Ministry of Internal Affairs

Tiranë – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim me prefektët e 12 qarqeve të vendit, me fokus forcimin e standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve, komunikimit institucional dhe reagimit të shpejtë ndaj kërkesave dhe problematikave të tyre. Gjatë takimit, ministri Lamallari përcolli porositë e Kryeministrit mbi domosdoshmërinë e një komunikimi sa më profesional, korrekt, të besueshëm dhe të shpejtë me qytetarët, nga çdo punonjës që ushtron detyrën në shërbim të tyre.

“Shumë qytetarë i drejtohen institucionit të Prefektit, çdo ditë në kërkim të shërbimeve të ndryshme apo të një përgjigjeje. Prandaj, përmes Prefektëve të 12 qarqeve të vendit përcolla porositë e Kryeministrit mbi domosdoshmërinë e një komunikimi sa më profesional, korrekt, të besueshëm dhe të shpejtë me qytetarët nga çdo punonjës në shërbim të tyre”, u shpreh ministri Lamallari.

Ministri theksoi se çdo kërkesë për informacion apo shqetësim i adresuar nga qytetarët duhet të trajtohet me vëmendjen e duhur dhe në përputhje me përgjegjësinë që institucionet publike kanë ndaj tyre.

“Çdo shqetësim apo kërkesë për informacion e qytetarëve meriton vëmendje dhe ne kemi detyrimin të përgjigjemi dhe të japim zgjidhje. Besimi ndërtohet aty ku qytetari ndihet i dëgjuar dhe ku institucionet veprojnë me zgjidhje konkrete”, theksoi Lamallari.

Në këtë drejtim, ministri nënvizoi se institucionet vendore duhet të jenë të orientuara drejt qytetarit, duke garantuar jo vetëm respektimin e procedurave, por edhe një qasje të përgjegjshme, njerëzore dhe efikase në trajtimin e çdo kërkese.

“Ky është standardi që duhet të udhëheqë punën e çdo shërbëtori publik në çdo cep të vendit”, përfundoi ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.