Ministry of Internal Affairs

Tiranë – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim me drejtuesit e Illyrian Guard, me fokus në bashkërendimin e punës dhe rritjen e mëtejshme të standardeve të shërbimit dhe sigurisë në institucionet publike.

Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit, rritjen e profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë në ofrimin e shërbimit, si dhe për një qasje të orientuar gjithmonë drejt nevojave të qytetarëve dhe institucioneve.

“Siguria nuk është vetëm prani fizike, por është besim, përgjegjësi dhe gatishmëri për të qenë aty ku qytetari dhe institucionet kanë nevojë”, u shpreh ministri Lamallari.

Ministri theksoi se çdo uniformë që mban përgjegjësi për sigurinë duhet të përfaqësojë korrektësinë, profesionalizmin dhe respektin ndaj qytetarit.

“Besa, korrektësia dhe prania besnike pranë qytetarit janë standardi që duhet të udhëheqë çdo uniformë që mban përgjegjësi për sigurinë në institucionet publike”, nënvizoi Lamallari.

Rritja e cilësisë së shërbimit, forcimi i përgjegjshmërisë dhe bashkërendimi më i mirë mes strukturave të sigurisë mbeten pjesë e rëndësishme e përpjekjeve për krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe një marrëdhënieje më të fortë besimi me qytetarët.