me vitin 2025, si dhe asistenca në 7 raste, me helikopterë nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, dëshmojnë kapacitetet aktuale për të kapërcyer vështirësitë e relievit dhe për të kontrolluar zona të thella malore, të cilat më parë, për shkak të kapaciteteve të kufizuara, konsideroheshin nga financuesit, organizatorët dhe kultivuesit e bimëve narkotike, si oaze ku mund të zhvillonin në fshehtësi veprimtarinë e tyre kriminale.

Duke u mbështetur në intensifikimin e angazhimit policor, partneritetin me qytetarët, profesionalizmin e shkëmbyer me homologët e GdF-së dhe teknologjinë bashkëkohore, në vitin 2027 do të përqendrojmë të gjithë angazhimin tonë në rritjen e forcës parandaluese dhe goditëse kundër kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të hapura dhe të mbyllura, identifikimin e rrjeteve që importojnë fara narkotike, si dhe identifikimin dhe ndalimin e organizatorëve, financuesve dhe përfituesve të vërtetë të kësaj veprimtarie kriminale.

Në mënyrë të veçantë, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për Shkëlqesinë e Tij, ish-ambasadorin e Italisë në Shqipëri, z. Fabrizio Bucci, për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Policisë së Shtetit, si dhe për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Policisë së Shtetit dhe strukturave homologe italiane. Mbështetja, angazhimi dhe vëmendja e tij ndaj bashkëpunimit në fushën e sigurisë janë një vlerë e shtuar për partneritetin tonë dhe për rezultatet konkrete që kemi arritur së bashku. Gjithashtu, falënderoj Ambasadorin e Italisë në Shqipëri, z. Marco Alberti, për kontributin që po jep në forcimin e bashkëpunimit mes policive të dy vendeve. Falënderim dhe mirënjohje edhe për kolegët e GdF-së, për seriozitetin, profesionalizmin dhe bashkëpunimin bazuar në besimin reciprok.

Së dyti, në vijim të goditjes së kultivimit dhe prodhimit të bimëve narkotike, angazhimi ynë është përqendruar dhe do të vijojë të përqendrohet në parandalimin dhe goditjen pa kompromis të shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, përfshirë edhe drogat e forta, veçanërisht pranë institucioneve arsimore dhe në ambiente të tjera që frekuentohen nga të rinjtë. Lufta kundër kanabisit nuk përfundon me parandalimin e kultivimit apo asgjësimin e bimëve narkotike. Ajo duhet të vijojë deri në goditjen e zinxhirit të shpërndarjes dhe shitjes, me qëllim që lëndët narkotike të mos përfundojnë te të miturit, të rinjtë dhe nxënësit, duke rrezikuar shëndetin, sigurinë dhe të ardhmen e tyre.

Ky aspekt, gjatë këtij viti, nëpërmjet porosive të mia të vazhdueshme, ka qenë prioritet absolut i punës së Policisë së Shtetit, në nivel qendror dhe vendor. Kjo barrierë kryesore mbrojtëse për shoqërinë tonë është ndërtuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, oficerët e sigurisë në shkolla, drejtuesit, stafet pedagogjike dhe prindërit, jo vetëm për të mos lejuar përfshirjen dhe penalizimin e një grupmoshe të caktuar, por mbi të gjitha për të parandaluar helmimin e së ardhmes së vendit dhe të pjesës më vitale të tij.

Konkretisht, gjatë vitit 2026, janë finalizuar 31 operacione, gjatë të cilave janë goditur dhjetëra episode të shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të perimetrit të sigurisë në shkolla. Ndër to, veçohen operacionet që kanë pasur ndikim të gjerë në qarqet kryesore të vendit, bazuar në sasinë e lëndëve narkotike të sekuestruara dhe numrin e shtetasve të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale për këtë veprimtari kriminale.

Fokusin dhe vëmendjen prioritare gjatë dy muajve të fundit të këtij viti dhe përgjatë vitit të ardhshëm do ta kenë parandalimi dhe goditja në kohë e çdo tentative për të përfshirë të miturit dhe të rinjtë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe për të depërtuar me paligjshmëri në mjediset shkollore.

Ndërkohë, për Policinë e Shtetit, viti 2027 do të vijojë të jetë një sfidë në parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, pavarësisht rezultateve pozitive të arritura gjatë viteve të fundit. Përpara do të kemi disa zhvillime që kërkojnë angazhim maksimal të strukturave policore, devotshmëri dhe profesionalizëm, veçanërisht për të garantuar ndjekjen dhe menaxhimin e shërbimeve policore, me qëllim ofrimin e parametrave optimalë në fushën e rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit, si dhe menaxhimin dhe garantimin e sigurisë gjatë aktiviteteve të rëndësishme, si zgjedhjet vendore, sezoni turistik veror, siguria në shkolla etj.

Duke vlerësuar masat që kemi marrë dhe po zbatojmë, si dhe treguesit e arritur, shpreh bindjen se organizata që drejtoj do të vijojë të konsolidojë dhe thellojë rezultatet në luftën kundër kultivimit të kanabisit, duke goditur me forcën e ligjit çdo hallkë të kësaj veprimtarie kriminale, që nga financimi dhe kultivimi i tyre, deri te shitja e trafikimi. Dua të garantoj të gjithë qytetarët dhe partnerët tanë se Policia e Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, është e motivuar dhe e angazhuar maksimalisht për të goditur krimin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti Faleminderit për vëmendjen dhe për bashkëpunimin!