Ministry of Internal Affairs

DEKLARATA – Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilluan një komunikim për mediat, ku në fokus ishin garantimi i rendit dhe sigurisë publike, mbështetja për punonjësit e Policisë dhe modernizimi i mëtejshëm i strukturave të saj. Ata përcollën mesazhe të qarta për domosdoshmërinë e zhvillimit të tubimeve paqësore, duke theksuar se e drejta për protestë është e garantuar, por dhuna nuk mund të jetë pjesë e saj dhe as mjet për të përcjellë mesazhe apo për të arritur qëllime politike. Një vëmendje e veçantë, Demo dhe Hita i kushtuan përmirësimit të trajtimit financiar të punonjësve të Policisë së Shtetit, përmes politikave të rritjes së pagave, si një shprehje konkrete e vlerësimit për punën, përkushtimin dhe sakrificën e tyre në shërbim të qytetarëve. Përmirësimi i kushteve ekonomike dhe profesionale synon të rrisë motivimin, dinjitetin dhe përgjegjshmërinë e efektivëve, duke forcuar njëkohësisht standardet e shërbimit policor. Paralelisht, u theksua rëndësia e investimeve në teknologji, pajisje dhe mjete bashkëkohore, me qëllim modernizimin e Policisë së Shtetit, rritjen e kapaciteteve parandaluese dhe hetimore, si dhe reagimin më të shpejtë dhe më efikas ndaj çdo situate që cenon sigurinë publike. Mesazhi i përbashkët ishte i qartë një Polici më e mbështetur, më e motivuar dhe më e pajisur me teknologji moderne është një garanci më e fortë për rendin, sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve.

Deklarata e plotë e ministrit Demo:  Jam këtu sot me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për të bërë një përmbledhje për çfarë ka ndodhur gjatë javëve të fundit, në kontekstin e protestave që janë zhvilluar në qytetin e Tiranës. Së pari, unë do të doja të falënderoja punonjësit e Policisë së Shtetit, për sa i përket angazhimit të tyre në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, dhe patjetër, duke marrë në konsideratë edhe nivelin e dhunës, i cili ka qenë në nivele të paprecedenta më parë. Duke thënë këtë, do të doja ta filloja edhe me një akt shumë të rëndësishëm, një projektligj, që tashmë është dorëzuar në Parlament, siç është projektbuxheti i vitit 2027, ku përfshihet, në të njëjtën kohë, edhe një trajtim i ri për sa i përket nivelit të pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit, ku ne do të kemi një rritje të konsiderueshme.

Siç e kam përmendur që në datën 7 tetor, në fillimin e shkollës në Akademinë e Sigurisë, për sa i përket nivelit bazë të pagës, kjo do të rritet me plus 20,000 lekë të reja, por patjetër edhe të gjithë punonjësit e tjerë të Policisë me plus 15,000 lekë të reja. Kjo është një rritje e konsiderueshme, e cila është ndër rritjet më të larta historike, për sa i përket trajtimit financiar të strukturave të Policisë së Shtetit, dhe është një trajtim më se i merituar, për sa i përket angazhimit të tyre në territor, për të garantuar rend dhe siguri publike, për të mbajtur zhvillimin edhe të sektorit të turizmit, dhe jo vetëm, për sa i përket atyre shërbimeve që janë jetike për një vend të sigurt.

Po ashtu, në projektbuxhet ka një sërë risish, të cilat do t’i ndjejnë edhe familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke filluar me uljen e TVSH-së për produktet e shportës, që do të ulet nga 20% në 6%, dhe po ashtu ulja e çmimit të naftës tashmë me 32 lekë në pompë, si rrjedhojë e heqjes së taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës në pompë.

Gjithsesi, duke iu rikthyer asaj çfarë jemi mbledhur këtu sot, javët e fundit, kanë qenë shumë sfiduese për Policinë e Shtetit, përballë dhunës të tejskajshme dhe një bilanci tepër negativ për sa i përket të lënduarve. Në total janë 347 të lënduar, e në fillim unë nuk do të doja të bëja diferencim midis punonjësve të Policisë së Shtetit apo protestuesve, apo kalimtarëve, por në vetvete ky numër tregon që intensiteti i dhunës ka qenë si asnjëherë më parë. Fatkeqësisht, ky nivel dhune, i cili nuk është përjetuar më parë në protestat të cilat kanë ndodhur në vendin tonë, në vetvete tregon edhe formën e organizimit kriminal që kjo protestë ka pasur. Gjithsesi, në qoftë se i referohemi shifrave nga 347 të lënduar, 200 prej tyre, rreth 200 prej tyre, janë punonjës të Policisë së Shtetit. Janë punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët kanë pësuar dëmtime të ndryshme, disa prej tyre edhe të rënda, por që fatmirësisht sot janë jashtë rrezikut për jetën. Ka 107 protestues të lënduar dhe rreth 39 kalimtarë, të cilët po ashtu janë lënduar gjatë protestave. Këtu përfshihen edhe një numër i konsiderueshëm gazetarësh, të cilët janë dëmtuar gjatë mbulimit të protestës.

Këto shifra janë një këmbanë alarmi për të gjithë ne, për sa i përket nivelit të dhunës, por mbi të gjitha edhe për sa i përket trajtimit proporcional, që Policia e Shtetit ka bërë gjatë menaxhimit të kësaj proteste. Unë, në mënyrë absolute, do të doja të nëvizoja faktin që qëndrimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, por patjetër edhe i strukturave të Policisë së Shtetit, është i qartë – Ne garantojmë të drejtën kushtetuese për të gjithë qytetarët për të protestuar paqësisht. Patjetër, angazhimi jonë është i qartë për sa i përket proporcionalitetit të mënyrës së Policisë së Shtetit, kur konstatohet dhuna. Edhe në ato raste ku punonjës të Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë veprime individuale, të cilat kanë kaluar masën e proporcionalitetit, Policia e Shtetit ka ndërmarrë menjëherë masat e duhura, duke filluar edhe me pezullimet përkatëse.

Janë 7 punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët janë pezulluar, dhe tashmë janë nën hetim për sa i përket veprimeve të cilat ata kanë ndërmarrë. Por, po ashtu, Agjencia për Mbikëqyrjen Policore është duke punuar në dhjetëra raste, të cilat janë referuar nga qytetarë të ndryshëm për sa i përket veprimeve të Policisë së Shtetit, por edhe rastet ku Agjencia ka ndërmarrë hetim të rasteve specifike, dhe ndërkohë bashkëpunon edhe me prokurorinë e Tiranës, për sa i përket hetimit të këtyre ngjarjeve. Kjo tregon shumë qartë angazhimin tonë për sa i përket transparencës, por në të njëjtën kohë të një standardi për sa i përket marrëdhënies që në fakt Policia e Shtetit ka me qytetarët. Policia e Shtetit nuk është aty, për t’u përballur dhunshëm me qytetarët. Është aty për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. Dhe këtë, ne duhet të jemi të gjithë të qartë, por në të njëjtën kohë duhet të jemi të gjithë mbështetës, për sa i përket rolit të Policisë së Shtetit.

Ne kemi konstatuar gjatë këtyre javëve një dhunë, e cila nuk ka qenë e drejtuar vetëm kundrejt institucioneve shtetërore, por ka qenë kundrejt subjekteve private, kundrejt institucioneve të pavarura, por dhe individëve, kalimtarëve të ndryshëm të cilët kanë qenë në protestë. Unë jam i bindur që ky standard do të fuqizohet dita ditës dhe ne do të jemi shumë të qartë që roli jonë është për garantimin e sigurisë dhe rendit publik, ruajtjes së proporcionalitetit dhe patjetër, ku ka vend për ndërhyrje, ne do të përdorim të gjithë mekanizmat ligjorë për të garantuar transparencën dhe përgjegjësinë e secilit.

Në të njëjtën kohë, do më duhet të përmend një fakt shqetësues: presionin e ushtruar kundrejt Policisë së Shtetit, jo thjesht në ushtrimin e detyrës si rrjedhojë e dhunës, por mbi të gjitha patjetër dhe sulmeve mediatike, por edhe atyre në rrjetet sociale. Policia e Shtetit ka referuar raste specifike, përsa i përket kërcënimeve që i janë bërë drejtuesve të caktuar apo punonjësve të caktuar të Policisë së Shtetit nga individë të caktuar, të cilët kanë përdorur kanalet e komunikimit publike për identifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe organizimin dhe bërjen thirrje të sulmeve ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit.

Ky është një akt i paprecedentë, është një akt i cili nuk do të tolerohet dhe ne do të ndjekim të gjitha hapat e duhura ligjore, për të garantuar që çdo punonjës i Policisë së Shtetit ta ushtrojë detyrën dhe përgjegjësitë që ka, duke pasur mbrojtje të plotë ligjore. Do më duhet ta përmend rëndësinë që në fakt ka, dënimi i dhunës nga e gjithë shoqëria, nga partitë politike. Dhuna nuk mund të jetë një instrument negociimi, nuk mund të jetë një instrument shantazhi, dhe nuk mund të pranohet kurrsesi si një mekanizëm, i cili sjell ndryshim, për sa i përket çfarëdolloj kërkese që mund të kenë protestues të ndryshëm. Qasja e qeverisë shqiptare është e qartë, që ne jemi të hapur në çdo moment për t’u ulur dhe për të dialoguar me këdo që kërkon dialog për sa i përket çështjeve specifike të cilat mund të adresohen nga qeveria shqiptare.

Do më duhet të ndalem shkurtimisht po ashtu edhe për sa i përket përdorimit të të miturve gjatë protestave. Të miturit janë përdorur nga organizatorë, të cilët i kanë vënë ata në vijën e parë të sulmit, në vijën e parë të dhunës, dhe duke qëndruar vetë pas këtyre të miturve. Shifrat e shoqërimit tregojnë po ashtu qartazi që numri i të miturve që ka marrë pjesë në protestë është shumë shqetësues. Janë 269 të shoqëruar nën moshën 18 vjeç. Kjo tregon më së mirin, sfidën e madhe që ne kemi, ndërinstitucionale, për të adresuar këtë fenomen shqetësues. E këtu unë flas për sa i përket rolit që do të ketë shkolla, Ministria e Arsimit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë, për të adresuar një plagë që në fakt është një fenomen, që ne duhet t’i japim përgjigjen e duhur për ta parandaluar në burim. Nuk është zgjidhje, patjetër, veprimet e Policisë së Shtetit për sa i përket ndalimeve që ne bëjmë për të miturit, por sidomos për të miturit ne duhet të gjejmë rrugën e duhur, kanalet e komunikimit të duhura dhe mbështetjen e duhur për familjet dhe për vetë të miturit që ky fenomen të jetë një kujtim i hidhur i këtyre javëve të fundit.

Po ashtu qeveria shqiptare tashmë ka miratuar Aktin Normativ për sa i përket instrumenteve të reja ligjore, që i vihen në dispozicion Policisë së Shtetit për sa i përket menaxhimit të tubimeve të paligjshme apo dhunës së ushtruar në këto tubime. Po e filloj nga të miturit që është një masë në fakt që është ndërmarrë edhe në vendet e Bashkimit Europian duke filluar me Italinë, Francën, ku në fakt përcaktohet që nëse një i mitur merr pjesë në vandalizëm, nëse një i mitur merr pjesë në dhunë, dëmet që shkaktohen si rrjedhojë e këtyre veprimeve, do të mbulohen nga familjet e tyre. Ata të cilët marrin pjesë në protesta të dhunshme do të kenë masa administrative duke filluar nga gjoba dhe elementë të tjerë duke përmendur në veçanti regjistrin kombëtar të individëve të dhunshëm, të cilët kanë marrë pjesë në manifestime në territor. Vetvetiu këto janë akte të rëndësishme dhe ne do të dalim shumë shpejt me informacion të detajuar për secilën prej masave, të cilat tashmë janë në fuqi. Dhe unë jam i bindur që këto do të ndihmojnë punën e Policisë së Shtetit për të pasur edhe një përgjigje proporcionale për sa u përket individëve, të cilët marrin pjesë në protesta të dhunshme.

Një gjë është e sigurt, nga këto protesta ne kemi konstatuar që nevoja për fuqizimin teknologjik të Policisë së Shtetit tashmë është imperative dhe ne do të punojmë fuqimisht që të ecim me hapa të shpejtë për sa i përket përdorimit të teknologjisë në punën që ushtron Policia e Shtetit. Unë do të doja të përmendja një element të parë, që do të jetë shumë i rëndësishëm për sa i përket transparencës së veprimeve të Policisë së Shtetit që janë kamerat e trupit që ne shumë shpejt do t’i vendosim në funksion duke filluar me punonjësit e Policisë së Shtetit në Bashkinë e Tiranës, ku do të kemi tashmë përdorimin e këtyre imazheve për të faktuar edhe dhunën apo veprave jo të ligjshme, që ndërmerren nga individë të caktuar, por në të njëjtën kohë, për të garantuar që veprimet e Policisë së Shtetit janë gjithmonë brenda kornizës ligjore. Ne jemi duke parë mundësinë për të fuqizuar si komunikimin brenda strukturave të Policisë së Shtetit me radiot e reja, por dhe mjetet e reja të teknologjisë dixhitale për sa i përket punës investigative që Policia e Shtetit ndërmerr. Këtu do të doja të përmendja një fakt për sa i përket teknologjisë që tashmë ne jemi duke përdorur, për të ndihmuar Policinë e Shtetit në evidentimin e elementëve të dhunshëm gjatë protestës, sidomos atyre elementëve të cilët janë të maskuar.

Siç e shikoni edhe nga materialet, këto janë disa prej shembujve, të cilët ne tashmë kemi identifikuar. Materiali i është referuar Prokurorisë së Tiranës, ku qartazi duken individë që të maskuar kanë ushtruar dhunë ndaj institucioneve, kanë ushtruar dhunë ndaj bizneseve private, kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, por ndërkohë falë teknologjisë ne tashmë kemi evidentuar identitetin e tyre dhe janë duke u ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë për sa i përket përgjegjësisë ligjore, penale që këta individë duhet të kenë. Këtu unë do të doja t’i bëja një thirrje dhe Prokurorisë së Tiranës dhe gjykatës, për një përgjigje uniforme në mbrojtje të shtetit, pronës, sigurisë kolektive, ku ata elementë, të cilët realisht kanë kryer dhunë mbi kryeqytetin e shqiptarëve, patjetër të kenë një standard për sa i përket përgjegjësisë ligjore që ata duhet të përballen.

Unë jam i bindur që roli i Policisë së Shtetit duhet të jetë jo thjesht për të garantuar rend dhe siguri, sidomos kur ka situata, të cilat ne ballafaqohemi, por patjetër roli i Policisë së Shtetit duhet të jetë aty që shpesh herë të parandalojë edhe situata të caktuara si një masë tejet e rëndësishme, e cila mund të ndihmohet po ashtu edhe nga teknologjia në mënyrë që ne të ulim shpesh herë përballjet e panevojshme me aktet e dhunës që ne konstatojmë. Unë nuk po ndalem më gjatë, sepse ajo çfarë është e rëndësishme për ne si Ministri e Punëve të Brendshme, për ta mbyllur, janë patjetër garancitë që ne ofrojmë qytetarëve, Policia e Shtetit është aty për të ndihmuar qytetarët për të mbështetur qytetarët për të garantuar tubimet e ligjshme paqësore të çdo qytetari në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Policia e Shtetit është aty për të mos u përballur në mënyrë të dhunshme me askënd, por Policia e Shtetit patjetër që do të reagojë në momentin që ne kemi dhunë, e cila drejtohet kundrejt institucioneve publike, kundrejt biznesit kundrejt institucioneve financiare apo individëve, të cilët mund të ndodhen rastësisht pjesë në një protestë. Prandaj edhe njëherë unë do të doja të falënderoja të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit për angazhimin e tyre gjatë këtyre javëve dhe patjetër do të kërkoja bashkëpunimin e qytetarëve që në situata të caktuara të ndjekin dhe zbatojnë thirrjet që Policia e Shtetit drejton ndaj tyre. Rendi dhe siguria është një përgjegjësi e të gjithëve. Është edhe një përgjegjësi e shoqërisë. Prandaj unë do të doja ta mbyllja duke iu referuar të gjithë të lënduarve, jo vetëm punonjësve të Policisë së Shtetit, por kushdo që është lënduar në këto javë të vështira ju uroj shërim të shpejtë dhe patjetër të gjithë ne duhet të nxjerrim mësimet e duhura nga kjo situatë që tashmë ne kemi përjetuar të gjithë së bashku.

Deklarata e plotë e Drejtorit Hita: Të nderuar qytetarë, gjatë dy javëve të fundit, kryeqyteti është përballur me akte të rënda dhune, të drejtuara ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, institucioneve shtetërore, pronës publike dhe private, duke cenuar njëkohësisht sigurinë e qytetarëve dhe të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore. Si pasojë e këtyre akteve të dhunshme, 201 punonjës të Policisë së Shtetit kanë mbetur të plagosur gjatë përmbushjes së detyrës së tyre për garantimin e rendit, sigurisë publike dhe ushtrimit të lirë të së drejtës për tubim paqësor. Krahas veprimeve procedurale të kryera në vijimësi, strukturat e Hetimit të Krimit, në bashkëpunim me strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, kanë intensifikuar punën për identifikimin e personave të përfshirë në aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe pronës publike e private.Nga këqyrja dhe analizimi i pamjeve filmike, deri më tani janë identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në akte të dhunshme, pavarësisht përpjekjeve për të fshehur identitetin përmes maskimit. Materialet procedurale në ngarkim të tyre janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme ligjore. Puna hetimore dhe analizimi i pamjeve filmike vijojnë, me qëllim identifikimin dhe dokumentimin e plotë të çdo veprimi të dhunshëm të kryer gjatë dy javëve të fundit, përfshirë ato që kanë vënë në rrezik serioz jetën dhe shëndetin e punonjësve të Policisë dhe qytetarëve.

Në këtë kontekst, dëshiroj të përsëris edhe një herë thirrjen time publike, në radhë të parë për prindërit, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve të tyre në situata ku ushtrohet dhunë dhe rrezikohet siguria e tyre. Njëkohësisht, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të distancohen nga çdo akt dhune, të shmangin qëndrimin pranë personave që ushtrojnë dhunë dhe të bashkëpunojnë me shërbimet e Policisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Policia e Shtetit është dhe mbetet e vendosur të garantojë të drejtën kushtetuese të tubimit dhe protestës paqësore, por njëkohësisht do të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe parimin e proporcionalitetit, ndaj cilitdo që përdor dhunën, rrezikon jetën e njerëzve apo dëmton pronën publike dhe private. E drejta për të protestuar është e garantuar dhe duhet respektuar. Dhuna, nga ana tjetër, nuk mund të justifikohet dhe as të mbrohet në emër të kësaj të drejte.

Të nderuar përfaqësues të medias,

Dëshiroj të ndalem veçanërisht edhe te marrëdhënia e Policisë së Shtetit me median, jo thjesht në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga organizatat e gazetarëve, por mbi të gjitha për të riafirmuar vlerësimin dhe respektin institucional për rolin dhe misionin e saj në një shoqëri demokratike. Policia e Shtetit e konsideron median një partner të rëndësishëm në informimin e publikut dhe në garantimin e transparencës institucionale. Gazetarët, operatorët dhe fotoreporterët kryejnë një mision me interes publik, shpesh në rrethana të vështira dhe me rrezik të shtuar, ndaj e drejta e tyre për të ushtruar lirisht dhe në mënyrë të pavarur profesionin duhet të respektohet dhe të mbrohet. Në këtë kuadër, bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Shtetit dhe përfaqësuesve të medias duhet të mbështetet në respektin e ndërsjellë, komunikimin e vazhdueshëm, transparencën dhe përgjegjësinë profesionale.

Veçanërisht gjatë tubimeve dhe situatave që shoqërohen me tensione apo akte dhune, është e domosdoshme të forcohet koordinimi në terren, përmes një komunikimi të qartë dhe në kohë ndërmjet shërbimeve policore dhe përfaqësuesve të medias. Ky bashkëpunim duhet të garantojë njëkohësisht ushtrimin e papenguar të veprimtarisë gazetareske dhe respektimin e masave të ligjshme të sigurisë, të cilat synojnë mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të gjithë personave të pranishëm. Udhëzimet e shërbimeve policore, respektimi i perimetrave të sigurisë të vendosur në përputhje me ligjin dhe komunikimi i drejtpërdrejtë në terren janë elemente të rëndësishme për parandalimin e incidenteve, pa cenuar të drejtën e medias për të dokumentuar dhe raportuar zhvillimet me interes publik. Po kështu, çdo shqetësim apo pretendim për pengim të punës së gazetarëve ose për sjellje të papërshtatshme nga punonjës të Policisë trajtohet me seriozitet, objektivitet dhe në përputhje me procedurat ligjore.

Dua të theksoj se siguria e gazetarëve dhe liria e informimit nuk janë në kundërshtim me garantimin e rendit publik. Përkundrazi, ato janë përgjegjësi që duhet të përmbushen së bashku, përmes profesionalizmit, mirëkuptimit dhe respektimit të ligjit. Policia e Shtetit mbetet plotësisht e angazhuar për të garantuar kushtet e nevojshme që gazetarët të ushtrojnë të lirë dhe të sigurt profesionin e tyre, duke qenë njëkohësisht e hapur për një komunikim më të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunim më të strukturuar me organizatat përfaqësuese të medias. Besoj se vetëm përmes komunikimit institucional, respektit të ndërsjellë dhe përgjegjësisë profesionale mund të shmangim keqkuptimet, të parandalojmë incidentet dhe t’i shërbejmë së bashku interesit publik. Policia ka detyrimin të garantojë sigurinë. Media ka misionin të informojë. Respektimi i këtyre dy përgjegjësive është në interes të qytetarëve dhe të një shoqërie demokratike.