Ministry of Internal Affairs

Vendimi (shkarko) – Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin “Për përcaktimin e kritereve për dhënien e Medaljes së Shërbimit të Rendit Publik”, një akt që synon të vlerësojë kontributin e veçantë të individëve në mbrojtjen e rendit, sigurisë publike dhe jetës së qytetarëve.

Medalja e Shërbimit të Rendit Publik u jepet shtetasve shqiptarë dhe të huaj, si dhe punonjësve të strukturave shtetërore që ushtrojnë funksione në fushën e rendit dhe sigurisë publike, përfshirë Policinë e Shtetit dhe shërbimet e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.

Vendimi përcakton qartë kriteret e përgjithshme dhe të veçanta për vlerësimin e kontributeve të jashtëzakonshme në luftën kundër krimit, mbrojtjen e jetës dhe pronës, menaxhimin e situatave të jashtëzakonshme, si dhe përkushtimin, kurajën dhe profesionalizmin në ushtrimin e detyrës.

Medalja do të akordohet në tre nivele:

– Medalja e Artë e Shërbimit të Rendit Publik, për akte heroizmi, sakrifice dhe kontribute të jashtëzakonshme me ndikim kombëtar;

– Medalja e Argjendtë e Shërbimit të Rendit Publik, për rezultate të dalluara profesionale dhe operacionale në garantimin e sigurisë publike;

– Medalja e Bronztë e Shërbimit të Rendit Publik, për kontribute të rëndësishme dhe të qëndrueshme në shërbim të komunitetit dhe institucioneve të rendit.

Përfituesit e medaljes duhet të plotësojnë standarde të larta integriteti moral, etike profesionale dhe të kenë dhënë kontribut të dokumentuar në forcimin e rendit, sigurisë publike dhe autoritetit institucional. Ky vendim krijon një bazë të qartë dhe transparente për njohjen dhe vlerësimin e individëve që, me përkushtimin, profesionalizmin dhe guximin e tyre kontribuojnë në forcimin e sigurisë publike dhe mbrojtjen e interesit të qytetarëve.