Ministry of Internal Affairs

VIDEO – U zhvillua sot ceremonia e betimit të Ministrit të ri të Punëve të Brendshme, Ervin Demo, para Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Bajram Begaj. Pas leximit të Dekretit të Presidentit për emërimin, ministri Demo u betua me dorën mbi Kushtetutë sipas formulës së betimit: “Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikmëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave!”

Më herët, Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka përcjellë një mesazh të parë pas miratimit në seancë plenare, duke theksuar përgjegjësinë për garantimin e sigurisë së qytetarëve, forcimin e shërbimeve publike dhe mbështetjen e punonjësve të Policisë së Shtetit. “Me mirënjohje dhe me vetëdijen e plotë për përgjegjësinë që sjell kjo detyrë ndaj çdo shqiptari”, ministri Demo falënderoi Kryeministrin Edi Rama për besimin, si dhe kolegët deputetë për mbështetjen.

Ministri Demo nënvizoi se siguria e familjeve shqiptare, qetësia e komuniteteve, shërbimet publike më të shpejta dhe institucionet që dëgjojnë e veprojnë për nevojat e qytetarëve do të jenë në qendër të punës së tij. Një mesazh të veçantë ministri u drejtoi punonjësve të Policisë së Shtetit, duke garantuar mbështetjen e tij për përmbushjen e detyrës me dinjitet, profesionalizëm dhe ndershmëri. “Vizioni ynë i përbashkët është i qartë: ne jemi këtu për t’i shërbyer dhe për të mbështetur qytetarët”, u shpreh Demo.

Ministri theksoi gjithashtu se investimet në teknologji, përmirësimin e kushteve të punës dhe trajnimin e punonjësve të policisë do të kenë një qëllim të qartë: rritjen e mëtejshme të profesionalizmit të Policisë së Shtetit. “Uniforma e shtetit do të ketë mbështetjen time maksimale, por gjithmonë e shoqëruar me një standard të panegociueshëm: ligji mbi gjithçka, partneritet me komunitetin dhe respekt absolut për qytetarin në çdo ndërveprim”, deklaroi ministri i ri i Punëve të Brendshme.

Duke e cilësuar rrugëtimin përpara si një përgjegjësi që kërkon shumë punë, Demo tha se prioriteti do të jetë ndërtimi i një marrëdhënieje më të fortë mes institucioneve dhe qytetarëve. “Do ta bëjmë me përgjegjësi, përkushtim dhe me një objektiv të qartë: më shumë siguri, dyer të hapura në institucione dhe një shtet që u shërben qytetarëve të tij. Në standardin e Shqipërisë 2030, në Bashkimin Europian”, shkruan Demo, në rrjetet sociale.

Mesazhi i plotë:

Me mirënjohje dhe me vetëdijen e plotë për përgjegjësinë që sjell kjo detyrë ndaj çdo shqiptari, falenderoj Kryeministrin Edi Rama që më besoi drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe kolegët deputetë për mbështetjen.

Siguria e familjeve shqiptare, qetësia e komuniteteve tona, shërbime publike më të shpejta dhe një pushtet vendor që dëgjon e vepron për nevojat e përditshme të qytetarëve do të jenë në qendër të punës sonë.

Një mesazh të veçantë kam për çdo punonjës të Policisë së Shtetit: do të keni mbështetjen time të plotë për të kryer detyrën me dinjitet, profesionalizëm dhe ndershmëri. Vizioni ynë i përbashkët është i qartë: ne jemi këtu për t’i shërbyer dhe për të mbështetur qytetarët.

Çdo investim që do të bëjmë në teknologji, kushte apo trajnime për punonjësit e policisë do të ketë vetëm një qëllim: të kemi një polici sa më profesionale.

Uniforma e shtetit do të ketë mbështetjen time maksimale, por gjithmonë e shoqëruar me një standard të panegociueshëm: ligji mbi gjithçka, partneritet me komunitetin dhe respekt absolut për qytetarin në çdo ndërveprim.

Përpara kemi shumë punë.

Do ta bëjmë me përgjegjësi, përkushtim dhe me një objektiv të qartë: më shumë siguri, dyer të hapura në institucione dhe një shtet që u shërben qytetarëve të tij.

Në standardin e Shqipërisë 2030, në Bashkimin Europian.